Borova, reflektime histokratike të para me syrin e një fati individual të jashtëm*

Postuar në 11 Dhjetor, 2019 17:54
M. Burger

 

Kjo është një ditë shumë e veçantë dhe unike për mua deri më sot. Është një nder jashtëzakonisht i madh për mua që jam sot përpara jush si një qytetar austriak që merr pjesë në përkujtimin e 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi fashist. Dua ta bëj të qartë se unë këtu jam si person privat dhe nuk përfaqësoj ndonjë organizatë apo kombin austriak. Në ndryshim nga të gjithë folësit kryesorë që folën për tema të mëdha të kohës së pushtimit fashist të Shqipërisë, unë mundem dhe do të flas para jush për fatin e babait tim në lidhje me masakrën e Borovës dhe për qasjen time ndaj kësaj çështjeje që nisi në vitin 2012 dhe pati ndikim shumë të madh në jetën time. 

Babai im u lind në vitin 1922, një nga 12 fëmijët e një familjeje shumë të varfër që jetonte në një luginë edhe më të varfër akoma në pjesën më perëndimore të Austrisë së sotme. Në atë kohë, Borova ishte sipas gjetjeve të mia, një fshat i vogël, me prosperitet shumë më të mirë sesa fshati i babait tim. Vetëm 11 vjeç dhe pa perspektivë për jetën, ai u detyruar të shkonte në Gjermaninë e jugut që të punonte atje në një fermë të madhe.

Ato pak para që ai i fitonte i dërgonte në Austri për të ndihmuar familjen. Në këtë vit, pra 1933, në Gjermani erdhën në pushtet nazistët dhe unë mendoj se për herë të parë, im atë përjetoi një farë mirëqenieje për të gjithë njerëzit edhe pse ishte ajo konsistonte në ushqimin e përditshëm. Në vitin 1938, im atë nisi punë si në një kompani të vogël të zonës, por në  po atë vit në muajin mars, Austria u pushtua nga Gjermania Naziste dhe u integrua në të ashtuquajturin Rajhu Gjerman. Më 1 shtator 1939 me pushtimin e Polonisë nga Gjermania Naziste nisi Lufta e Dytë Botërore, në të njëjtin vit që Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë.  Në tetor të vitit 1941, babai im u thirr nën armë nga Vermahti, u trajnua gjatë vitit 1942 si një ushtar i Forcave Speciale Malore dhe u dërgua bashkë me njësinë e tij në Rusi, ku luftoi në malet e Kaukazit në fundin e vitit 1942 dhe fillim të vitit 1943. Kushtet e luftimit dhe ato klimaterike duhet të kenë qenë absolutisht brutale. Babai më ka treguar shumë pak nga luftimi me bajonetë, trup më trup, pa veshje dimërore, me pak ose aspak ushqim, në pisllëk dhe në mohim të vetvetes.

Ai më ka treguar po ashtu se humbi besimin te Zoti në atë kohë dhe në atë vend, sepse nëse ekziston ndonjë Zot, ai nuk do të lejonte gjëra të tilla ndaj qenieve njerëzore. Pas humbjes së Armatës së gjashtë në Stalingard në fund të vitit 1942, të gjitha njësitë gjermane duhet të tërhiqeshin nga rajoni i Kaukazit sa më shpejt të ishte e mundur në mënyrë që të mos kapeshin nga Ushtria ruse dhe me përpjekje dhe humbje të pabesueshme, por edhe me shumë fat, babai im shpëtoi dhe më në fund përfundoi në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha njësitë luftuese ishin pak a shumë në gjendje të tmerrshme, kishin humbur më shumë se gjysmën e personelit ndaj edhe ato u plotësuan me ushtarë nga njësi të tjera të huaja, shtuar oficerëve të rinj që ishin shpesh nazistë fanatikë.

