Çështja e (kë)Tyre

Postuar në 15 Janar, 2020 11:51

Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka hedhur në veprim të vetmin argument që ka për të mbrojtur marrëveshjen e djeshme: me këtë takim u deligjitimua Parlamenti. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Le të kthehemi pas në kohë. Ose këta zotërinj të kthehen pas në kohë e të kujtojnë sesi dikur, opozita socialiste e Edi Ramës bojkotoi për rreth 6 muaj parlamentin, kërcënoi se do digjte mandatet, por pastaj hyri në Parlament për rrogën e deputetit.

Ishte apo jo legjitim ai Parlament?

Por nuk është vetëm këtu puna. Parlamenti ka dalë nga zgjedhjet dhe ai është legal. I ligjshëm. Kushtetues. Legjitimiteti i tij u vu në pikëpyetje në momentin që opozita e zgjedhur dorëzoi mandatat. Sepse ky parlament nuk përfaqëson më elektoratin që ka votuar. Por ky lloj legjitimiteti është politik dhe buron nga qëndrimet publike. Ai nuk duhet ngatërruar qëllimisht me ligjshmërinë siç po bëhet sot. Dhe kundërpyetja që mund të bëhet në këtë rast është: produkti i reformës zgjedhore a do të votohet sërish në këtë Parlament, a do të dekretohet nga Presidenti? Si atëherë një parlament qenka delegjitim? Argumenti i opozitës në këtë drejtim nuk është bindës dhe duket qartë se ai rrjedh nga nevoja për të shpjeguar një pozicion që nuk është mirëkuptuar në përgjithësi.

Nga ana tjetër, ulja në tryezë për reformën zgjedhore, në formën e një akti politik që përurohet me krijimin e një këshilli politik është e panevojshme. Opozita ka shprehur edhe më herët dakordësinë për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për kuadrin e ri ligjor për zgjedhjet. Ajo madje ka edhe një kusht nga Bundestagu si avantazh në këtë drejtim. Po kështu, shumica përmes kryearit të Komisionit, Damian Gjiknuri ka shprehur gatishmërinë të dëgjojë opozitën jashtë parlamentare. Në këto kushte PD-LSI kishin të gjitha mundësitë që të paraqisnin propozimet e tyre siç bën çdo grup interesi për një ligj të caktuar pa kërkuar shfaqjen e djeshme politike.

Në fund, opozita nuk ndikon me votë në proces, por ajo konsiderohet si palë në të sepse përfaqëson në raport elektoral votën e vitit 2017, pavarësisht se ka hequr dorë nga mandatet.

Jemi pra në kushtet e majit 2017 kur as përfaqësuesit politikë të opozitës, por as gazetarët pranë saj nuk dinë të mbrojnë një marrëveshje që është e dobishme vetëm për disa njerëz. Dinë vetëm të akuzojnë se ka një histeri, se ata që janë kundër janë paguar nga Edi Rama etj., akuza të përhershme në Shqipëri. Por pa i dhënë dot përgjigje pyetje për kësi aktesh të befasishme, apo edhe pyetjes sesi është e mundur që një opozitë që premton revolucionin, është i vetmi subjekt që i jep Edi Ramës marrëveshjet më të suksesshme? Zoti Rama ka sukses vetëm në Shqipëri, sepse në politikën e jashtme, siç shohim po i dështojnë pazaret apo marrëveshjet ku bën pjesë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.