Mazhoranca e vendosur për paketën antishpifje

Postuar në 14 Dhjetor, 2019 14:08

Mazhoranca socialiste vazhdon të mbrojë projektligjin për mediet elektronike pavarësisht kundërshtimeve të shumta. Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, anëtari i Komisionit Parlamentar për Median, socialisti Musa Ulqini, tha se projekti synon të rregullojë tregun e medias elektronike dhe se ai nuk cenon lirinë e fjalës.

Edhe në Shqipëri portalet janë bërë tashmë një faktor shumë i rëndësishëm i informimit të publikut, që ka sjellë vërtetë një gjë të re në mënyrën se si informohet dhe i ka dhënë një fuqi më të madhe pluralizmit të shtypit. Por edhe kjo gjë ka nevojë për rregullime…Ky nuk është një ligj kundër lirisë të medies, por përpiqet të rregullojë sektorin sipas disa standardeve demokratike mbi mënyrën se si informohet publiku nga portalet

thotë ai.

Një ndër aspektet e këtij drafti është zbardhja e mënyrës së financimit të portaleve duke sugjeruar kështu një qasje të ndryshme të politikës krahasuar me mediat e formateve të tjera tradicionale.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse është një nga kërkesat e gjithë institucioneve europiane që monitorojnë Shqipërinë, që të bëhen të njohura mënyra se si financohen portalet. Është shumë e rëndësishme që medie të mos ketë financime që vijnë nga para të pista të krimit, nga politika, nga biznese për të organizuar një luftë të pandershme konkurrence, ose dhe nga jashtë, nga burime të cilat mund të cenojnë edhe sigurinë kombëtare

thotë Ulqini.

Ky parashtrim sjell në vëmendje hipokrizinë e madhe të politikës e cila në 3 dekada ka toleruar median informale, me gazetarë të pasiguruar dhe më pagesa të dyfishta për ta. Kontrolli financiar i një medieje për të cilën flet Ulqini nuk është qëllimi i projektit dhe kjo pikë as që është vënë në diskutim nga ndonjë prej të interesuarve. Të argumentosh këtë pikë është një taktikë e vjetër për të tërhequr vëmendjen dhe një gati pafytyrësi në raport me qëndrime të deritanishme të shumicës në pushtet.

Një tjetër aspekt është ai i lajmit të rremë që do të luftohet me ligj.

Ky ligj vendos disa rregulla dhe i jep garanci shumë të madhe qytetarit, që kur një portal ka një ‘Fake Neës’, në një kohë të shkurtër ai të paraqesë me shkrim kundërshtimin e tij dhe portali nëse e gjykon të arsyeshme e publikon përgënjeshtrimin. Por nëse portali nuk bie dakord në këtë mes futet AMA, Këshilli i Ankesave, që e shqyrton kërkesën e qytetarit dhe kur e gjykon që qytetari ka të drejtë e detyron portalin ta publikojë përgënjeshtrimin. Ligji përpiqet të vendosë rregulla kundër ‘Fake Neës’ dhe të gjitha lajmeve që cenojnë të drejtat e fëmijëve, desinformojnë publikun, cenojnë apo nuk respektojnë të drejtën e autorit

sqaron Ulqini.

Deri më sot këtë proces e ka trajtuar gjykata dhe askush nuk është ankuar për lajmet e rreme.

Fjalëve të Ulqinit u mungon e vërteta pasi asnjë qytetari nuk i është mohuar e drejta për gjykim të drejtë në raport me ndonjë media. Ankuesi kryesor në këtë vend ndaj medias online është Kryeministri që sot depoziton projekte që rekomandojnë qytetarët si të veprojnë duke u vënë në dispoziocion institucione të cilat i ka në varësi personale si AMA. Është një betejë publike e nisur për qëllime politike për të cilën del në sipërfaqe një projektligj. Ulqini thotë se vërejtjet e bëra po merren parasysh nga ekspertët, por deri në miratim mbetet për t’u parë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.