Problemi numër 1

Postuar në 05 Shkurt, 2020 21:10

Kryeministri ka deklaruar sot se analistët që dalin përnatë televizioneve janë avokatë të krimit. Mediumi prej nga ku z. Rama ka replikuar është Facebook dhe formati është ai i trios së preferuar të tij polifonike. 

Një qytetar çfarëdo ia ka hedhur muhabetin, kryeministri e ka pritur me këto fjalë: 

Eh, kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet tv sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë. Njerëz janë njerëz, po janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë!
Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lënë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor.
Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet tv për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre, të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua, me PS e me çdo fitore elektorale të PS

 

Sigurisht që ison e kanë mbajtur menjëherë mediat e pushtetit.

Zoti Rama përsërit këtu improvizimin e betejave të veta me median të cilën kërkon ta izolojë nga audienca e tij dhe manipulimi i saj. Përndryshe në shfaqje të kësaj natyre nuk ka ndonjë gjë racionale veë dredhisë së tij prej prestigjatori që kërkon të mbajë monopolin e një spektakli të suksesshëm. 
Përtej këtij aspekti ne mund të gjejmë shumë elementë inkoherentë, por kjo është gjëja e fundit që kryeministrit i intereson.

Ai ka programuar në kokë një ide, ka ndërtuar skenarin e zakonshëm dhe tani po e shfaq në të njëjtën kohë me xhirimin duke mos duruar asnjë kritikë. Nga kjo pozitë do kuptuar padurimi i tij artificial me mediat. 

Pasi po të gjykohet ftohtë, z. Rama do të duhet të linte “mediat pa tekst”, siç i thonë një fjale me vepra konkrete.  Pak ditë më parë shpalli emergjencën e krimit, sot nuk duron kritikë për këtë çështje.
Parlamenti shqiptar ka regjistruar me z. Rama një histori të turpshme dhe poshtëruese me persona të inkriminuar. Sot kryeministri ngre gishtin e akuzës ndaj atyre që kanë lidhur krimin me partinë dhe qeverinë e tij. 
Është i njëjti njeri që kur e kritikonin për burgosjen e atyre që kishin lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, akuzonte se po mbrohej paligjshmëria. Dhunoi biznesin të pajisej me kasa fiskale, me të drejtë, më pas ndryshon të gjithë sistemin e tyre!!!
Kur e akuzonin se po kanabizohej vendi, kundërsulmonte duke deklaruar se ka një kulturë inkriminimi të vendit. 
Në mënyrën e tij kryeministri ka mbrojtur çdo shkelje dhe strukturë asociuar me të, duke shtrydhur deri në fund mundësitë që jep një opozitë e diskredituar. Por edhe duke diskredituar me qëllim çdo opsion ligjor për ndërhyrje. Në mënyrë të vazhdueshme shpallen aksione sulmi ndaj atyre kategorive për të cilat media flet dhe opozita akuzon, pas të cilave asgjë nuk ndodh, veçse kauzat ezaurohen pa rezultat me Shqipërinë që është spektatore dhe qytetarët që i dorëzohen pamundësisë për të prekur qoftë edhe një ndryshim real. 
Është e vështirë të marrësh seriozisht dhe të ndjekësh kuptimin e qëndrimeve të një njeriu të tillë që është spontan dhe nuk ka ndonjë axhendë që lidhet me shtetin. Që është tërësisht peng i tekave dhe frikës që ka. 

P.sh para disa ditësh ai u lut që opozita të denoncojë me zë të lartë abuzimet me procesin e rindërtimit, por nuk duron kur i zënë në gojë gabime të njerëzve të vet. Sido që ta rrotullosh kryeministri thjesht nuk e duron dhe e shmang kërkesën reale të llogarisë duke përpunuar në mënyrë tinzare idenë se vota është llogaridhënia më e mirë. 

Me hiletë e këtij pushteti mediat e Shqipërisë kanë ymër edhe dy shekuj, e tillë është situata e vendit. Por të gjithë duhet të përqendrohemi te pyetja: Kush është përgjegjës për emergjencën e krimit? Kush e solli vendin në këtë pikë? Pse nuk është vepruar në mënyrë sistematike ndaj krimit? 

Janë pyetje të cilave z. Rama do t’u dredhojë nëse nuk arrin t’u shmanget. Do të kërkojë të manipulojë, në vend se të kërkojë ndjesë. Do të punojë për sondazhet, jo për rendin në Shqipëri. Sepse synimet e tij nuk kanë asgjë të përbashkt me idenë e shtetit, por madje as të normalitetit. Dhe duke cenuar këto të dyja, ose duke mos u përafruar sadopak, në të vërtet kjo qeveri dhe ky kryeministër janë kthyer në pjesë të problemit. Në mos vetë problemi të cilin mundohet ta mbulojë me ndarjen fiktive populli dhe ia në njërën anë, mediat dhe opozita e diskredituar në anën tjetër. Është një ndarje që nuk ka për të funksionuar sepse të gjithë ne jemi përherë e më të varfër dhe të pambrojtur ndaj qeverisë, ministrave, drejtorëve, atyre që nxjerrin apo jo bojën, kryebashkiakëve. Dhe kjo ndarje prevalon. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.