Miratohet paketa anti-shpifje

Postuar në 16 Dhjetor, 2019 14:36

Komisioni i Ligjeve ka votuar sot pro paketës “Anti-shpifje” me disa ndryshime nga projekti fillestar.
Drafti është kundërshtuar nga shoqata të gazetarëve dhe aktorë ndërkombëtarë të cilët edhe e kanë mbiquajtur si paketa antishpifje. Drafti parashikon kompetenca të zgjeruara të AMA-s dhe detyron portalet të heqin përmbajtje për të cilat ka ankesa. Më poshtë pjesë të draftit: 

 

Neni 18
Pas nenit 33 shtohen nenet 33/1 dhe 33/2, me këtë përmbajtje:
 

Neni 33/1
Detyrimet e OSHPE-ve
1. Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik duhet të bëjë lehtësisht, të aksesueshëm, në mënyrë direkte dhe të përhershme për publikun e gjerë, të paktën, infromacionin e mëposhtëm:
a) Emrin e ofruesit të shërbimit;
b) Vendndodhjen e zyrave qendrore ose vendqëndrimin e ofruesit të shërbimit, adresën e tij elektronike ose atë të faqes së internetit;
c) Organin kompetent të ofruesit të shërbimit.

2. Një ofrues i shërbimit të publikimit elektronik duhet të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e qytetarëve dhe të mbrojë integritetin e të miturve.

3. Një ofrues i shërbimeve të publikimeve elektronike duhet të publikojë paralajmërim të përshtatshëm për përmbajtjen e publikimeve, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, shëndetësor, moral, mendor, intelektual, emocional dhe social të të miturve.

4. E drejta e korrigjimit dhe e përgjigjes ndaj informacionit të publikuar, nëpërmjet një ofruesi të shërbimeve të publikimeve elektronike, do të ushtrohet në përputhje me ligjin që rregullon mediat.

5. Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike nuk duhet të nxisë, të shtojë nxitjen ose të përhapë urrejtje apo diskriminim në bazë të racës, prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, besimit politik apo tjetër, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjendjes financiare, anëtarësimit në sindikata, arsimit, statusit social, gjendjes martesore ose familjare, moshës, gjendjes shëndetësore, paaftësisë, trashëgimisë gjenetike, identitetit gjinor apo orientimit seksual.

6. Publikimi i informacionit që zbulon identitetin e të miturit nën moshën 18 vjeç, i përfshirë në çdo rast të dhunës, pa marrë parasysh nëse është dëshmitar, viktimë apo shkelës, ose zbulimin e ndonjë veçantie të marrëdhënieve familjare dhe jetës private të një fëmije, ndalohet.
 

Neni 33/2
Identifikimi/regjistrimi i ofruesve të shërbimit të publikimeve elektronike
Një person fizik a juridik, i cili ofron shërbime të publikimeve elektronike, do të aplikojë tek AMA për regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave të tij në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike. Ky identifikim nuk është parakusht për të ofruar shërbimin.”.

Neni 20
Pas pikës 6, të nenit 42, shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:
“6/1. Të gjitha format e komunikimeve me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive dhe publikimet elektronike për lojërat e fatit, bastet sportive, kazinotë dhe bingot televizive, janë të ndaluara.”.
 

Neni 21
Pas nenit 51 shtohet neni 51/1, me këtë përmbajtje:
Neni 51/1
Procedurat për trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave
1. OSHPE-ja është e detyruar të shqyrtojë çdo ankesë të arsyetuar të paraqitur me shkrim nga çdo person për programet e publikuara prej tij, lidhur me zbatimin e kërkesave të nenit 33/1, të këtij ligji.

2. Ankesa i paraqitet OSHPE-së jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e publikimit/transmetimit të përmbajtjes, ose në rastin e dy ose më shumë publikimeve të lidhura me njëra-tjetrën, nga data e publikimit/transmetimit më të fundit.

3. Personi që pretendon shkeljen, duhet t’i kërkojë ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik, duke paraqitur arsyet dhe faktet që mbështesin kërkesën, heqjen e përmbajtjes.

4. Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik, brenda 72 orësh nga marrja e ankesës, duhet të shqyrtojë ankesën dhe të informojë ankuesin.

5. Nëse OSHPE-ja refuzon ankesën, ose nuk kthen përgjigje brenda 72 orësh nga marrja e saj, personi ka të drejtë të ankohet pranë këshillit të ankesave. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga depozitimi/paraqitja e ankesës, vendos mbi ankesën përkatëse ose nga paraqitja e pretendimeve të OSHPE-së në rastet e zbatimit të pikës 6, të këtij neni.

6. Këshilli i Ankesave, kur e çmon të nevojshme, ia kalon ankesën e paraqitur OSHPE-së për të paraqitur pretendimet e veta brenda 48 orësh.

