Qurravitje "patriotike" si alibi për një takim me Edi Ramën

Postuar në 21 Janar, 2020 14:48

Dy vjet pas MAGA-s, Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike shfaqet në publik me një tjetër mesazh të huazuar nga presidenti Donald Trump. Nga “Make Albania Great Again” në “Shqipëria e Para”. Mesazhi i sotshëm i Bashës – krijohet përshtypja se dikush tjetër e ka shkruar – përkujtonte Kongresin e Lushnjes dhe arritjet politike të tij. Z. Basha flet aty për bashkim, për interesa kombëtare etj., ndërkohë që mediat e pushtetit kanë celebruar me dhimbjen karakteristike të tyre, 21 janarin 2011, kur kryetari i tanishëm i PD-së, ishte ministër i Brendshëm. 

Kur ka një konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhje në rang kombëtar, edhe fitore kombëtare…

Në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjes

shkruan z. Basha ndër të tjera.

Asnjë fjalë për aktualitetin politik ku ai është protagonist, por edhe dëshmitar në një pjesë të kohës. Asnjë reflektim mbi nevojën e daljes prej krizës së tanishme.

Të paktën kështu si është shkruar kreu i PD-së po na vendos përpara si besim të tijin të ri nevojën e bashkëpunimit, bashkimit për të mirën e vendit dhe mbrothtësisë së kombit. Teksa shpall papritur Mit’hat Frashërin si gjeni, z. Basha deklaron se mësimet e Kongresit janë kandili që ndriçon në errësirën e madhe të Shqiëprisë.

Nuk do shumë mund të kuptohet se nga PD-ja po vijnë sinjale të ndryshimit të kursit, të bashkëpunimi politik, të nevojës për të normalizuar jetën politike sipas standardeve parlametare. Është kjo domosdoshmëri e kësaj partie, që i jep këtij mesazhi të shtirur vlerën e një apeli politik ditor, që e kamuflon trashë atë me alibitë e patriotizmit.

E gjithë kjo piruetë që vazhdon prej vitesh tashmë ka vetëm një recetë: një takim me kryeministrin për të mirën e Shqipërisë. Për atë po lutet dhe punon kryetariiI PD-së, që ka braktisur veten në detyrën që e mori aksidentalisht. Sepse siç argumenton z. Basha, mbrothtësia e kombit qëndron mbi të gjitha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.