Dossier/Ikja e serbëve nga Shqipëria, evakuiimi më i madh detar deri në Dunkirk*

Postuar në 08 Shkurt, 2020 17:35
Miloš Ković - Universiteti Beogradit

 

Në vjeshtën e vitit 1915, Serbia dhe Mali i Zi u sulmuan nga forcat e kombinuara të Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Bullgarisë. Të dërrmuara nga betejat e vitit 1914 dhe epidemitë shkatërrimtare të 1915-ës, serbët luftuan dhe gradualisht u tërhoqën në pritje të ndihmës së aleatëve. Gjithësei, nuk është ekzagjerim të thuhet se ata u braktisën në fatin e tyre, qëkurse fuqitë e Antantës dështuan në përmbushjen e premtimeve të veta. Veçanërisht i qartë ndër mesazhet risiguruese të zyrtarëve aleatë, ishte njoftimi i datës 28 shtator 1915 i Edward Grey, shprehur në Dhomën e Përfaqësuesve e që kishte të bënte me mobilizimin e bullgarëve në prag të sulmit ndaj Serbisë:

Nëse, në njërën anë, mobilizimi bullgar do të rezultojë me një sjellje agresive nga armiqë tanë, ne jemi të përgatitur që të japim për miqtë tanë në Ballkan të gjithë ndihmën që mundemi, në mënyrën më të mirë për ta, në bashlëpunim me aleatët tanë, pa rezerva dhe qualifikime

David Lloyd George e kuptoi menjëherë se çfarë i ishte bërë Serbisë. Si një ministër në qeverinë e Herbert Henry Asquith, ai po përpiqej më kot të bindte Grey-n dhe kolegë të tjerë që t’u përmbaheshin premtimeve. Në kujtimet e tij ai shkruajti gjerësisht për këtë “mashtrim të praktikuar mbi Serbinë”. Një tjetër ministër në qeverinë e Asquith-it, Edward Henry Carson, ishte edhe më i “neveritur”. Në fjalimin e mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve më 20 tetor 1915, Carson deklaroi se ai dha dorëheqje nga qeveria sepse ajo nuk mbajti premtimet, ato të dhëna nga Edward Grey në veçanti:

Deklarata e bërë nga ministri i Jashtëm, me lejen e qeverisë, në këtë sallë, mu duk se njoftoi një politikë të rëndësisë më të lartë në detyrimet tona në Ballkan, që përfshin prestigjin dhe nderin tonë

Megjithatë, princi serb i Kurorës, Alexander Karadjordjevic, kabineti i Nikola Pasic dhe komanda e Feldmarshallit Radomir Putnik, ishin unanime në refuzimin e dorëzimit edhe pasi bullgarët prenë rrugë kalimin e ushtrisë serbe drejt Selanikut, ku kishte nisur zbarkimi i ngadaltë dhe pamjaftueshëm i forcave aleate. Pas tërheqjes epike dhe tragjike të dimrit në malet e Malit të Zi dhe Shqipërisë, në dhjetor 1915, mbetjet e ushtrisë serbe që numëroheshin sipas burimeve zyrtare serbe, afërsisht në 152 mijë trupa, krahas 15 mijë refugjatëve civilë dhe më shumë se 22 mijë robër lufte austro-hungarezë, mbërritën në bregun shqiptar ku pritej ndihma e flotave aleate. Ndërsa forcat armike i afroheshin Shqipërisë, ushtarët e uritur dhe të dërrmuar serbë, refugjatët dhe robërit armiq duhet të evakuoheshin. Për aleatët, gjendja në Ballkan tani u bë më urgjente.

Të gjitha vendeve ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha u përfshinë në evakuiin e serbëve nga Shqipëria. Në dhjetor 1915, serbët e panë veten në tokën shqoptare, ku Italia, Mali i Zi dhe Greqia si dhe vetë Serbia, kishin interesat dhe pretendimet e tyre territoriale. Aleatë zgjodhën ishullin e Korfuzit si një abzë për rekuperimin dhe rindërtimin e ushtrisë serbe dhe hapi tjetër ishte transporti i serbëve në territorin grek. Përpara kësaj, rreth 10 mijë ushtarë serbë duhet të evakuoheshin në Bizerte, Tunizi. Transporti i rreth 189 mijë të burgosurve serbë dhe austro-hungarezë nga anijet italiane, franceze dhe britanike, nën kërcënimin e pandërprerë të nëndetësve austro-hungareze dhe gjermane, anijeve dhe avionëve, rezultoi të ishte evakuimi më i madh detar në Luftën e Parë Botërore. Historianët kanë zbuluar se ai ishte madje “evakuimi më i madh detar në histori deri në evakuimin e Dunkirk”.