7. Pas shqyrtimit të ankesës dhe/ose pretendimeve të OSHPE-së, Këshilli i Ankesave, nëse çmon se ka shkelje, merr masat përkatëse, duke përfshirë sanksionet në përputhje me këtë ligj. Në çdo rast, këshilli i ankesave njofton me shkrim personin që ka paraqitur ankesën dhe OSHPE-në përkatëse mbi konkluzionet dhe masat.

8. OSHPE-ja publikon konkluzionin e Këshillit të Ankesave, kur ky konkluzion është në favor të personit që ka kryer ankesën, brenda 48 orësh nga marrja e njoftimit, në mënyrë të njëjtë me atë të publikimit, kundrejt të cilit është bërë ankesa.”.

Neni 22
Në nenin 52 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 3, numri “ ... 7 ... ” zëvendësohet me “ ... 3 ...”.
2. Në pikën 6, pas fjalëve “... periudhë sa më të shkurtër ...” shtohen fjalët “ ... por jo më vonë se 5 ditë ...”.
 

Neni 23
Pas nenit 53 shtohet neni 53/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 53/1
E drejta e përgjigjes për OSHPE-të
1. Çdo person, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit është prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të sakta prej OSHPE-së, ka të drejtën e përgjigjes.

2. Personi që ushtron të drejtën e përgjigjes, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, drejtuar ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik duke parash-truar arsyet dhe faktet që mbështetin kërkesën e tij.

3. Kërkesa për të drejtën e përgjigjes duhet të paraqitet tek OSHPE-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga publikimi i fakteve dhe informacioneve që pretendohen jo të sakta.

4. Brenda 48 orëve nga marrja e kërkesës, OSHPE-ja vendos për ushtrimin ose refuzimin e së drejtës së përgjigjes dhe për këtë njofton me shkrim kërkuesin.

5. Ofruesi i shërbimeve të publikimeve elektronike, nëse vendos për ushtrimin e të drejtës, publikon përgjigjen e personit ose institucionit që është prekur/përmendur nga publikimi, pa kosto financiare për personin e prekur/përmendur. Përgjigja duhet të publikohet e plotë, e dukshme dhe në të njëtën faqe ku është publikuar materiali që kontestohet. Nëse publikimi hiqet nga faqja/portali përpara se përgjigjja e personit të prekur/përmendur të publikohet, përgjigja duhet të jetë e vendosur në një pozicion të krahasueshëm dhe për të njëjtën kohëzgjatje si publikimi i mëparshëm.

6. Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen siç parashikohet në pikën 1, të këtij neni, nëse:
a) pala e prekur/përmendur nuk ka interes të ligjshëm për të dhënë përgjigje;
b) përgjigja në mënyrë të papërshtatshme tejkalon shkallën e pohimit të fakteve që kontestohen;
c) përgjigja nuk kufizohet vetëm në informacion faktik ose përfshin përmbajtje që kanë të bëjnë me ndjekjen e një procedure penale.
Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk kanë detyrim të publikojnë përgjigjen për lajmin/informacionin e kontestuar në lidhje me raportimet e vërteta në sesionet e hapura të organeve të Kuvendit dhe organeve të tjera shtetërore.
7. Nëse kërkuesi nuk merr një përgjigje brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, prezumohet se OSHPE-ja ka refuzuar kërkesën.

8. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga paraqitja e një ankese për refuzimin e së drejtës së përgjigjes nga një OSHPE, shqyrton çështjen dhe, nëse e gjen të drejtë ankesën e bërë, i kërkon OSHPE–së, korrigjimin e fakteve dhe informacioneve, në lidhje me personin e interesuar, në një mënyrë të ngjashme dhe kohë të njëjtë me atë të publikimit, objekt ankese, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit:
a) në fillim të procedurës së shqyrtimit të ankesës, këshilli i ankesave i kërkon OSHPE-së, të cilit i adresohet ankesa, dhënien e shpjegimeve në lidhje me këtë ankesë.
b) Këshilli i Ankesave i dërgon ankuesit dhe OSHPE-së përkatëse konkluzionet e arsyetuara për rastin.

