Korrigjon Taulant Balla: 1.2 miliardë euro për bashkëpunimin rajonal, jo Minishengenin

Postuar në 28 Janar, 2020 21:24

Shefit i flet goja para mendjes, vartësi bën korrigjimin. Sidomos kur vartësi rastis të quhet Taulant Balla. Ky është rasti me të ashtuquajturin project të Minishengenit, të cilin z. Rama po përpiqet ta mbrojë nga…Vetja. Nga të pavërtetat me të cilin e infektoi.

Në fund të dhjetori 2019, takimi i radhës së kësaj nisme u mbajt në Shqipëri. Asokohe z. Rama deklaroi se nisma do të financohej me 1.2 miliardë euro nga Bashkimi Europian, një mënyrë për ta mbrojtur angazhimin e tij unilateral dhe personal dhe për të kompleksuar politikën kosovare që e refuzoi. Nuk ka asnjë të dhënë zyrtare se një gjë e tillë do të ndodhë. Bashkimi Europian financon projektet e veta si p.sh Procesin e Berlinit, jo aventurat e paqarta ballkanike.

Sot z. Balla, pas takimit në Bruksel ku Parlamenti Europian ka organizuar një samit për Ballkanin Perëndimor, ka sqaruar edhe çështjen e fondeve. Shkruan z. Balla në Facebook:

Ne, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mësojmë nga historia e Bashkimit Europian, nga ideja e parë e deri tek ajo çfarë prezanton sot BE, në pamje të parë një bashkësi e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve etj.

Prandaj kush është kundër Shengenit Rajonal në Ballkanin Perëndimor nuk e kupton procesin e integrimit europian. Nuk e ndihmon aspak Kosovën vetëpërjashtimi nga nismat rajonale, qoftë edhe nga Shengeni Rajonal, që ka më shumë se 10-15 vite që diskutohet në shumë tryeza dhe afro 5 vite që dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit.

Edhe samiti i sotëm mes gjashtë parlamenteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje Herzegovina dhe Serbia) konfirmoi se sa më shumë të përfshihemi, së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë edhe në sytë e Serbisë dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë.

Edhe mesazhi i sotëm në Samitin mes parlamenteve, ku u rikonfirmua rruga europiane e njëjtë për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor është një hap tjetër drejt njohjes përfundimtare. Statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian duhet të jetë stacioni tjetër për Kosovën.

Bashkimi Europian këtë vit (2020) do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare Shqipërisë dhe Kosovës në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rriten ekonomitë e dy vendeve tona

Nuk e dimë nëse në këtë samit është folur për Minishengenin, por z. Balla këtu korrigjon z. Rama kur thekson se eurot vijnë për bashkëpunimin rajonal brenda të cilës qeveria shqiptare po luan me idenë e Minishengenit. Nuk ka asnjë deklarim për këtë çështje as nga Shkupi zyrtar dhe as nga Beogradi, çka lë të kuptojë se diku problem ka ngecur. Në fund të fundit Parlamenti Europian vështirë së diskuton për fonde dhe financime, ndaj komentet e z. Balla janë spekullime për të mbrojtur nëj politikë të diskredituar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.