Lideri i Ballkanit humbet autoritetin mes shqiptarëve

Postuar në 20 Dhjetor, 2019 15:14

Në Shqipëri zhvillohet një takim i radhës në kuadër të atij që po quhet Minishengeni Ballkanik. Vendet kryesore të kësaj nisme që imiton bashkëpunimin europian të viteve të fillimit të Unionit, janë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Nisma po shitet se sjell lëvizje të lirë mallrash, njerëzish, shmang pikat doganore etj. Por askush nuk është në gjendje dhe nuk dëshiron të përgjigjet për faktet elementare që anashkalon kjo lloj propaganda: pra që lëvizja e mallrave formalisht sigurohet nga marrëveshja e CEFTA-s, se kjo marrëveshje nuk zbatohet përkundrejt Shqipërisë dhe se lëvizja e njerëzve ka kohë që funksionon. Mediat serbe i kanë lënë vend qëndrimeve dhe deklaratave të kryeminsitrit të Shqipërisë, Edi Rama, që e ka konsideruar refuzimin e Kosovës si vendim prapakthyes.

Më vjen keq për Hashim Thaçin që bën një piruetë 360 gradë dhe bie në qëndrimin e mëparshëm. Ai ka qenë në tavolinë me Serbinë dhe tani thotë nuk ulem me Serbinë se nuk na njeh. Ky është një virus që rrezikon t’ju hyjë të gjithëve dhe rrezikon që të hyjnë në garë se kush është më patriot. Pse këta do të më tregojnë mua që jam tradhtar? Këta mua?

është shprehur Rama në “Zonën e Debatit”.

Ky lloj komenti erdhi në një intervistë që mëtonte të ezauronte shpjegimin e Tiranës zyrtare në këtë histori. Zoti Rama tentoi të bënte diversion ndaj Kosovës kur deklarimeve të kryeministrit në largim, Haradinaj, iu përgjigj se ftesa i kishte shkuar presidentit Hashim Thaçi. Pasi Thaçi refuzoi, Rama në intervistën e fundit me Baton Haxhiun foli për një kthim pas, tendenca izoluese etj.. Në të njëjtën intervistë kryeministri i Shqipërisë e akuzoi Albin Kurtin për naivitet dhe delir kur tha se ai sillet sikur do të shpëtojë botën.

Praktikisht, për arsye komplekse, zoti Rama e gjen veten në këtë takim të Tiranës të izoluar nga e gjithë Kosova në një kontekst kur ai ka dashur të promovojë një frymë të re bashkëpunimi. Në këtë pikë lidershipi kosovar ka mbyllur derën dhe me gjasë edhe Hashim Thaçi, mandati i të cilit po shkon drejt fundit, nuk ka më dëshirë të përfshihet në aventura rajonale që prodhojnë kosto.

Duke patur parasysh të gjitha këto, nuk mund të mos vësh re paradoksin që po zhvillohet: nga njëra anë Shqipëria shfaqet e gatshme për nisma rajonale të propozuara nga Serbia që ka treguar se ecën me laps në dorë, nga ana tjetër, kjo lloj politike e jashtme ka prodhuar ftohje me Kosovën, që është pjesë e pashkëputur e një bashkëpunimi rajonal që do të duhet të jetë i suksesshëm.

Sigurisht që koha do provojë drejtësinë e njërëz qasjeje dhe tjetrës, por përpara se të vijmë deri aty do të duhet që Minishengeni Ballkanik të vihet në zbatim. Pra këto marrëveshjet që tani shihen si takime liderësh të jenë konkrete. Zoti Rama po ecën vetëm në këtë rrugë. Ai ka injoruar edhe shqetësimet e biznesit shqiptar, por edhe kritikat publike.

Ai madje nuk nguron të japë gjykime për gjithkënd duke menduar se teza demagogjike “unë jam njeri i bindjeve të mia” do të shërbejë si alibi e fortë. Kjo është sjellje vazhdueshme e këtij politikani që mendon se politika e provokimit që ndjek përherë, do të prodhojë zhvillime reale. Nuk dihet nëse zoti Rama e sheh apo jo, por e vërteta politike është se ai ka humbur terren në opinionin shqiptar dhe e mira e këtij vetëizolimi në botën shqiptare është se tezat nacionaliste të tij kanë humbur edhe forcën demagogjike tashmë. Ekuilibri i vështirë mes kryeministrit dhe portretit të liderit kombëtar rezultoi i rremë sepse e rremë është edhe forca e Shqipërisë që guxon në mënyrë donkishoteske të luajë një rol paternalist në botën shqiptare, të cilin nuk ja përfill më kush.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.