Një takim në dritën e ndryshimit të politikës së SHBA ndaj muxhahedinëve të MEK

Postuar në 06 Shkurt, 2020 12:51

Dje kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftonte takimin e tij me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, përmbajtjen e të cilit e përshkruante kështu:

Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë - Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Nga ana e vet ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka bërë këtë njoftim:

Sekretari i Shtetit Michael R. Pompeo u takua me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dje në Uashingon. Sekretari Pompeo dhe Kryeministri Rama diskutuan mbi prioritetet e përbashkëta gjatë kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nga Shqipëria. Sekretari nënvizoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe përpjekjet e vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Sekretari gjithashtu përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për të ndarë barrën e detyrimeve në NATO, për luftën ndaj aktivitetit keqdashës të Iranit dhe për marrjen përsipër të një roli udhëheqës rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimeve të së ardhmes

Është e dukshme se të dyja burimet shesin prioritete të ndryshme. Zoti Rama ka deklaruar se gdhihet e ngryset me Rindërtimin në mendje, ndaj edhe e vendos atë si çështje të parë. Mirëpo është pak e paqartë se si një ministër i Jashtëm si Pompeo të ketë në vëmendje një proces që pak ka të bëjë me prioritetet e punës së vet. Po kështu është jashtë çdo dyshimi se ftesa për takimin në SHBA të jetë pa protokollin e agjendës, e cila nuk ka asnjë diskutim se nuk konsideron ridnërtimin në plan të parë.

Për këtë arsye njoftimi i ambasadës ka më shumë besueshmëri dhe është tashmë e pritshme që presienca shqiptare e OSBE-së të jetë asgjë më shumë sesa një zgjatim i politikës së SHBA. Dhe në fakt nuk ka arsye pse të mos jetë kështu, qoftë për shkak të aftësive të politikës sonë, qoftë për faktin se SHBA kanë rol në marrjen e Shqipërisë të këtij pozicioni. Do të duhet të presim pra një politikë të jashtme shqiptare më agresive ndoshta në përputhje me ambiciet e SHBA, të cilat siç e do zakoni në Shqipëri do të shiten si qëndrime të forta të një lideri me vizion.

Nga ana tjetër bie në sy renditja nga fundi që ambasada i bën problemeve me Iranin. Kjo ka në një arsye tjetër që ndoshta shpjegon edhe një nga psetë e kësaj vizite. 

Më 7 janar të këtij viti, Bloomberg raportonte se Mike Pompeo kishte miratuar një memo përmes së cilës urdhëronte diplomatët amerikanë të shmangin takime me grupe opozitare iraniane. Kjo urdhëresë vinte 4 ditë pasi SHBA vrau kreun e forcave Kuds të Iranit, Qassem Soleimani që mesa duket presupozohej të sillte një negociatë direkte nga Teherani zyrtar. Në këtë memo, Departamenti i Shtetit e cilësonte kontaktin me grupe të tilla si kundërproduktive në arritjen një marrëveshjeje me Iranin, marrëveshje e cila përkufizohet si Përfshirëse dhe synim i politikës amerikane.

Mirëpo ky vendim hasi në kundërshtimin e disa njerëzve me pushtet pranë Trump të cilët lobuan për prapësimin e saj vetëm një javë më vonë. The Daily Beast shkrunte më 13 janar se DASh ka ndryshuar tonin duke urdhëruar që diplomatët të vazhdojnë të marrin kontakte me grupet iraniane si më parë. Ky vendim duket se është lobuar nga Rudy Giuliani, avokat i Trump, John Bolton, ish-këshilltar i tij për Sigurinë, ndërkohë që sipas kësaj medieje këta të dy janë paguar nga MEK. Vetë Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper qëndrojnë kundër kësaj linje duke synuar që pas vrasjes së Soleimanit të mundësohet një negociatë me Iranin, që është e pamundur nëse vijon politika e mbështetjes së grupeve opozitare.

E gjithë kjo lëvizje dhe dilemë në politikën e jashtme amerikane prek direkt Shqipërinë që është shtëpia e dytë e muxhahedinëve të MEK. Jo vetëm për aspektin e sigurisë, duke qenë se ka lejuar njohje në terren dhe lidhje për në grup të huaj shumë të madh njerëzish që organizohen si sekt, por edhe sepse në fund të fundit, përveç një mbështetjeje deklarative, nuk ka marrë asgjë.

Njerëz të administratës Obama  si Jarret Blanc shprehen kundër kontakteve me MEK për të shmangur “gabimet e luftës në Irak”.

Vetë SHBA është e paqartë për vijimin ose jo të mbështetjes ndaj MEK që sot qëndrojnë në Shqipëri. Ndaj kjo temë nuk ka sesi të përjashtohet nga takimi i djeshëm i shitur si diskutim për rindërtimin dhe shengenin ballkanik. Në fund të fundit me rënien e vlerës së organizatës iraniane bie edhe vlera e bazës logjistike të tyre në Shqipëri duke hequr kështu një mjet hipokrit në luftën e brendshme politike që një njeri i vetëm përdor për t’i hedhur hi syve një shoqërie të tërë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.