Arsyet banale të një emërimi...jashtë shtetit

Postuar në 12 Janar, 2020 11:49

Që ta thjeshtojmë sepse është banale: 

E keni parasysh lajmin që Ditmir Bushati u caktua në një detyrë në OSBE? I dërguar i posaçëm e quajnë. Do bëjë çdo gjë, për çdo fushë dhe hall ndërkombëtar. Këtë ndryshe e quajnë Përmbarues - Factotum. 

Zoti Bushati do jetë përmbarues i z. Rama në OSBE. Arsyeja është fare banale, mjerane: zoti Rama as nuk ka haber nga politika e jashtme, në kuptimin e përpunimit të qëndrimeve në bazë dosjesh dhe mbledhjeje informacioni. Politika e jashtme e z. Rama bazohet dhe konstituohet në deklarata publike, gjeste apo nisma ku ai është patjetër protagonist. Nuk hyn në kandar Shqipëria këtu. Meqenëse në konferencën e parë për shtyp u ndje në siklet nga padija për çështje komplekse si ajo e Krimesë, në lojë ka hedhur Bushatin që e preferon punën e zyrës. 

Ky i fundit do përgatisë dosjet për gjithçka dhe z. Rama për aq sa do jetë ministër i Jashtëm do shfaqet aty ku ka teatër me audiencë dhe jo në takime ekspertësh. Aty mund të jetë Gent Cakaj.

Pra z. Bushati është një facilitues dhe kontakt me një pjesë aktorësh ndërkombëtarë. Me këtë rast ai neutralizohet në qëndrimet e veta të pakënaqësisë që e bezdisin z. Rama. Është njësoj si rastin e Ben Blushit. Zoti Rama është i zoti të blejë qetësinë e atyre që ankohen. Dhe e ble lirë. 
Patjetër që Bushati do thotë se i shërben Shqipërisë. Do thotë edhe se marrja e presidencës së OSBE-së është punë e tij. Por kështu tha edhe Besnik Mustafaj, që ka paraqitur kandidaturën. Të gjithë kanë meritë. Dhe të gjithë kanë sedrën që t’u shkruhet emri gjëkundi. Por jo ambicie të vërtetë politike. 

Nuk ka asnjë arsye më shumë. Thjesht një transaksion i vockël kancelarik për nevojat e kryeministrit që nuk ja ka ngenë të mësojë edhe për Krimenë apo Transnistrinë. 

Gent Cakaj?! Kush është dashamirës ndaj këtij çunaku që e vunë në një karrige që nuk e kupton se çfarë funksioni ka, ta këshillojë të japë dorëheqjen. Nuk ka pse të poshtërohet në këtë mënyrë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.