Katrahurë, ende jo Diktaturë

Postuar në 18 Dhjetor, 2019 00:10
Skerdilajd Zaimi

 

Opozita kryesore politike në vend, por edhe një pjesë e gazetarëve po ngrenë alarmin se Edi Rama po instalon diktaturën. Me termin diktaturë e ke të thjeshtë të asociosh çdo epitet: enveriste, fashiste, narkopolicore etj.. 

Me ligjin e ri për mediat elektronike duket se opozita dalloi kepin e shpresës së mirë për përligjjen e kësaj akuze. Mirëpo me mendje pak të ftohtë gjërat nuk janë kështu. 

Kritika apo vërejtja ndaj kësaj sjelljeje politike nis padyshim nga premisa e përbashkët se z. Rama e ka mbyllur ciklin e qeverisjes së vendit. Atij i mungon ideja për të ardhmen të cilën më kot rreket të zëvendësojë me kauza menaxheriale siç është p.sh rindërtimi, apo edhe reforma në administratë. 

Zoti Rama ka humbur karizmën e dikurshme që u ngjiz nga naiviteti i shoqërisë, propagandës mediatike dhe kërkesave të ulëta të zhvillimit që blenë për sukses katër mure fasadë. 

Zoti Rama nuk tërheq më rininë, as është model i saj dhe këtu nuk pi ujë as sfida e hapur e snobit artist me veshjet atipike që mëtojnë të provokojnë një lloj showbizi personal. 

Më kryesorja, kryeministrit i është gërryer besueshmëria e cila siç ndodh rëndom me PS-në transferohet në siglën e partisë që bëhet gati për humbjen e radhës. 

Si mund të flitet atëherë për Diktator dhe Diktaturë? Arroganca dhe vaniteti janë tipare të një diktatori, por kur katalizohen nga akte të pashembullta. Qeverisja e z. Rama nuk dallon për vendime të guximshme, për reforma thelbësore. Ajo është një qeverisje si të tjerat që përpara se të matet me kritere të sakta, filtrohet si shtojcë e gjesteve të një njeriu. Rrugën diktaturës ia hap edhe niveli i ambicieve si dhe vullneti për t’i zbatuar ato. Z. Rama paralajmëron përditë qametin por prova e bëmave të tij të kujton atë këngën “Demua i kapardisur” të Vaskë Currit. 

Diktatura është diçka shumë serioze. Ajo madje është serioze edhe në zbatimin e ligjit, në materializimin e asaj që thotë. Nuk ka diçka të tillë në pushtetin e tanishëm. 

Një diktator shquhet edhe nga lloji i bashkëpunëtorëve të vet. Enturazhi i kryeministrit të kujton çdo gjë, por jo atë që parathotë një Diktaturë. 

Një Diktaturë kërkon kontroll dhe transformim. Pushteti i tanishëm do vetëm të parin duke qëndruar po njësoj si çdo pushtet pararendës. 

Por ka patjetër një fill diktature në këtë që ndodh. Është diktatura që vjen nga katrahuara, amullia dhe mungesa e simetrisë në sistem. Zoti Rama rezulton më i forti brenda një sistemi ku të tjerët sa vijnë e dobësohen. Patjetër që kjo peshore e çbilancon ekuilibrin, por këtë pasojë nuk kemi pse ta hiperbolizojmë si projekt politik. Zotit Rama i ka ngecur në dorë pushteti që i lënë të tjerët si opozita. Që i lë dështimi dhe diskreditimi i saj. Ndaj ndonëse jetojmë nën një qeveri arrogante deri në pikën sa po cenon pa asnjë kuptim rregullat minimale të bashkëjetesës, sërish kjo nuk e justifikon llojin e opozitës që kemi sot. E cila teksa bërtet diktatura, diktatori, në të vërtetë po konsumon të vetmen kartë sulmi që duket si tezë e natyrshme politike.

Z. Rama ka dëshmuar se edhe sikur ta ketë fushën bosh është në gjendje vetëm të prodhojë katrahurë ligjore dhe politike, një masiv ligjesh me dispozita penale dhe termin burg si pandemi, ndërkohë që në heshtje, sigurinë e vet po e kërkon te drejtësia “e re”. Çfarë diktatori t’i themi këtij? 

Mund të jetë shumë gjëra, por sa më e trashë akuza, aq më e gjatë shkon edhe tërkuza e qeverisjes së tij. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.