“Shqiptarët e Madhërishëm”, telenovela që nuk mbaron

Postuar në 07 Shkurt, 2020 11:14

Kush e mendonte se Alketa Vejsiu na do kaq shumë! D.m.th të rastis ta shohësh në televizionet shqiptare që flet e moderon, por asnjëherë nuk dëgjon ndonjë deklaratë dashurie për kombësinë. E sheh si një person që ka një karrierë në një fushë të caktuar dhe asgjë më tej. 

Dje zonja Vejsiu na përqafoi nga larg të gjithëve ne që kemi një pasaportë shqiptare. Në Sanremo, ku ishte një nga prezantueset e këtij aktiviteti, ajo tha se i do shumë të gjithë shqiptarët. Mundet të jetë edhe kështu, nuk përjashtohet. Por çfarë vlere ka kjo për festivalin dhe çfarë domethënie ka që nga një podium i njohur, dikush që ka shansin të marrë një rol të dalë e të flasë në emër dhe për kombësinë? 

Kjo histeri kapi rrjetin, siç thonë tani apo edhe një pjesë të shqiptarëve edhe kur në Sanremo këndoi para ca vitesh Ermal Meta. Qysh fëmijë në Itali, Meta doli në finale dhe këndoi duke arritur një sukses. Menjëherë ai u shpall shqiptari më i dashur, njësoj si një tjetër këngëtare, Elhaida Dani që këndoi me Cocciante. 

Koha kalon pas këtyre datave “të shënuara” festive dhe asgjë nuk mbetet. Këngëtarët vazhdojnë karrierën e tyre dhe teksa kuptojnë se në këtë zanat publiciteti vlen, nuk e kanë problem që të pranojnë përkëdhelitë nga Shqipëria. 

Këtu problemi është i yni dhe komplekseve që nuk na shqiten. I mediave që as dallojnë dhe as duan të dallojnë mes suksesit personal dhe kontributit për kulturën shqiptare. Mjafton që kushdo që ka një arritje diku, që del në ndonjë titull dhe menjëherë atij i ngrihet kurthi i shpalljes Hero. 

Në rastin e zonjës Vejsiu kemi edhe vanitetin e vetë protagonistes që vetëmarketohet, por edhe rivalizon në distancë me ata që në fushën e saj nuk e duan. Po çfarë përfaqëson kjo për Shqipërinë? 

Pse askush nuk përcjell polemikat për mënyrën sesi po degradon Sanremo dhe sesa trashë kryhen operacione mediatike në aktivitete kombëtare ku të huajt luajnë partiturën e një politike sipërfaqësore të multikulturalizmit dhe integrimit?

Diku në një media, zonja Vejsiu shprehej se Rai ka qenë një dritare lirie për shqiptarët. Sigurisht që dikush e ka mësua, apo diku e ka dëgjuar një shprehje të tillë, pasi mosha e saj nuk të thotë gjë për këtë “leksion të vyer” të jetës. Do të mjaftonte kaq gjë, shfaqja klishe, vetëkurdisja para publikut, që zonjën në fjalë të mos konsiderohej në këtë formë, por për atë që është. Thjesht një person i suksesshëm në jetën e saj profesionale. Por jo një përfaqësuese e Shqipërisë. 

Kjo sjellje është një refleks i kompleksit të thellë të inferioritetit të elitës shqiptare ndaj Perëndimit, në skenën e të cilit ajo synon të aderojë si e barabartë. Dhe konsideron barazi këtë begenisjen përçmuese që i bëhet edhe një shërbyesi. Media këtu thjesht sa riprodhon qoftë këtë shtresëzim të vjetër që e bën shqiptarinë të artikulohet si një lloj nënkulture e periferisë, ashtu edhe injorancën e vet tanimë të pakonkurueshme. Është një kllapi e dyfishtë e një të sëmuri terminal që ka si amanet stolisjen bukur, që kërkon vëmendjen edhe në vdekjen e vet. 

Ndërkohë që rilindja, jo ajo e shpërdoruar, por ajo që vjen nga aktiviteti dhe krijimi që po e ridimensionon identitetin tonë, është gjetkë. Është aty ku kriza e vlerave refuzohet dhe luftohet. Dhe një formë e luftës është edhe çlirimi nga komplekset, kuptimi më i mirë dhe i drejtë i asaj që është realisht vlerë për shoqërinë në raport me arritjet personale si dhe shkëputja përfundimtare nga atavizmat e një brezi të fundit të regjimit komunist që e pa të ardhmen dhe realizimin e vet tek imitimi. Këtë po e vuajmë sot e kësaj dite dhe me pasoja të rënda. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.