Takimi i vetëm në interes të vendit janë Zgjedhjet

Postuar në 05 Janar, 2020 14:40
Skerdilajd Zaimi

 

Kryeministri po kërkon sërish takim me kryetarin e opozitës jashtë parlamentare. 
Jemi gati të ulemi dhe të flasim për gjithçka, - thotë, duke shtuar mandej se “kjo nuk do të thotë se duhet të biem dakord për gjithçka”. 

Mirëpo pasi pranoi si krejt normale largimin e opozitës nga parlamenti, pasi bëri avokatin e përgjimeve të publikuara, pasi imponoi votime me kandidatë që po bien të gjithë njëri pas tjetrit, për çfarë duhen këto takime?

Kjo pyetje në fakt shkon për z. Basha i cili e ka shpallur kryeministrin një protektor të krimit dhe vjedhës të zgjedhjeve. 

Opozita ka rënë dakord që komisioni për reformën zgjedhore të vazhdojë punën dhe ka qenë e pranishme aty. Opozita ka përgëzuar krijimin e SPAK derisa ka njoftuar se do të depozitojë kallëzime aty. Opozita, ajo që është dhe ashtu si është, ka ndërmarrë veprimtari politike. Kryetari i PD-së, z. Basha është dukur nëpër zonat e prekura nga tërmeti dhe duhet të pranojmë se prezenca e tij ka ruajtur profil modest. Dikush mund ta interpretojë si dobësi këtë. Mundet edhe të jetë, por së paku duhet të gëzohemi të gjithë për faktin se z. Basha nuk di të jetë populist. E imagjinoni Edi Ramën apo Erion Veliajn në opozitë me një tërmet si ai i 26 nëntorit? Shpëtimtarë  të atdheut, demagogë të vdekjes dhe fatkeqësisë. 

Zoti Basha na u shfaq me një xhup të thjeshtë, një kamer me vete dhe ca fjalë të zakonshme. Tingëllon cinike, por ne duhet të gjithë të gëzohemi që në këtë situatë PD-ja dhe LSI-ja nuk janë në parlament. Sepse do të detyroheshin të luanin rolin e atij që nuk e zë gjumi për shqiptarët e dëmtuar, do të akuzonin dhe sherroseshin vetëm e vetëm se kështu e do zakoni, apo se aq dinë. Dhe në krye të çaprashitjes do të këndonte qyqja e Shqipërisë, kryeministri fitmtar. 

Jo, falemnderit! E kemi parë boll këtë film. Kryemimistri është ashtu si donte: Vetëm në krye të punëve me të gjitha gjërat në dorë. 

Opozita mund të vendosë gjithçka, ajo ka dëshmuar se nuk duron dhe ka dëshirë të gabojë. Por ajo nuk bind dot njeri se takimi me Edi Ramën ndihmon vendin. Aspak. Mund të ndihmojë ndonjë interes të ngushtë të dikujt brenda saj, që ose nuk ka durim, ose ndihet i shantazhuar. Përndryshe opozita ka rrugën e saj, prezantimin e programit, denoncimin publik, ashtu si di ta bëjë dhe kur do ta bëjë, pjesëmarrjen në procesin e reformës zgjedhore dhe të kënaqet me teatrin e sukseseve të Edit bashkë me të gjithë ne.

Deri sa të vijnë zgjedhjet. Zgjedhjet janë takimi i vetëm legjitim mes pushtetit aktual dhe opozitës. Nuk ka nevojë për konsensus për zgjedhjet sepse ato janë të detyrueshme. Edhe z. Rama u shpreh i bindur se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje. Ndaj takimi i duhet vetëm atij për halle që i di ai. I duhet dekori i radhës. Deklaroi se “unë e ula Serbinë në tavolinë pa kushte për Kosovën”. Dy ditë më pas mentori i Minishengenit deklaroi se kjo nismë edhe mund të dështojë. Sa keq. Edit nuk i ecën asgjë deri në fund, ndoshta sepse luan shah si ushtar. Dhe me këtë vizion luan mirë politikën e vockël, taktikën që dëmton kundërshtarin me kësi kinezërish si takimet me dosje të kuqe dhe kamera me vete ku asgjë nuk ndodh. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.