Urgjenca e hapjes së negociatave

Postuar në 17 Janar, 2020 10:35

Mesazhet e rigjallëruara pro hapjes së negociatave me BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po evokojnë përherë e më shumë arsye të sigurisë si alibi të objektivitetit të tyre. Liderë vendesh të ndryshme, ekspertë sigurie apo të politikës ndërkombëtare po flasin përherë e më shumë për një rrezik rus, turk, islamik, për kaosin etj., që e pret Ballkanin nëse perspektiva europiane dështon. Hapja e negociatave po profilizohet si kursi i duhur i historisë, si shpresa e fundit dhe e vetme e ballkanasve. Një lloj fundi i lumtur i historisë për këtë rajon.

Me këtë qasje duket në pamje të parë se kemi një politikë strategjike të BE-së, çka krijon idenë e rreme se edhe Brukseli më në fund e dëgjoi kryeministrin e Shqipërisë që flet përherë për nevojën për të qenë strategjikë.

Por në fakt arsyet që sillen për përshpejtimin e procesit të negociatave tradhëtojnë një pasiguri të BE-së më tepër sesa një strategji. BE-ja ka lëvizur gradualisht nga premisat e ideve të veta, duke ndryshuar qoftë përfytyrimin e një familjeje vendesh të ngjashme nga historia dhe zhvillimi, nga kultura etatiste dhe mentalitetit, qoftë edhe premisat e vendimeve të veta. Dikur kërkesa për zgjedhje të lira e të ndershme, respektimi i të drejtave të njeriut apo zbatimi i ligjit ishin të panegociueshme. Sot ne shohim se BE-ja toleron autokratë të ndryshëm, pranon të gënjehet për reforma të stisura dhe propagadistike, me shpresën se brenda saj vendet do të reformohen realisht.

Në këtë mënyrë, përpara se të kemi integrimin dhe rritjen reale të mirëqenies në këto vende, kemi legjitimimin e elitave drejtuese që janë kampione të korrupsionit dhe shkaktare të mbetjes pas. Europa sot po vendos firmën në një histori të keqe të Ballkanit, për arsye të saj dhe miopinë që sjell arroganca kundrejt vendeve të vogla.

Në fund të fundit dështimi më i madh i Europës në këto anë qëndron në faktin se Europa u bë pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve – të paktën e shqiptarëve – që naivisht besuan atë që u thanë dhe besuan thirrjet e veta – por duke e reduktuar me kalimin e kohës këtë besim në një marrëdhënie pragmatiste punësimi dhe mbijetese. Pa u bërë pjesë e historisë dhe kufijve psikologjikë të qytetërimit të saj. Për këtë arsye pretendimi se me hyrjen në BE përurohet një vizion milenarist ballkanasish apo të shqiptarëve është gënjeshtër e pastër.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.