Këto çështje janë hulumtuar nga shumë breza historianësh serbë, por përgjithësisht në historiografi, betejat dhe frontet e Ballkanit(me përjashtim të Galipolit – Çanakaleja) janë krahas Frontit Lindor, tema të lëna pas dore. Disa fakte bazë për evakuimin e vitit 1916 mbeten të pasigurta edhe në historiografinë serbe, përfshirë kronologjinë, numrin e saktë të ushtarëve dhe civilëve të evakuuar,  apo edhe roli i flotave italiane, britanike dhe franceze në këtë evakuim.

Ka ende shumë burime të papublikuara dhe materiale arkivore që mund të hedhin dritë të re mbi këto ngjarje. Mes tyre janë raportet e Admiraliatit Britanik, të shkruara në vitet 1915-1916 nga Komandanti i Skuadronit Britanik të Adriatikut, Kundëradmiralit Cecil Fiennes Thursby. Këto dokumente janë depozituar në Arkivat Kombëtare në Kew Gardens dhe nuk janë shfrytëzuar asnjëherë për rindërtimin e ngjarjeve të evakuiimit të serbëve nga bregdeti shqiptar.

Të shkruara nga një prej pjesëmarrësve kryesorë, thuajse në mënyrë të përditshme, raportet e Thursby-t të viteve 1915-1916 konstituojnë një burim unik jo vetëm për historinë e evakuiimit të serbëve, por gjithashtu për të historinë e Europës Juglindore në Luftën e Madhe. Një oficer karriere dhe një vëzhgues i mprehtë, admiral Thursby kishte një përvojë thelbësore në teatrin e Mesdheut Lindor. Ai komandonte një skuadron të veçantë gjatë masakrës së Adana-s në 1909, që ishte pjesë e Skuadronit Ndërkombëtar në Kretë më 1910, pjesë po ashtu e Skuadronit Luftarak në Dardanele dhe Skuadronit të dytë që zbarkoi forcat e ANZAC(Australian and New Zealand Army Corps) në Galipoli më 1915. Në kohën e evakuiimit të serbëve, ai komandonte Skuadronin Britanik të Adriatikut. Në fund të atij vit ai u caktua komandant i flotës në Mesdheun Lindor.

Sipas raporteve të dhjetorit 1915 të admiralit Thursby, kur ushtarët e raskapitur serbë dhe refugjatët civilë po vdisnin në bregdetin shqiptar, aleatët nuk kishin as ndonjë plan, por as edhe ndonjë ide të qartë se çfarë të bënin me ta. “Tani ne nuk e dimë sesi duhet të menaxhojmë refugjatët serbë dhe ushtrinë serbe” – këtë shkruante Thursby më 28 dhjetor.

Më tej akoma, nga data 1-10 dhjetor, italianët u përqendruan në transportimin e trupave të tyre në Vlorë. Britanikët besonin se synimi kryesor i italianëve ishte mbrojtja e sferës së tyre të ndikimit kundër asaj që ata e kishin perceptuar si kërcënimi serb. Thursby rapotonte se luftanijet italiane, të zëna me transportimin e trupave të tyre, nuk mund të siguronin shoqërimin e avulloreve që sillin furnizime nga Brindizi për serbët në Shëngjin dhe Durrës. Këto anije ishin nën kërcënimin e vazhdueshëm të destrojerëve austro-hungarezë, kryqëzorëve, nëndetëseve dhe aeroplanëve që niseshin nga Kotorri i afërt; nëndetëseve u duhej vetëm një orë të lundronin nga Kotorri në Shëngjin, kurse avionëve rreth 30 minuta.

