Qyfyret e luftës si opsion komod për rehabilitim

Postuar në 02 Shkurt, 2020 23:46

Auron Tare sjell te gazeta “Dita” kujtimet e Kadri Cakranit, ish-drejtues ushtarak i Ballit Kombëtar. Nuk është hera e parë. Tare, i diplomuar në histori, rend pas sensacionit dhe pak më herët ka premtuar botimin e kujtimeve të Cakranit të cilat i konsideron kontribut të çmuar në leximin e së vërtetës së luftës në Shqipëri. 

Episodi i zgjedhur nga gazeta sot ishte mirëfilli sensacional. Një fragment i shkëputur nga një darkë e Cakranit me Ali Këlcyrën dhe Bahri Omarin, kunatin e Enver Hoxhës. 

Krijon përshtyjen e një ndodhie sarhoshësh që e kanë në terezi dhe shtyjnë orët duke ngrënë e duke pirë. Omari tregon qyfyre me bëmat e Enver Hoxhës duke nisur që nga fëmijëria, në lice, pastaj në Francë e deri sa erdhi komunizma si modë. 

Omari e përshkruan Hoxhën si një biçim aventurieri që ka fat, një njeri që rend pas fitimit dhe nuk është as komunist e asgjë veç oportunist. E tall dhe e vë në lojë sa mundet, zgërdhihet bashkë me Ali Këlcyrën me ndodhitë e tij deri sa darka mbaron e të tre çohen. 

Për një çast të duket sikur ke përballë tre dallkaukë të dalë nga filmat e Kinostudios e ku për etikë mungon vetëm ndonjë pordhë beu sa për t’i vënë kapak kësaj pune dhe për të na mbushur mendjen se kush ka qenë Zot asokohe në këto anë. 

Hoxha mund të ishte gjithçka siç thotë Omari, ose që thotë Cakrani se thotë Omari. Mundet të kishte edhe fat, por ama një aftësi e dëshmoi dhe mirë madje: strukturimin e pushtetit. 

Historiografia shqiptare e ka parë pushtetin e tij si rezultat i ligjësive objektive që veprojnë në përballje krizash, si dominim të qartësisë dhe organizimit mbi spontanitetin dhe arkaizmin e krahut të djathtë. Cakrani na jep këtu tjetër pamje. Lufta ishte serioze vetëm në librat që lexuam ne më pas. Pasi në të vërtetë sipas kujtimeve të tij, atëherë bëhej gallatë e madhe. Pak a shumë si tani ku kryeministri është më i talluri, por edhe më i pushtetshmi. Çfarë emri t’i vësh kësaj?

Këta ishin elita që shkonin jetën me mëmëdhenë në mendje? Ndoshta. Ndoshta humori është formë imunitare, por nëse këto pasazhe kanë ndonjë gjë të vërtetë, atëherë natyrshëm të vjen pohimi: Nuk kishte si të mos fitonte Enver Hoxha me këta përballë. 

Luftën ia paska bërë Mehmet Shehu, partinë jugosllavët, punën ia dha Libohova, paratë Biçakçiu që e manipulonte. Rrëfen Omari kështu. Pak a shumë e njëjta telenovelë që e njohim të gjithë: po do të informohesh nis e kalo nga Rogneri apo ndonjë vend aty afër. I gjen edhe sot manovratorët e çdo fitimi. 

Po këta çfarë bënin? Numëronin arritjet e një aventurieri duke mos kuptuar se jo vetëm po merrnin në qafë vendin, por edhe po qeshnin finalen e tyre  politike dhe biologjike. 

Kujtimet duhen marrë me rezervë të madhe. Sidomos këto që botohen me copëza. Por edhe sikur të ketë pak vërtetësi nga këto që lexohen, atëherë së paku mos na lodhni me rehabilitime dhe ceremoni. Botoni kujtimet dhe shënimet, çfarë kanë thënë për njëri -tjetrin, e së paku do i marrim me të qeshur. Ka rehabilitim më të mirë sesa kur je argëtim i një populli?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.