Velianllëku i kryeqytetit

Postuar në 05 Shkurt, 2020 15:05

Në Itali, afrikanët që shesin rrugëve thirren “I vu cumpra”. Një mënyrë komike, ironike për italishet e afrikanëve, nisur nga artikulimi i fjalisë: “Vuoi comprare”? Të gjithë në të zezë, pra informalë më saktë, i sheh plazheve me mbulesa, kuverta, objekte tradicionale, të veshur sipas vendeve nga vijnë. Dhe askush nuk i ngacmon. Në Itali qarkullojnë fjalë se kjo është një ekonomi e kishës që i mbron ata. Ose versione të tjera. Patjetër që dikush i toleron, por në të vërtetë askush nuk ankohet. Dhe kemi parasysh se qytetet italiane, por edhe qytezat dhe fshatrat madje janë në shumicë hapësira urbane me trashëgimi të madhe historike.

Vlen ky parashtrim kur sheh një foto ku policë bashkiakë në Tiranë duket se ndalojnë një muzikant rruge. Nuk dihet se çfarë thonë e çfarë bëjnë. Ndoshta po shijojnë muzikën, por sipas lajmit në mediat sociale ata i kërkojnë zotërisë të largohet sepse kryen aktivitet të paliçencuar. Parimisht është e drejtë që çdo aktivitet duhet ligjëruar. Mirëpo qyteti ka disa pulsime që nuk para përputhen me këtë hiperkorrektesën e një kryebashkiaku që ka mani burokracinë. Dhe këtu dallon politikani nga administratori.

Qyteti nuk është vetëm një hapësirë e rregulluar. Është edhe një kujtesë kolektive, nostalgji, është jetë që nuk pushon. Dhe jeta nuk mund të përkufizohet me rregullore. Jeta nuk kuptohet pa luhatjet shpirtërore, pa kundërshtimin, pa një lloj lirie të cilën kryebashkiaku që ngjan se do të ishte një subjekt i realizuar për Fritz Lang.

Ku ta gjesh që dikush të ketë dëshirë të luajë muzikë rrugës në një vend ku nuk ka mbetur asgjë për t’u pëlqyer më, ku rrugët po rrethohen me beton, sheshet po fshihen me gomën e Lalit dhe Edit, për t’u rimodeluar pa kuptuar se palimpsesti i domosdoshëm i qytetit po kthehet në fletore të bardhë diktimi. Është gjë e mirë që ka ende nga ata që funksionojnë sipas të shkuarës në një qytet që po e shkatërron mozaikun e vet shpirtëror, ku i vetmi diskutim i nxehtë kafeneve dhe shtëpive është ai për një prokurë, një dëshmi trashëgime, ca toka e prona, një gjyq dhe një liçencë. Ndoshta ky që drejton bashkinë sot nuk e kupton rëndësinë e kolonës zanore të së shkuarës që jehon e mekur me fytyrën e informalitetit në një qytet të shpërfytyruar dhe që po riimagjinohet si sallë leximi biblioteke.

Qetësi! Ulu aty! Pusho! Ndalo! Orari, rreshti, kolona, karrigia…Shshsht!

Është një hapësirë që megjithë luksin e kullave dhe paranë e shpenzuar për të Ardhmen, duket sikur reflekton ngushtësinë, cinizmin dhe paaftësinë për të jetuar në liri të brendshme të atyre që kanë kapur karriget dhe po na afirmohen sesa të sëmurë janë. Askush nuk mund të dëshirojë dhe miratojë një vizion që sterilizon qytetin nga jeta e vet në emër të gjoja një ndryshimi, e që në fakt është plan biznesi. Sepse muzika e brendshme e këtyre që drejtojnë ka vetëm një akord: ndjesinë e të qenit padronët e këtij qyteti dhe përçmimin për çdokënd që nuk duartroket kotësitë e shtrenjta të tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.