Gazi, peshkimi dhe hiletë që lindin e vdesin(me porosi) vetëm në Tiranë

Postuar në 25 Dhjetor, 2019 13:27

Në Tiranë është zbuluar hileja greke për detin. Dhe kjo hile qëndron në faktin se Greqia, më saktë aktorë politikë në të po kërkojnë deklarimin e 12 miljeve detare det territorial. Sipas asaj që është zbuluar në Tiranë, ky deklarim nuk rregullohet nga Konventa e Detit, pasi ekspertë pa emër kanë bërë të ditur se 12 miljet nuk zbatohet për shtetin arqipelagor. Pra Greqia nuk ka të drejtën e 12 miljeve nëse do të marrë si pikë nisjeje një ishull në veriperëndim të Korfuzit, sepse kështu thonë në Tiranë, vend ku janë zbuluar edhe interesat e Greqisë për këtë marifet. Me 12 miljet zgjerim, Athina synon të fusë nën hegjemoninë e vet gasjellësin EastMed, në mënyrë që të shmangë kalimin e tij në territor detar shqiptar.

Këto janë patjetër çështje ekspertësh të cilët në Shqipëri mungojnë, por edhe kur janë nuk flasin. Mirëpo nëse i hedh një sy të thjeshtë hartës, vëren me sy të lirë se Greqia është një vend kyç, jetik madje për gasjellësin në fjalë, për të cilin po investohen edhe fuqi si SHBA. Sepse thuajse 90% e gjurmës së këtij gazjellësi kalon në hapësirë detare ose tokësore greke dhe pika fundore e tij kalon në detin Jon duke terminuar në Otranto.

Nëse sheh hartën sërish, vëren se gjurma fundore e gazsjellësit e lë Korfuzin në lindje dhe devijon në det të hapur drejt gregut Italian. Po kështu në lindje lihet edhe ishulli Othonoi që konsiderohet si thembra e Akilit e hilesë greke. Kujtojmë se ishulli Othonoi ndohet 20.3 milje detare nga Spileja e Himarës, që është rreth 8 milje më shumë se 12 miljet e bregdetit shqiptar. Nëse do të konsiderojmë ngushticë distancën në fjalë, Shqipërisë dhe Greqisë u duhet të ndjekin parimin e vijës së mesme që shkon diku te 10 milje detare dhe as që e prek fare gjurmën e gazsjellësit në fjalë.

Nuk ka asnjë mendje normale që të shikojë ujëra territoriale shqiptare në perëndim të Othonoit dhe këtu as Zona Ekskluzive Ekonomike nuk hyn në lojë. Më tej akoma, Shqipëria dhe Greqia bashkëndajnë gjurmën e gazsjellësit TAP që kalon në të dy vendet dhe praktika e ndërtimit të tij është shumë e mirë.

Aspekti tjetër i kësaj çështjeje është heshtja e shtetit shqiptar në kontekstin e këtyre zhvillimeve. Shqipëria ka ndarë me Italinë shelfin Kontinental, por jo Zonën Ekskluzive Ekonomike. Me Greqinë nuk ka një marrëveshje, por negociata që nuk dihet sesa do të zgjasin. Nuk ka ndonjë njoftim, nëse qeveria shqiptare ka bërë ndonjë notë, shprehje interesi për gazsjellësin në fjalë, i cili sipas ministrit të Jashtëm grek po kundërshtohet në Itali.

Në një intervistë të djeshme për “Open Tv”, Dendias thotë se mungesa e Italisë në nënshkrimin e projektit më 2 janar lidhet me reagimin e komuniteteve lokale që kundërshtojnë për arsye mjedisore pasi në Otranto, më saktë Pulia, terminojnë dy gazsjellës: TAP dhe EastMed. Është e qartë dhe kuptohet se në kuadër të këtyre dy projekteve rëndësia e Italisë dhe Greqisë për politikën energjetike të Europës rritet ndjeshëm, por nëse krahasojmë prurjet e të dyve ato nuk afektojnë njëri-tjetrin.

