Nervozizmi i një të paprekshmi

Postuar në 28 Dhjetor, 2019 12:57

Organizata Politike denoncon përmes Facebook një rast dhune në TEG, ku sipas saj janë dhunuar aktivistë të saj. Më poshtë deklarata e plotë

Mbrëmë rreth orës 18 një grup aktivistësh të Organizatës Politike kanë shpërndarë te TEG-u një fletushkë ku denoncohej shtypja e minatorëve të Bulqizës nga kryeoligarku Samir Mane. Sipas dëshmive, një numër i madh policësh privatë dhe gangsterësh pa uniformë i kanë futur me zor aktivistët në një dhomë të vogël brenda TEG-ut dhe për mbi 15 minuta kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre. Shtatë vajza dhe djem janë goditur me grushte në trup dhe shkelma në bark. Në skena që kujtojnë torturat çnjerëzore të kampeve si Guantanamo, aktivistët janë detyruar të shtrihen përtokë dhe aty janë goditur sërish, sharë me fjalor rrugaçëror dhe kërcënuar me jetë nga qentë e ndërsyer të Samir Manes, të cilët çmendeshin sa herë përmendej emri i padronit të tyre dhe i minatorëve të pushuar nga puna.

Mbërritja e policisë së shtetit i ka shpëtuar aktivistët nga pasoja edhe më të rënda për jetën dhe shëndetin e tyre. Po fatkeqësisht, me urdhër nga lart, policia e shtetit në vend se të arrestonte dhunuesit e aktivistëve paqësorë, ka mbajtur në gjendje shoqërimi 7 aktivistët. Të paktën në një rast një oficer i Policisë Gjyqësore ka ushtruar presion psikologjik ndaj aktivistëve që të firmosnin deklarata të ndryshme nga e vërteta.

Pas rreth shtatë orësh, policia ka liruar aktivistet Vitori Çipi, Mirela Ruko, Xheni Hajdari dhe Albina Ruko, duke u treguar se ndjekja penale ndaj tyre do të vazhdojë në gjendje të lirë. Në kundërshti me ligjin dhe logjikën minimale, tre aktivistët e tjerë – Frenklin Elini, Bislim Lakna dhe Enriko Peçuli – janë konsideruar në gjendje arresti dhe do të mbahen të izoluar për 72 orë.

Faji i aktivistëve tanë është se bënë brenda pronës së pandershme të Samir Manes atë që ai bën përditë në shtëpitë tona, duke na qelbur sheshpushimin përpara derës me reklamimin e mallrave të tij: shpërndanë fletushka.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, jemi të vetëdijshëm se duke dalë në krah të minatorëve të Bulqizës kemi prekur nervin e këtij sistemi të ndyrë ekonomiko-politike, duke e goditur simbolikisht bishën mu në strofullin e vet. E dimë po ashtu se qeveria dhe institucionet publike në Shqipëri janë legenët ku Samir Manja dhe oligarkët e tjerë lajnë këmbët dhe duart e tyre të pista. Ashtu siç mund ta parashikojmë lehtësisht se partitë e opozitës dhe mbi 90% e mediave do të vazhdojnë të kyçin gojën si ornamente të të njëjtit legen.

Po dimë, nga ana tjetër, se jemi në krahun e të drejtës, të minatorëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Këto i lexojmë përditë në sytë e minatorëve dhe mbrëmë na është ngrohur zemra nga duartrokitjet dhe “bravo!”-t e qytetarëve që ndeshëm brenda qendrës tregtare.

Lironi Frenklinin, Bislimin dhe Enrikon!

Ne nuk dimë të ndalemi!

Me minatorët edhe përtej fundit!

 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Keta police private, fshatare me kater klase shkolle te zbritur ne qytete, shpesh me te dhunshem se policia e shtetit, duheshin filmuar me kamera te fshehte, qe te perballeshin me drejtesine e te mesonin pas denimit se si duhet te silleshin! Minator, nje nga punet me te veshtira, per te cilen duhet patur respekt! Pse jo, ndonjehere duhet te subvensionoje edhe shteti me fonde te caktuara, kur pagat dhe fitimi jane te vogla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.