Gërmadhat e financuara me para publike

Postuar në 29 Dhjetor, 2019 14:11

Debati i fundit – ose më saktë operacioni i pështymës industriale – që prodhoi Festivali i Këngës, na sjell në vëmendje rolin e pamundur që institucionet publike mund të luajnë si të tilla.

Nëse e lëmë për një çast çdo informacion mënjanë, pra të tregohemi të çinteresuar për cilësinë e këngëve etj., me vesh dhe sy dëgjon dhe shikon se Festivali është në fakt çështje interesi e pak njerëzve.

Pak rëndësi ka këtu përgjegjësia e kujt dhe për çfarë, rëndësi ka te atrofizimi i rolit të disa institucioneve dhe aktiviteteve simbolike që dikur tubonin interesin e shumë qytetarëve. Dhe në fakt ishin ngjarje kulturore. Ky tipar ka pushuar së ekzistuari.

Kjo nuk ndodh vetëm me një institucion. Shikoni Akademinë e Shkencave. Dy vjet pasi kryeministri mësyu aty me kamzhikun në dorë dhe kërcënoi me ndërprerje fondesh dhe e quajti nëndetëse të ndryshkur sovjetike, Akademia e quan veten të reformuar, ndonëse kryetari i saj është ndoshta – po çfarë rëndësie ka tashmë kjo gjë – pa dekret.

Nuk do shumë për të kuptuar dhe shijuar sesi institucione të këtilla që mbahen me paratë publike dhe kanë madje privilegje nisin e projektohen si zgjatime të pushtetit ekzekutiv.

Të marrim Agjencinë Telegrafike Shqiptare që ka nga pas një histori. ATSh-ja sa vjen e i përputhet shijeve të ERTV-së: Shqipëria është baçe me lule dhe vetëm përparon.

Po një institut me rëndësi të rritur së fundmi si ai i Ndërtimit që firmos dokumente si mund të vlerësohet?

Po Universiteti, rektorati, dekanatet…

Mund të vazhdohej gjatë me listën e atyre institucioneve që do të duhet të kishin kapur një standard minimal në kohën që jetojmë dhe në krye të të cilëve do të duhet të kishte një lloj stabiliteti për të mos i shndërruar në shtojca.

Askush nuk po do të luajë dhe respektojë rolin publik që I atribuon ligji të paktën, pa lëre më një lloj etike e punës.

Dhe nuk ka gjasa të ndryshojë kjo gjë me ata që mund të vijnë në të ardhmen. Sepse askush nuk ka më interes të debatojë për këto gjëra që vazhdojnë të vegjetojnë. Ndaj problemi është te pagesa: pse duhet të paguajmë për këto gërmadha të një kohe që ka ikur? Për një projekt që nuk ekziston më?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.