I legjitimuari Gjiknuri: Ky vend është shumë i vogël për t’u ndarë

Postuar në 16 Janar, 2020 23:16

Opozita deligjitimoi Parlamentin. Kjo është mbrojtja nga kampi i Lulzim Bashës. Në këtë ditë që opozita artikuloi këto alibi në media u shfaq Damian Gjiknuri, duke folur për bashkim dhe bashkëpunim. 

Unë vetëm jam mësuar me akuza. Nuk është gjë e mirë. Akuza politike ka mbi çdo politikan. Më gjej një që nuk është i akuzuar. Në rastin tim, nuk kam akuzë penale, nëse fjala tërmet përbën vepër penale. Mua nuk më bën përshtypje, jam i gatshëm të ndërtoj ura kompromisi. Kam dëshirë të punoj me të gjithë kolegët, pavarësisht akuzave politike.

Mbaj mend që shumë njerëz kritikuan Ramën për marrëveshjen me Berishën. PD e ngriti shumë stekën, tha fjalën e fundit dhe për këtë arsye pritshmëria ka qenë e lartë. Nga pikëpamja është luftë e brendshme, dhe përdorimi i emrit tim është për të kompleksuar Lulzim Bashën…Mua më pëlqen në politikë kompromisi…Ky vend është shumë i vogël për t’u ndarë, dhe duhet të ketë një dialog në nivel edhe më  të madh

tha ndër të tjera Gjiknuri në një intervistë në “Abc News”. 

Zoti Gjiknuri ka të drejtën e tij të shpallë parimet e veta në politikë, ku mesa mund të kuptojmë më shumë ka marrë sesa ka dhënë. Përvoja e fituar prej tij në çështjet administrative dhe ligjore është patjetër një përfitim i z. Gjiknuri, për të cilat po shpërblehemi të gjithë me kontributin e tij në reformën zgjedhore. 

Vetëm se opozita e ka shpallur z. Gjiknuri njeri të krimit, vjedhës votash dhe këto nuk janë akuza politike edhe pse udhëhiqen nga synime politike. Si vallë kund të kapërcehet në këtë mënyrë dhe kaq lehtë kjo situatë? Si mund të besojmë se ky dialog bëhet për të mirën tonë? Dhe kush (de)legjitimoi kë? 

Është e vështirë të konsiderosh normale një situatë ku një ish-ministër që figuron në çdo akuzë në dy vitet e fundit rehabilitohet kaq lehtë dhe nis e bën leksione për demokracinë, pa u sqaruar ligjërisht e vërteta e punës së tij në qeveri. Këtë e kemi dhuratë nga Lulzim Basha që sipas z. Gjiknuri ka dëshirë për marrëveshje por e kompleksojnë nga brenda. Lexoni me vëmendje pasazhin e urtisë së z. Gjiknuri: Ky vend është shumë i vogël për t’u ndarë. Ka shumë mënyra për ta kuptuar këtë mesazh nga një politikan që ka arsye edhe personale ndoshta ta dëshirojë kompromisin në politikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.