Dobia e prezantimit të Kosovës si shtet edhe në Tiranë

Postuar në 11 Shkurt, 2020 21:44

Albin Kurti e ka nervozuar shumë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij. Nuk është e qartë konkretisht se me çfarë, por përpjekja për ta ulur statusin e vizitës së kryeministrit të Kosovës është dëshmi e qartë se tanimë mes të dyja vendeve negociohet në formatin Prishtina zyrtare + opozita shqiptare përballë qeverisë së Shqipërisë

Në lojë është hedhur edhe karta e fundit, ajo që e dëgjojmë shpesh të na këndohet pa ndalim: çdo refuzim ndaj propozimeve të Tiranës na largon nga ShBA.

Tashmë po del në sipërfaqe edhe zgjedhja strategjike që paskan bërë vendimmarrësit e kafeneve, sipas së cilë mes Kosovës dhe ShBA-ve, Shqipëria zgjedh ShBA. 

Këtu menjëherë ka nevojë për një korrigjim: në vend të Shqipërisë duhet shkruar qeveria e Shqipërisë

Përpos kësaj duhet sqaruar se gjithçka që thuhet është gënjeshtër. Albin Kurti nuk kërkoi ndonjë mbështetje për ndonjë gjë në Tiranë. Ai përcolli qëndrimin e vet nga një pozitë që e sëkëlldis shumë kryeministrin shqiptar: nga ajo e kryeministrit të një vendi që i thotë Jo nismave të dyshimta si Minishengeni dhe nga pozita e një politikani që ka më shumë kredibilitet në të dyja anët e kufirit sesa z. Rama. 

Albin Kurti mund të jetë populist dhe i papjekur siç e përshkruajnë atë me paragjykim të qëllimtë në Tiranë, por është ende herët që atij z. Rama t’i drejtohet me fjalën Gënjeshtar. 

Kujt i shërben akuza e antiamerikanizmit? Kuptohet vetëm z. Rama. Antiamerikane ishte edhe opozita shqiptare, antiamerikane një pjesë e medias, antiamerikane protestat. Tani është antiamerikane edhe qeveria e Kosovës. 

Është një interpretim që synon të gënjejë opinionin mbi qasjen ndaj një politike rajonale që kërkon me çdo kusht rehabilitimin e Serbisë në sytë e shqiptarëve duke e paraqitur si strategji të Perëndimit. Është një interpretim që luan me sentimentet, naivitetin dhe injorancën e një pjese të shoqërisë, ndërkohë që pretendimin se bashkimin doganor Shqipëri-Kosovë  e pengon ShBA-BE e përgënjeshtron vetë z. Rama i cili në tetor 2018 premtoi se bashkimi do të bëhej një muaj më vonë. 

Si zakonisht asgjë nuk ndodhi, vetëm se ata që sot i mbajnë shalën Edi Ramës deri më dje akuzonin si të shitur dhe antiamerikanë këdo që mund të kishte rezerva për një gjë të tillë. 

Tradhtia është një gjë serioze. Kryeministri i Shqipërisë nuk është i tillë. Ndaj akuzat e opozitës se Edi Rama është tradhëtar kanë dëmtuar mundësinë e një debati real mbi këtë politikë të tijën. 

Minishengeni është një nismë partizane që vendos Serbinë në komoditetin e anullimit të kërkesave shqiptare ndaj saj dhe duke ja hequr asaj presionin për njohje të Kosovës. Mund të jetë politikë largpamëse, strategji e hollë, politikë liberale, por ajo nuk i intereson botës shqiptare në këtë formë, sidomos në mungesë të një qeverie të besueshme. Dhe tjetra: Minishengeni nuk është politikë perëndimore. 

Pra ka brenda së paku një mungesë sqarimi se çfarë fitojmë dhe një gënjeshtër. E mira e këtij gabimi të z. Rama është se ajo e vendos në baza realiste raportin Shqipëri-Kosovë dhe sqaron përfundimisht nevojën që Kosova të sillet si shtet pa ndjerë të nevojshme të rendë pas delirantëve të Tiranës. Do shpresuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe media në Kosovë. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.