Studimi/ Aktiviteti i pakët seksual lidhet me menopauzën e hershme

Postuar në 15 Janar, 2020 22:55

Gratë që kryejnë veprimtari seksuale javore ose mujore kanë rrezik më të ulët për të hyrë në menopauzë të hershme në krahasim me ato që raportojnë se kanë marrëdhënie seksuale më rrallë se njëherë në muaj, sipas një studimi të ri të UCL.

Studiuesit vëzhguan se gratë, të cilat raportuan se kryenin marrëdhënie seksuale çdo javë, kishin 28% më pak të ngjarë të kishin përvojë menopauze në çdo moshë të dhënë sesa gratë që kryenin më pak se një herë në muaj. Aktiviteti seksual përfshin marrëdhënie seksuale, seks oral, prekje seksuale dhe përkëdhelje ose vetë-stimulim.

Hulumtimi, i botuar në “Royal Society Open Science”, bazohet në të dhëna nga Studimi i Shëndetit të Grave në SHBA dhe është studimi më i madh, më i larmishëm dhe më përfaqësues i disponueshëm për aspektet kërkimore të tranzicionit të menopauzës.

Autori i parë në studim, Megan Arnot tha: "Gjetjet e studimit tonë sugjerojnë që nëse një grua nuk është duke bërë seks, dhe nuk ka shanse për shtatëzani, trupi “zgjedh” që të mos investojë në ovulim, pasi do të ishte i kotë. Mund të ketë një shkëmbim energjik biologjik midis investimit të energjisë në ovulim dhe investimit diku tjetër, të tilla si mbajtja aktive duke u kujdesur për nipërit dhe mbesat.

"Ideja që gratë të ndalojnë pjellorinë në mënyrë që të investojnë më shumë kohë në familjen e tyre, njihet si Hipoteza e Gjyshes, e cila parashikon që menopauza fillimisht ka evoluar tek njerëzit për të zvogëluar konfliktin riprodhues midis brezave të ndryshëm të femrave, dhe që t'i lejojë gratë investojnë energji në nipërit e mbesat e tyre".

Gjatë ovulacionit, funksioni imunitar i gruas bie, duke e bërë trupin më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Duke pasur parasysh që një shtatëzani nuk ka gjasa për shkak të mungesës së aktivitetit seksual, atëherë nuk ka dobi të jepet energji për një proces të kushtueshëm, veçanërisht nëse ekziston mundësia për të investuar burime në farefisninë ekzistuese.

Hulumtimi bazohet në të dhënat e mbledhura nga 2.936 gra, të rekrutuara si grup bazë për studimin në vitet 1996-1997.

Mosha mesatare në intervistën e parë ishte 45 vjeç. Gratë kaukaziane jospanjolle ishin më të përfaqësuara në kampion (48%), shumica ishin me arsim të mesëm. Mesatarisht ato kishin dy fëmijë, ishin kryesisht të martuara ose në një lidhje (78%), duke jetuar me partnerin e tyre (68%).

Grave iu kërkua t’u përgjigjen disa pyetjeve, duke përfshirë nëse kishin kryer marrëdhënie seksuale me partnerin e tyre në gjashtë muajt e fundit, shpeshtësinë e seksit përfshirë edhe atë oral, prekjet seksuale apo përkëdheljet në gjashtë muajt e fundit dhe nëse ato ishin angazhuar në vetë-stimulim në gjashtë muajt e fundit. Modeli më i shpeshtë i aktivitetit seksual ishte javor (64%).

Asnjë prej grave nuk kishte hyrë akoma në menopauzë, por 46% ishin në para-menopauzë të hershme (simptoma të menopauzës, siç janë ndryshimet në cikël dhe afshet) dhe 54% ishin para-menopauzës ( cikle të rregullta dhe pa simptoma të para-menopauzës ose menopauzës).

Intervistat u kryen gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, gjatë së cilës 1,324 (45%) nga 2,936 gra përjetuan një menopauzë natyrore në një moshë mesatare 52 vjeç.

Duke modeluar marrëdhëniet sipas frekuencës seksuale dhe moshës së menopauzës natyrore, gratë e çdo moshe që kryenin seks çdo javë kishin një raport rreziku prej 0.81, ndërsa gratë e çdo moshe që bënin seks çdo muaj kishin një raport rreziku prej 0,72.

Gratë e çdo moshe që kishin marrëdhënie seksuale çdo javë kishin 28% më pak të ngjarë të përjetonin menopauzën në krahasim me ato që kishin çdo muaji. Po kështu, ata që kishin marrëdhënie seksuale çdo muaj kishin 19% më pak mundësi të pësonin menopauzë në çdo moshë të caktuar, krahasuar me ata që kishin marrëdhënie seksuale më rrallë.

Studiuesit kontrolluan karakteristikat përfshirë nivelin e estrogjenit, arsimimin, BMI, racën, zakonet e pirjes së duhanit, moshën në shfaqjen e parë të menstruacioneve, moshën në intervistën e parë dhe shëndetin e përgjithshëm.

Studimi testoi gjithashtu nëse të jetuarit me një partner mashkull ndikoi menopauzën për të provuar nëse ekspozimi ndaj feromoneve mashkullore vonon menopauzën. Studiuesit nuk gjetën asnjë lidhje, pavarësisht nëse mashkulli ishte i pranishëm në familje apo jo. Autori i fundit, Prof. Ruth Mace (UCL Anthropology), shtoi: "Menopauza është, natyrisht, një pashmangshmëri për gratë, dhe nuk ka ndërhyrje që ta parandalojë ndërprerjen e riprodhimit, megjithatë, këto rezultate janë një tregues fillestar që koha e menopauzës mund të jetë adaptive në përgjigje të mundësisë për të mbetur shtatzënë."

/MedicalExpress/TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.