Kryqëzorët dhe destrojerët britanikë dhe francezë siguronin mbrojtjen e anijeve italiane të furnizimit që sillnin ushqime dhe materiale për serbët. Ato niseshin nga baza detare e Brindizit dhe ndiqnin apo sulmonin nëndetëset austro-hungareze. Gjiri i Drinit ishte vendi i fërkimeve të zakonshme mes anijeve britanike, franceze dhe italiane dhe nëndetëseve armike. Në të njëjtën kohë, anije të vogla ndihmëse britanike u angazhuan për të mbrojtur zbarkimin e trupave italiane në Vlorë.

Anijet britanike dhe franceze ia dolën deri diku që të parandalonin përparimin e forcave armike nga bazat detare në Kotorr, Shibernik dhe Pula. Anijet armike e kishin rrugën të hapur përgjatë bregdetit dalmat qëkurse britanikët dhe francezët në këtë kohë nuk kishin nëndetëse që të mund të patrullonin gjiun e Kuaneros në Istria dhe ishujt dalmatë.

Austro-hungarezët ishin të aftë të riktheheshin nga Shëngjini dhe Durrësi në bazat e tyre detare përpara se të rruga e tyre të pritej nga ndonjë formacion i dërguar nga Brindizi. Vështirësitë e mbajtjes së forcës detare në lundrim në vend se ta dërgonin atë nga Brindizi ishin të qarta, sepse aleatët nuk mund të përcaktonin paraprakisht forcën dhe afrimin e forcave armike dhe sepse shumë nëndetëse të mëdha gjermane vepronin në këto ujëra. Më 5 dhjetor 1915 një grup I fuqishëm kryqëzorësh dhe destrojerësh austro-hungarezë arritën të hyjnë në portin e Shëngjinit duke mbytur avulloren italiane që sapo kishte shkarkuar ushqim për serbët, avulloren greke “Thira” që transportonte municion për Malin e Zi dhe një numër anijesh të vogla në Shëngjin dhe pak më vonë në Durrës.

Pas sulmit të datës 5 dhjetor asnjë furnizim nuk u dërgua më për serbët që po vdisnin nga uria derisa trupat e fundit italiane u imbarkuan në Vlorë më datë 11 të atij muaji. Vetëm pas kësaj, kryqëzorët dhe destrojerët italianë, së bashku me anijet britanike dhe franceze u angazhuan në mbrojtjen e trasportit të furnizimeve. Porti në Shëngjin ishte ende i bllokuar me anije të mbytura. Megjithatë në datën 13 dhjetor, dy avullore sollën rreth 700 tonë furnizime në Durrës.

Pjesa më e madhe e ushtrisë serbe që po tërhiqej përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë veriore arritën në Shkodër dhe në Lezhë mes datave 15-21 dhjetor. Në të njëjtën ditë, pra 21 dhjetor, Armata Serbe Timok la Elbasanin për në Durrës dhe Vlorë. Të burgosurit austro-hungarezë ishin tashmë në Vlorë. Princi i Kurorës, Alexander Karadjordjervic në mënyrë të vazhdueshme u dërgonte aleatëve mesazhe nga Shkodra përmes të cilave u kërkonte evakuiim të menjëhershëm të ushtarëve të tij që po vdisnin urie. Ata kërcënoheshin nga veriu dhe lindja nga afrimi i ushtrive austro-hungareze dhe bullgare.

Më 21 dhjetor, admirali Thursby vlerësonte se ishin diku mes 80 000-120 000 ushtarë serbë në Shqipëri, kryesisht në Shkodër dhe zonat e Elbasanit. Thursby raportonte se disa avullore të vogla po çonin ushqime në Durrës dhe Shëngjin, por “çështja është shumë më e ndërlikuar për sa kohë nuk ka asnjë vendim përfundimtar se çfarë do të bëhet me ushtrinë serbe”.

