Karamelja e poligrafit...

Postuar në 04 Shkurt, 2020 14:31

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dhënë sot një teatër të vockël personal kur deklaroi se poligrafi do të përdoret edhe në rekrutimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjatë ceremonisë së certifikimit të pesë ekspertëve të poligrafit, ministri ndër të tjera tha:

Poligrafi i njohur në botë, por jo në Shqipëri. Kjo është një ditë historike, është një instrument i ri objektiv që ndihmon jo vetëm në finalizimin e hapave të reformës në drejtësi, por nuk do të përdoret vetëm për SPAK-un, por për të gjitha rekrutimet e reja në polici, SHÇBA-së dhe institucionet e sigurisë publike, do të doja ta nisja nga vetja ime. SHÇBA-ja do të bëjë testimet, do të jetë në lartësinë e detyrës me profesionalizëm dhe paanshmëri

Kjo qasje në dukje naive ndaj teknologjisë është në thelb edhe një mënyrë për të krijuar alibinë e duhur nesër. Kemi dëgjuar kryeministrin që thotë shpesh se mësuesit zgjidhen nga portali dhe me këtë mbull çdo kundërshti sipas tij duke nënkuptuar se portal nuk ka korrupsion. Kjo është fare e papranueshme në nivel politikbërjeje dhe raporti me qytetarët. Po kur një bankë padashje të kalon në llogari 1 milionë dollarë, si duhet vepruar, apo duhet lënë personi ta gëzojë sepse kështu gjeneroi vendimin softit në sistem?

Edhe njëherë, në emër të propagandës, por mesa duket edhe për shka të vetëdijes së qeverisë për rënien e besimit ndaj seriozitetit të saj në zbatimin e ligjti, përfaqësues të saj absolutizojnë vlerën e një instrumenti. Dhe poligrafi hyn ndër ato instrumente mbi të cilat nuk ka mendim të dakordësuar. Shoqata e Psikologëve Amerikanë, teksa sqaron përdorimin dhe përhapjen e poligrafit nënvizon ndër të tjera se:

Një problem me poligrafin është i natyrës teorike: nuk ka asnjë evidencë apo model se reagimet psikologjike janë unike ndaj mashtrimit. Një person i ndershëm mund të jetë nervoz kur përgjigjet në mënyrë të sinqertë dhe një i pandershëm mund të jetë i qetë

Më poshtë ajo nënvizon se në SHBA Gjykata Supreme e ka refuzuar vlerën e poligrafit me një vendim të vitit 1998, duke kushtëzuar kështu përdorimin e tij në procese jashtëgjyqësore si p.sh filtrimi i personelit.

Për tani, ndonëse ideja e një gjurmuesi të së vërtetës mund të jetë komode, këshilla më praktike është që të mbahet skepticizmi për çdo konkluzion që rrjedh nga një poligraf

vlerëson shoqata.

Është e udhës që për metoda të reja të keët dhe debat përveçse fanfare dhe shfaqje fare patetike si këto të ministrit. E kuptojmë që qeveria ka përditë e më shumë nevojën që një gënjeshtër e saj të ngjisë të paktën njëherë, por mençuria e kërkon që jo vetëm të lexosh fjalë të mençura, por edhe të përpiqesh të fitosh ndonjëherë me argumente.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.