EastMed ka një prurje prej 20 miliardë metra kub gaz në vit – parashikimi – TAP që u negociua nga qeveria Berisha ka kapacitet fillestar 10 miliardë metra kub në vit me mundësinë e zgjerimit drejt 20 miliardë metra kub në vit, ndërkohë që parashikon zhvillimin e një rezerve nëntokësore në Shqipëri me kapacitet 8.5 miliardë metra kub gaz.

Nevojat e Europës në vitin 2030, pra kur eventualisht të dy gazsjellësit do të jenë me gjasë në punë do të shkojnë në 100 miliardë metra kub, duke lënë në treg vendin bosh për edhe 60 miliardë metra kub gaz.

Po të marrim në konsideratë faktin se Turqia e tanishme po ndryshon politikë dhe po kthehet në një rival për Europën, është e logjikshme të hamendësohet se EastMed që nuk kalon në hapësirë turke të jetë më me interes strategjik për kontinentin. Mjafton sjellja e Rusisë me gazin vite më parë për të kuptuar se të gjithë duan pavarësinë energjetike sa më shumë të jetë e mundur. Ndaj e vënë në kontekstin e një politike europiane, EastMed dhe politika detare e Greqisë në Jon nuk ka asnjë kundërshtim. Në të kundërt do të ishte Italia ajo që do të dilte hapur si fuqi e madhe rajonale dhe detare.

A mund të shpjegojë kjo situatë diçka edhe për politikën filoturke të Shqipërisë dhe mediave të ndryshme shqip në shumë drejtime?

Ka një arsye që me të vërtetë do të duhet të shqetësonte Shqipërinë pasi preken interesat e saj. Televizioni grek Skai, raportonte në datën 20 dhjetor se në kontaktet diplomatike greko-italiane për këtë çështje ka dalë në sipërfaqe problemi i të drejtave të peshkimit në detin Jon. Sipas këtij televizioni, Ministria italiane e Bujqësisë, Ushqimit dhe Peshkut, mbron të drejtat e peshkatarëve italianë në detin Jon sidomos për karkalecin e kuq. Duke qenë se Greqia ka deklaruar deri më sot 6 milje detare, peshkimi i karkalecit të kuq nga italianët është bërë deri në kufij të këtyre ujërave. Dyfishimi i detit territorial grek cenon drejtpërdrejt një industri shumë të madhe për Jugun e Italisë duke nxjerrë jashtë një zone të lakmuar peshkatarët e tij. I njëjti televizion raporton se ndërhyrja italiane për marrëveshjen greko-shqiptare lidhet edhe me këtë fakt, pra peshkimin e karkalecit të kuq, meqenëse peshkatarët italianë kanë peshkuar tradicionalisht në këto ujëra.

Duhet thënë se qeveria shqiptare ka përfshirë në Grupin e punës për negociimin e marrëveshjes me Greqinë edhe përfaqësues të Mjedisit, hidrokarbureve dhe peshkimit, por nuk ka deri më sot ndonjë njoftim që të flasë për trajtimin e këtyre çështjeve që janë nga një pikëpamje ekonomike dhe sociale më të prekshme sesa strategjitë e mëdha me gaz dhe naftë. Dhe nuk ka asnjë të dhënë që radarët e famshëm që nuk kapnin dot hashashin të kenë pikasur shkelje ujërash për qëllime peshkimi. Por ndoshta kjo ka qenë edhe marrëveshja që ne nuk e dimë dhe që ndoshta nuk na e thonë dot.

Re.Pu

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ne paragrafin e fundit ke cituar politiken "filoturke" te Tiranes, por nuk ke shpjeguar se si luhet e se qysh duhet te veprohet.
A mos valle redaksia juaj mendon se koalicioni anti turk do te triumfoje dhe do t'i dhuroj Shqiperise nje cop fitimprurese nga Turqia? Sic u be dikur me Irakun?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.