Zarif: ShBA do të ikë nga Lindja e Mesme. Irani ka histori mijëvjeçare, nuk kemi ndonjë nxitim

Postuar në 26 Janar, 2020 22:23

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javar Zarif i ka dhënë së fundmi një intervistë gjermanes “Der Spiegel”. I pyetur gjerësisht mbi vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani, Zarif ka deklaruar se ky akt ishte një gabim nga ana e ShBA që përllogaritën se do të përmirësonin pozitën e tyre në rajon. Sipas tij ka ndodhur e kundërta dhe për ShBA më keq do të bëhet, pasi siç tha Zarif njerëzit në Lindjen e Mesme janë të ngopur me sjelljen e ShBA. 

ShBA, Europë dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar i kanë një borxh gjeneralit Soleimani për fitoren ndaj Shtetit Islamik. ShBA nuk i kupton dot realitetet në rajon. Ato flasin përherë për proksi(ushtarë të Iranit), por Irani nuk ka të tillë. Mercenarët nuk janë në gjendje të nxjerrin në rrugë miliona njerëz që vajtojnë vdekjen e gjeneralit

është shprehur ai. 

Zarif ka paralajmëruar fundin e  ndikimit amerikane në Lindjen e Mesme si pasojë e politikave të saj. Me një mënyrë karakteristike që kujton përballje qytetërimesh, ai ndër të tjera ka thënë: 

Vrasja e Soleimanit është fillimi i fundit të pranisë së ShBA-ve – sigurisht në Irak, por edhe gjetkë në rajon. Ndoshta kjo nuk do të ndodhë nesër, por ne kemi një histori mijëvjeçare, kështu që nuk kemi ndonjë nxitim

I hapur për negociata me ShBA-të nëse ajo heq sanksionet, Zarif nuk ka harruar të kujtojë dështimin sipas tij të politikës së shtrëngimit ekonomik me fjalë të qëllimshme: Trump ka dështuar në arritjen e objektivit të tij. 

Zarif mendon se Marrëveshja bërthamore qëndron ende dhe se Irani do ta zbatojë atë. Irani ka 30 ditë afat që të arrijë në një dakordësi me palën europiane për çështjen bërthamore, pas të cilit kjo do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku pritet të vendosen sanksione. 

Europianët nuk kanë legjitimitet ta bëjnë këtë. Ata nuk mundet që thjesht të referojnë diçka në Këshillin e Sigurimit sepse janë europianë dhe kanë sy blu

ka ironizuar ministri iranian, që ka shtuar se teksa europianët nuk ja dalin dot Trump-it, sillen si të fortë me Iranin. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.