Organizata e Bashkëpunimit Islamik refuzon Planin e Trump për Palestinën

Postuar në 03 Shkurt, 2020 13:17

Organizata e Bashkëpunimit Islamik ka vendosur refuzimin e planit të paqes të presidentit amerikan, Donald Trump për konfliktin izraelito-palestinez. Organizata, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ka zhvilluar një takim në Jeddah, prej nga ku ka dalë me një deklaratë të posaçme, përmes së cilës u bën thirrje shteteve anëtare që të mos angazhohen me këtë plan apo të bashkëpunojnë me administratën amerikane në zbatimin e tij në ndonjë formë.

Takimi u kërkua nga lidershipi palestinez dhe ai u zhvillua dy ditë pasi Liga Arabe e hodhi poshtë planin e Trump duke konsideruar se nuk takon as minimumin e të drejtave dhe aspiratave palestineze. Ky qëndrim duket se përfshin edhe Shqipërinë, përderisa nuk ka raportime nëse ka patur një mendim kundër apo jo në samit. 

Është rasti i dytë që Shqipërisë i komplikohet situata e raporteve me SHBA pas rezolutës turke për Jeruzalemin dy vjet më parë. Në atë kohë Tirana zyrtare mbajti anën e Turqisë, por më vonë Shqipëria mori pjesë në hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem. Deri më sot nuk ka një qëndrim zyrtar për çështjen e planit të Trump nga qeveria shqiptare dhe është një zakon i vjetër ky i heshtjes mbi tema delikate mbi të cilat Shqipëria e gjen veten në pozicione paradoksale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.