Evakuiimi I ushtarëve serbë u shty sërish. Italianët kishin furnizuar së pari trupat e tyre në Vlorë. Më pas ata vendsoën të evakuojnë “refugjatët e të gjitha kombësive, që kishin shërbyer me ushtrinë serbe” dhe të burgosurit austro-hungarezë, të cilët, siç vërente Thursby, ishin “në një gjendje të mjerueshme çorganizimi, sëmundjesh dhe urie”.  Sipas Thursby-t në total ishin transportuar rreth 25 mijë të burgosur, dyuke nënvizuar se avulloret që transportonin duhet të viheshin në karantinë për shkak të shumë rasteve të kolerës. Si pasojë, evakuiimi i ushtarëve serbë duhet të shtyhej sërish.

Nga 21 deri më 28 dhjetor, katër avullore të vogla, secila me 300-400 tonë furnizime për serbët, mbërritën në Shëngjin dhe Durrës. Në Shëngjin ato u sulmuan nga aeroplanët austro-hungarezë, që goditën madje edhe anijen spitalore “Panama”, që evakuonte personelin e Kryqit të Kuq. Admirali Thursby bashkëpunoi me oficerët e Misionit Britanik të Adriatikut që u dërgua nga Britania e Madhe për të ndihmuar serbët dhe me admiralin Ernest Troubridge, që ishte tërhequr me serbët dhe ishte tani i ngarkuar me detyrën e komandantit të portit të Shëngjinit.

Pak ditë më vonë, Thursby takoi gjeneral lejtnantin francez, Piarron de Mondesir. Duke mos ditur se misioni I këtij të fundit ishte marrja e komandës për të gjithë operacionin, Thursby mendoi se ai duhet të raportonte për situatën. Mungesa e qartë e koordinimit gërshetuar me faktin se më 28 dhjetor Thursby vërente sërish se “për momentin ne nuk e dimë sesi është menduar të veprohet me refugjatët serbë dhe ushtrinë serbe”, demonstronte se aleatët ishin në të vërtetë të papërgatitur për operacionin e evakuiimit, pavarësisht se, në Serbi, përfaqësuesit e tyre kishin inkurajuar, madhe kërcënuar serbët që të mos dorëzoheshin, por të vazhdonin tërheqjen drejt bregut.

Më 19 dhjetor, forca aleate që mbronte linjat e furnizimit mes Brindizit dhe Shqipërisë, u përfshi në betejën e vet më të madhe në Adriatik që nga fillimi I luftës. Gjatë  lundrimit nga Kotorri në bregun shqiptar, një skuadron austro-hungarez i përbërë nga një kryqëzor i lehtë dhe pesë destrojerë shkatërruan një nëndetëse franceze dhe më pas u shfaqën përballë portit të Durrësit. Pasi bombardoi qytetin dhe pasi mbyti disa varka të vogla, skuadroni ra në një zonë të minuar duke humbur dy destrojerë.

Më pas, një forcë aleate e përbërë nga dy kryqëzorë të lehtë britanik, dy kryqëzorë të lehtë italianë, pesë destrojerë francezë dhe katër destrojerë italianë lanë bazën e Brindizit për t’u vënë në ndjekje të skuadronit austriak që po tërhiqej drejt bazës së vet në Kotorr. Në mbështetje të tij, nga kjo bazë u nisën një kryqëzor i rëndë austriak dhe një i lehtë. Aleatët u përballët me austriakët duke dëmtuar një tjetër destrojer armik në një duel të gjatë shkëmbimi zjarri. Pas kësaj, forcat e mbetura austriake arritën në Kotorr.

Sesa të rrezikshme ishin këto ujëra dhe rrugëkalime kjo u dëshmua më 8 janar 1916, kur kryqëzori tregëtar Italian, “Citta di Palermo”, që transportonte trupa italiane dhe britanike nga Vlora, ran ë minë në afërsi të Brindizit dhe u mbyt duke marrë me vete një numër ushtarësh që ishin në bord. Dy nga anijet nidhmëse që po shpëtonin të mbijetuarit goditën po ashtu në mina dhe u shkatërruan. Një ditë më parë, avullorja “Brindisi” ra në minë në Shëngjin duke u mbytur bashkë me 266 vullnetarë malazezë nga Kanadaja dhe SHBA.

Më 5 janar Thursby raportonte se tre kryqëzorë britanikë dhe dy francezë ishin gati për shoqërimin e trupave serbe bashkë me forcat italiane. Nëndetëset aleate nuk ishin në gjendje të patrullonin bregun e kontrolluar nga austriakët përgjatë gjitëh Kepit Planka afër Shibernikut. Nga Venecia, nëndetëset britanike patrullonin në Adriatikun Verior.