9. Këshilli i Ankesave mund të refuzojë një ankesë kur:
a) vlerëson se ajo është abuzive dhe e pabazuar, apo e bërë në keqbesim;
b) e drejta e kërkuar për përgjigje është opinion personal i personit dhe ska të bëjë me rregullimin e ndonjë lajmi për ndonjë fakt apo fakti në vetvete;
c) e drejta e kërkuar për përgjigje përmban parashtrimin e fakteve dhe informacioneve të rreme;
ç) e drejta e kërkuar për përgjigje është bërë për të kërkuar parandalimin e veprimeve të pritshme apo që nuk kanë ndodhur ende;
d) përmbushja e së drejtës për përgjigje përfshin një ndëshkim, kapërcen rregullat e mirësjelljes, apo sjell dënimin e ofruesit të shërbimit të medias në një proces gjyqësor civil;
dh) personi i dëmtuar nga informacioni i kundërshtuar nuk ka interes të ligjshëm në momentin e kërkesës për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes;
e) publikimi i kundërshtuar përmban një thënie apo deklarim të personit të prekur, të tillë që konsiderohet i barasvlershëm me vetë përgjigjen e kërkuar ose kur personi ka dhënë pëlqimin paraprak në një mënyrë formale lidhur me përmbajtjen e publikimit;
ë) një korrigjim i barasvlershëm i të dhënave të informacionit të kundërshtuar është bërë paraprakisht dhe për këtë është njoftuar personi i prekur;
f) përmbajtja e përgjigjes së kërkuar dhunon të drejtat e një pale të tretë;
g) çështja objekt ankese lidhet me thëniet gjatë veprimtarive parlamentare, zhvillimit të seancave gjyqësore apo transmetimit të veprimtarive të subjekteve politike;
gj) publikimi i së drejtës për përgjigje nuk është në interes të publikut;
h) kërkesa është paraqitur në tejkalim të afatit.”.

Neni 24
Në nenin 132 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1, paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të:
i. publikuar formulën e ndjesës, sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar nga AMA;
ii. hequr përmbajtjen e cila shkel të drejtat;
iii. vendosur nëpërmjet AKEP-it një njoftim të karakterizuar teknikisht si “pop up”;
b) gjobë, shuma e së cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij;
c) pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose autorizimit dhe/ose aksesin në internet;
ç) uljen e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së licencës dhe/ose autorizimit;
d) heqje të licencës dhe/ose autorizimit.”.
2. Në pikën 3 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Në bazë të një vendimi të marrë nga AMA, në vijim të procedurës së parashikuar në këtë ligj dhe pas marrjes së mendimeve me shkrim nga AKCESK-u, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të:
a) bllokojë aksesin në internet, në rastet kur shërbimet e medias elektronike mund të nxisin kryerjen e një nga veprave penale në vijim:
i. Pornografi me fëmijë;
ii. Vepra me qëllime terroriste;
iii. Shkelje të sigurisë kombëtare;
b) vendosë një njoftim “pop up” në faqen e internetit/domain-in e portalit i cili përmban informacion mbi vendimet e organeve vendimmarrëse të AMA-s.”.
3. Në pikën 4, fjalët “... 30 ditëve.” zëvendësohen me “... 5 ditëve.”.

Neni 25
Pas nenit 132 shtohet neni 132/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 132/1
Masat për shkeljet nga OSHPE-të
1. Në rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, sipas neneve 33/1, 51/1 dhe 53/1, të këtij ligji, Këshilli i Ankesave vendos:
a) detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të:
i. publikuar formulën e ndjesës sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar nga AMA;
ii. hequr përmbajtjen e cila shkel të drejtat;
iii. vendosur nëpërmjet AKEP-it një njoftim të karakterizuar teknikisht si “pop up”;
b) gjobë, shuma e të cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij;
2. Këshilli i Ankesave vendos sanksione të parashikuara në këtë ligj jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes.
3. Kundër vendimit të Këshillit të Ankesave mund të bëhet ankim sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 132, të këtij ligji. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Ankesave.
4. Vendimet e Këshillit të Ankesave do të ekzekutohen nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. KA-ja nuk ka detyrim të parapaguajë tarifën ose tarifën për shërbimin përmbarimor.”.

Neni 26
Në nenin 133 bëhen këto ndryshime:
1. Fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHMA-ja dhe OSHPE-ja, kur ato nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Me gjobë:
a) nga 100 000 deri 1 000 000 lekë, në rastet kur:
i. nuk respekton detyrimet që rrjedhin nga nenet 33 dhe 33/1, të këtij ligji;
ii. nuk zbaton afatin e ruajtjes së regjistrimit të transmetimeve, sipas përcaktimeve të nenit 37, të këtij ligji.
b) në masën 800 000 lekë, kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave ose të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1, të këtij ligji.
Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare.”.
3. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) Në fjalinë e parë numri “... 120 000 ...” zëvendësohet me “... 800 000 ...”.
b) Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Mosrespektimi i vendimit të marrë nga AMA, në bazë të dispozitave të parashikuara në nenin 53, të këtij ligji.”.
4. Në pikën 10, përpara fjalës “... inspektorët ...” shtohen fjalët “... Këshilli i Ankesave ...”.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume thjesht! Vetem shtesat duan dy dite per tu lexuar dhe kuptuar. I gjithe ligji do dy jave! Per tu mbajtur mend te gjitha, duhen dy vjet lexim! Me keto ligje dinjiteti i njeriut ka per tu ruajtur ne menyre te persosur... kuptohet, vetem nga avokati!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.