Vikingët, saga e Ragnarit që donte të shihte në Perëndim

Postuar në 07 Shkurt, 2020 19:57

Seriali “Vikingët” është duke mbyllur sezonin e gjashtë të tijin. Për atqë nuk e ka parë, seriali merr shkas nga saga norvegjeze e Ragnar Lothbrok dhe djemve të tij, një figurë gjysmë mitike e shekullit të 9-të që hyn në historinë e Europës për sulmet e tij ndaj disa vendeve përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën.

E vërteta rreth këtij njeriu është e paqartë, versioni më i pranueshëm është që ai ishte një mbret lokal mes vikingëve të Norvegjisë për të zgjeruar mandej famën e vet përmes ekspeditave ushtarake. Sagat janë të shekullit të 13-të dhe ato kanë legjenduar një episod të famshëm vikingësh. Duhet thënë se seriali i tanishëm, pra i gjashti është në një pikëpamje më i organizuari në planin kinematografik sepse ka më shumë skena masive. Por edhe sepse personazhet e tij, që janë kryesisht fëmijët e Ragnarit, Ube, Ivari pa kocka, Bjorn i Hekurti, Hvitserk si dhe gruaja e parë Lagertha, paraqiten më kompleksë.

Ngjarjet rrëfejnë një zhvillim historik që nis me ekspeditat drejt perëndimit, mveshur një fermeri, Ragnar Lothbrok, që mandej fiton famë dhe kthen qendrën e tij Kategat, në plazdarm për zbarkime dhe mësymje drejt Francës. Trashëgimia e Ragnarit favorizon, por edhe përndjek fëmijët e tij, të gjithë me prirje ushtarake, por edhe të aftë të mendojnë me kokë. Intrigat karakteristike të çdo pushteti paraqiten të gërshetuara me natyrën e dhunshme të shoqërisë vikinge, një lloj liberalizmi në raport me femrën, me besimin dhe zakonet fetare të tyre duke dhënë premisat e një dyndjeje.

Një nga cilësitë e dy sezoneve të para është figura e Lothbrok, luajtur nga Travis Fimmel. I guximshëm, i vendosur, njeri me ide dhe që di të krijojë një axhendë personale, i pavarur, por asnjëherë i nxituar në vendimmarrje, Ragnari, i mishëruar nga Fimmel është figura dominuese e këtij seriali. Është ai që u jep kubenë të gjithë narrativës. 

Fimmel ka arritur të japë një figurë shumë komplekse, që nuk gaboi asnjëherë me femrat – cilësi shumë e veçantë kjo te njerëzit me pushtet – që e donte të renë, që dinte të dëgjonte, vëzhgonte dhe vepronte kur duhej. Por edhe të tërhiqej dhe falte. Kundërfigura e Ragnarit paradoksalisht është u vëllai, Rolo, një personazh historik që ka rol thelbësor në historinë e normanëve. Ragnari vdes në film njësoj si përshkruhet në saga, në një gropë gjarpërinjsh përgatitur nga mbreti u Northumbrias në Britani, por vepra e tij krijon idenë se kishte nisur krijimin e një ndërgjegjeje vikinge dhe unifikimin e tyre.

 Asnjë prej aktorëve që pasojnë, as e shoqja Lagertha, as fëmijët e tij nuk kanë këtë ndikim në film. Fimmel ushtron një tirani të vetën që duket se prek në çdo episod, ai ngjan si një Viking i një brezi të vjetër që ushtron te bashkëkohësit joshjen e një miti.

Një rol i arrirë.

Sezoni 6 të rizgjon interesin përmes figurës së djalit invalid të Ragnarit, Ivarit, një personazh shumë kompleks, sanguin, tiranik dhe hakmarrës, por i panxituar në vendime.

Episodi 10 përshkruan mësymjen ruse në Skandinavi, udhëhequr nga Princi Oleg i Novgorodit me këshillën e Ivarit dhe Hvitserkut. Ivari është një individ që di të kapë pushtetin në çdo rrethanë. Edhe pse "mik" oborri i Olegut, një karakter i paparashikueshëm dhe gati psikopatik, ai komploton për rrëzimin e tij, ndërkohë që e ndihmon të marrë Skandinavinë për të rimarrë fronin që ia hoqi i vëllai, Bjorn.

 Nëse ka një figurë që paralelizon me Ragnarin, ky padyshim është Ivari, i aftë të ketë axhendë komplekse, ta përshtasë atë me rrethanat dhe ta menaxhojë.  Në planin grafik dhe atë muzikor sezoni 6 ka arritje. Në episodin 10, autorët e paraqesin zbarkimin rus në imitim skenografik të zbarkimit të Normandisë duke vënë në veprim mjete amfibe dhe planet nga sipër që japin idenë e një sulmi masiv.

 Sezoni përshkruan dramat familjare të personazheve, disa prej të cilëve shndërohen tanimë nga ushtarakë në pelegrinë dhe bëjnë kapërcim sentimental duke evoluar përmes dhimbjes personale drejt një maturimi të pashmangshëm.

Autorët kanë vënë në veprim edhe element etnikë apo etnologjikë si veshjet, prerjen e flokëve, muzikën që është shumë e gjetur dhe mënyrën e jetesës. Magjistarët, priftërinjtë, të paligjshmit, fatthënësit, sakrificat njerëzore janë aty për të dhënë një botë të tërë që la shenjë në mesjetën europiane. 

Në ndryshim nga një sagë e imagjinuar si Game of Thrones, Vikingët është më I parashikueshëm dhe vepron në një plan racional. Por këtu qëndron edhe vlera e tij, te historia e letrarizuar duke dhënë figura që pas imazhit të egërsisë kanë të njëjtat dilema njerëzore para të cilave latohet përherë shoqëria.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.