Sipas raportit të Thursby-t, më 10 janar, 1000 ushtarë serbë ishin gati të transportoheshin nga kryqëzori francez “Jules Michellet” nga Shëngjini në Brindizi dhe më pas në Bizerte të Tunizisë. Thursby shkruante se plani fillestar i miratuar nga Mondesir konsistonte në evakuimin e 88 mijë ushtarëve serbë në Shkodër nga Shëngjini, 45 mijë trupave në Elbasan nga Durrësi dhe rreth 10 mijë rekrutëve në Fier nga Vlora. Admirali Troubridge, gjithësesi duket se paralajmëoroi se ky port, duke qenë shumë afër me bazën armike në Kotorr, ishte i papërshtatshëm për evakuim masiv dhe të sigurtë të ushtarëve serbë. Thursby ia përcolli shqetësimet e Troubridge, Admiraliatit, ndonëse ai besonte se “padyshim që mund të bëhej në kohë”.

Që në datën 10 janar ai e “kuptoi” se aleatët kishin vendosur se Ushtria Serbe duhet të nisej sërish në marshim, kësaj radhe nga Shëngjini në portet relativisht të sigurta të Durrësit dhe Vlorës.

Planet ndryshohen në përditmëri, por që nga kapitullimi I Malit të Zi, planet për evakuiimin e ushtrisë serbe ishin më të qëndrueshme”, raportonte Thursby më 19 janar. Në të njëjtën ditë ai priste që avulloret do të evakuonin princin serb të Kurorës dhe qeverinë e tij, së bashku me një pjesë të qeverisë malazeze. Në mbrëmje, mbreti i Malit të Zi dhe admiral Troubridge pritej të transportoheshin. Tri anije spitalore, britanike, franceze dhe italiane ishin gati të evakuonin të sëmurët, të plagosurit, gratë dhe fëmijët nga Shëngjini në Durrës. Pas tyre, “kujtesa e ushtrisë serbe, rreth 140 mijë trupa, do të evakuohej nga Shëngjini në Durrës…”.  Rreth 10 mijë rekrutë ishin evakuuar sipas Thursby-t nga Vlora.

Ishulli i Korfuzit, i pushtuar nga francezët, ishte gati për pritjen e ushtrisë serbe. Dy mijë ushtarë serbë ishin dërguar tashmë aty. Pjesa kryesore e rreth 50 anijeve ndihmëse britanike, mbështetur nga dy destrojerë, po mbronin tashmë rrugën e transportit nga Vlora në Korfuz.

Më 19 janar, Thursby i dërgoi Admiraliatit një listë të mjeteve, shumica italiane, por edhe britanike dhe dy kryqëzorë francezë që kishin qenë në Shëngjin dhe Durrës që nga data 10 dhjetor, të cilat dërgonin dhe mbronin transportin e furnizimeve për serbët dhe I evakuonin ata nga Shqipëria. Sipas tij, nga 10 dhjetori deri më 18 janar, u shkarkuan 5 823 tonë furnizime dhe u evakuuan 6 283 pasagjerë. Nga data 25 janar, numri total i të evakuuarve ishte rreth 20 mijë ushtarë serbë, 24 mijë të burgosur austriakë dhe 6000 “të sëmurë, plagosur dhe refugjatë”.

Admiraliati britanik urdhëroi që “anijet spitalore britanike duhet të përdoreshin për evakuuimin e grave dhe fëmijëve, përjashtuar në rastet kur janë sëmurë” dhe se Thursby duhet të siguronte eprorët e tij se po vepronte në përputhje me këtë urdhër. Shkalla e evakuimit ishte vetëm 2000 persona në ditë, pasi të gjitha anijet ishin të angazhuara në tranportimin e furnizimeve jo vetëm për serbët në Shëngjin, Durrës dhe Vlorë, por gjithashtu edhe për trupat italiane në Durrës dhe Vlorë. Nga 20 janari, “një total prej 5100 njerëzish ishte çuar në Bizerta____”.

Nga 25 janari, aleatët kishin evakuuuar mbretin e Serbisë, mbretin dhe mbretëreshën e Malit të Zi, qeverinë serbe, një pjesë të qeverisë malazeze, diplomatët e huaj që ishin tërhequr bashkë me serbët, njësitë spitalore angleze të atashuara ushtrisë serbe, admiralin Troubridge dhe misioin e tij. Transportimet e fundit nga Shëngjini u bënë më 22-23 janar.

Ky port ishte tani në duart e asutriakëve dhe Thursby paralajmëronte se Durrësi mund të ishte në radhë. Në të njëjtën kohë, trupat serbe po marshonin nga Shëngjini në Durrës dhe Vlorë. Më 22-23 janar, anijet “Regina Elena” dhe “Cordova” arritën të evakuojnë 4087 ushtarë serbë nga Vlora dhe më 23 janar, katër avullore të vogla transportuan 2 300 të tjerë. Thursby raportonte se shumica e trupave serbe që u imbarkuan në 15 anije italiane dhe franceze në Durrës do të transportoheshin fillimisht në Vlorë, kurse pjesa tjetër drejt Korfuzit.

Nga Vlora në Korfuz trupat serbe do të evakuoheshin nga 13 anije italiane dhe franceze. Më 1 shkurt, Thursby vërente se evakuiimi nga Durrësi ishte përshpejtur në mënyrë të konsiderueshme. Trafiku drejt dhe nga Durrësi në Vlorë ishte “tani praktikisht i vazhdueshëm”. Brenda shtatë ditëve, nga 25 deri më 31 janar, u transportuan 23 450 trupa serbe nga Durrësi në Vlorë me 12 avullore të vogla. 1500 ushtarë të tjerë ishin evakuuar nga Durrësi drejtpërdrejt në Korfuz. Nëntë anije të mëdha kishin evakuuar tashmë 31 187 ushtarë serbë nga Vlora në Korfuz.

Siguria e transportit varej nga flotat e aleatëve. Nëndetëset britanike, franceze dhe italiane e ndanin bregdetin nga Dubrovniku drejt jugut në zona respektive të përgjegjësisë. Pesë kryqëzorë britanik dhe tre kryqëzorë francezë, 16 destrojerë italianë dhe 9 destrojerë francezë shoqëronin anijet transportuese të serbëve dhe me raste bënin spastrime në very duke ndjekur nëndetëset dhe anijet armike. Flota e 77 anijeve ndihmëse britanike mbronte rrugën nga Vlora në Korfuz kundër çdo nëndetëseje.

Megjithatë operacioni i evakuiimit solli humbje serioze. Më 2 shkurt, avullorja franceze “Jean Bart” që transportonte serbë nga Durrësi në Vlorë, takoi në një minë apo u godit me silurë dhe si pasojë arritën të shpëtojnë vetëm pesë njerëz. Në të njëjtën ditë, dy aeroplanë sulmuan Vlorën duke vrarë rreth 20 ushtarë serbë dhe italianë dhe disa marinarë.

Dy ditë më vonë, avullorja italiane “Assiria” në bordin e së cilës ishin serbë nga Durrësi që po evakuoheshin drejt Vlorës u godit nga një silurë nëndetëseje, e cila megjithatë nuk shpërtheu. Sipas Thursby-t, në të njëjtën ditë, 4 shkurt, trupat serbe prapësuan një sulm të rreth 8000 austriakëve në lumin Ishëm, në veri të Durrësit, duke u shkaktuar humbje të rënda dhe duke kapur disa robër. Sipas burimeve serbe kjo betejë ndodhi një ditë më parë, pra më 3 shkurt. Një pjesë e Ushtrisë Serbe ishte ende në gjendje luftarake, qartësisht e aftë të mbronte veten dhe fitonte beteja.

Më 8 shkurt, Thursby raportonte se që nga 1 shkurti, ishin evakuuar nga Durrësi në Vlorë dhe Korfuz 51 256 ushtarë serbë. 28 793 ishin transportuar nga Durrësiu në Vlorë, 8 121 nga Durrësi direkt në Korfuz dhe 43 185 nga Vlora në Korfuz. Sipas tij, evakuiimi nga Durrësi do të përfundonte më 9 shkurt dhe pjesa e mbetur e trupave serbe do të transportohej nga Vlora javën pasuese. Në vlerësimin e tij, numri i përgjithshëm i ushtarëve serbë në Korfuz, pa të plagosurit, të sëmurët, refugjatët, gratë dhe fëmijët, duhet të ishte rreth 130 mijë.

Në raportin e tij të datës 16 shkurt, Thursby i përditësoi këto të dhëna. Nga 9 shkurti në 16 shkurti, nga bregu shqiptar ishin evakuuar 25 942 trupa serbe. Të gjithë ishin transportuar nga Vlora pasi evakuiimi nga Durrësi kishte përfunduar më 9 shkurt, me transportimin e 2500 ushtarëve të fundit direkt në Korfuz.

Bashkë me numrat e raportuar më parë, totali i serbëve që u evakuuan në Korfuz deri më 16 shkurt ishte 119 483.

Janë ende diku mes 15 000 – 20 000 serbë të tjerë shtuar kavalerisë dhe kuajve që duhet evakuuar nga Vlora”, shkruante Thursby.

Një numër më i saktë i trupave serbe në Shqipëri që prisnin ende të evakuoheshin jepej në një dokument të Shërbimit Inteligjent, bashkëngjitur raportit të Thursby-t: 7 685 në Vlorë dhe 29 mijënë Vjosë, në rrugën për në Vlorë, me 18 mijë kuaj”.

Më 23 shkurt Thursby raportonte se evakuiimi ishte përfunduar me përjashtim të kuajve dhe kavalerisë. Sipas tij, numri total i serbëve të transportuar në Korfuz ishte 130 mijë. Dokumenti i General Intelligence i së njëjtës datë jep një vlerësim se 10 000 trupa dhe 16 000 kuaj duheshin evakuuar në Korfuz.

Duke shkruar më 29 shkurt për mbylljen e operacionit të evakuiimit të trupave serbe dhe refugjatëve, Thursby nënvizonte “rolin thelbësor në të të kryqëzorëve britanikë dhe anijeve ndihmëse”. Sipas tij, kryqëzorët britanikë të klasit “Town” ishin të vetmet anije aleate të afta që të përballonin kryqëzorët më të mirë të armikut dhe që shpesh i kishin kthyer ata pas në bazën e tyre në Kotorr. Anijet ndihmëse kishin kufizuar sulmet e nëndetëseve dhe kishin “shpëtuar shumë jetë nga anijet që kishin rënë në mina, apo ishin goditur me silurë”. Që nga tetori I vitit 2015, gjashtë anije të tilla ishin humbur gjatë shërbimit.

Nuk mundet të ketë dot një vlerësim të mjaftueshëm për ta”, përfundonte Thursby.

Shënim: Materiali i mësipërm, një formë eseje e shkurtër që më shumë rendit informacionin e hulumtuar në arkivën e Admiraliatit britanik sesa nxjerr ndonjë përfundim, është në vetvete një mundësi për të kuptuar diçka më shumë nga Shqipëria e atyre viteve. Një Shqipëri të cilën e njohim shumë pak, shumë turbullt, përmes klisheve të kaosit të luftës dhe kthimit të vendit në shesh beteje, të gjitha këto terma të thjeshtuar dhe ç’interesues për një periudhë shumë të rëndësishme. Kalimi dhe qëndrimi i serbëve në Shqipëri duhet studiuar qoftë edhe për të vlerësuar raportin me vendasit, pasi siç shihet, materialet dokumentare asqë i përmendin shqiptarët në këtë histori. E me siguri që një rol e kanë patur, pavarësisht se në cilin krah u rreshtuan. Pa rol shqiptarët për fat të keq i lë historiografia e Shqipërisë, që ka sevdatë e veta tradicionale dhe jo detyra për të përmbushur.

Burimi: Balcanica.rs

Përkthimi me shkurtime: ResPublica

Ndalohet riprodhimi nga mediat e tjera!

*Titulli origjinal:  Skuadroni Britanik i Adriatikut dhe Evakuiimi i Serbëve nga Bregdeti Shqiptar 1915–1916

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.