Babai im u transferua në kompaninë e 13-të të regjimentit të 98-të Gebirgsjäger, i inkuadruar në Divizionin e Parë Malor. Njësia ishte e njohur në ushtrinë gjermane për trimërinë e saj në luftimet e mëparëshme në Europë, por po kaq e njohur ishte edhe kompania në fjalë veçanërisht për brutalitetin absolut të treguar në Rusi. Plani i Komandës së Lartë gjermane ishte dërgimi Divizionit të Parë Malor, të pajisur mirë dhe të mirëstërvitur kundër Ushtrisë Ruse në Hungari, por në këtë kohë kishte  zëra se anglo-amerikanët do të zbarkonin në Greqi për të dobësuar kështu forcën dominuese të Vermahtit në Europë.

Në mungesë të besimit të kapaciteti dhe aftësia e Ushtrisë Italiane, Komanda e Lartë Gjermane mori një vendim të ri për të tranferuar Divizionin e Parë Malor përmes Kosovës së sotme dhe bregut të Shqipërisë në Greqi, për të përballuar forcat anglo-amerikane që mund të zbarkonin nga momenti në moment, me një njësi të provuar në betejë. Dyshimet se zbarkimi do të ndodhte më shpejt nga sa mendohej çoi në një urdhër të ri që divizioi të dërgohej në Greqi sa më shpejt të ishte e mundur në Greqi, përmes Shqipërisë së Jugut, pra edhe përmes Borovës. Data e nisjes së operacionit u caktua 6 korrikut 1943 bashkë me një urdhër speicifik nga Komanda e Lartë Gjermane:

Në kalimin përmes territorit shqiptar duhet të mbahet një sjellje e përmbajtur kundër trupave dhe popullsisë.

Njësia e tim ati ishte caktuar me detyra rikonjicioni dhe në datën 6 korrik 1943 ajo u nis herët në mëngjes nga Shkupi përmes Follorinës në Shqipëri dhe më pas dejt Greqisë. Në orën 12:30 njësia arriti në Ersekë dhe u ndalua nga forcat italiane në zonë. Arsyeja për këtë ishte se sipas deklarimeve italiane, partizanët grekë ndodheshin më tej. Në orën 14:30 njësia e rikonjicionit u drejtua në Borovë dhe rreth orës 15:05 Borova ishte “e çliruar nga armiqtë”, që siç e dimë do të thoshte se 106 njerëz ishin vrarë dhe vetë Borova ishte djegur.

Babai im vdiq më 24 dhjetor 2009 dhe ndonëse e kam pyetur pambarimisht për përvojën e tij në luftë ai ishte shumë i mbyllur në këtë drejtim. Një ditë, si fjalë I ri që isha, gjeta në xhepat e rrobave të tij kalendarë të vegjël të viteve 1943, 1944 dhe 1945. Duke mos ditur vlerën e tyre sot, unë i ndonjëherë i përdorja ato si letra për të shkruar. Kështu që 1945 humbi, kurse 1943 dhe 1944 u ruajtën. Unë kam patur dhe vazhdoj të kem një interes shumë të madh për historinë dhe sidomos Luftën e Dytë Botërore dhe kështu rastësisht, në vitin 2012 gjeta në internet një libër që do të ndryshonte jetën time tërësisht. Titulli i librit ishte "Blutiges Edelweiss"(Ylli alpin i gjakosur) me autor Hermann Frank Mayer.

Ai kishte historinë e vet me të atin dhe si rezultat shkruajti këtë libër që merret me krimet e luftës së Divizionit të Parë Malor. Kur lexova librin, befas u përball me disa lidhje nga dhe me ditarët e babait tim. Dhe kur mbërrita në rrëfimet për korrikun 1943, nuk u besoja syve. Babai im ishte i përfshirë drejtpërdrejt në masakrën e Borovës. Nuk mund ta besoja në asnjë mënyrë dhe kalova me javë që ta kuptoja dhe ta pranoja një gjë të tillë. Babai im jo vetëm kishte luftuar, por edhe kishte vrarë gjatë luftës. U përpoqa të gjej shpjegimet për atë reagim masive në Borovë nga njësia e tij dhe për rrjedhojë në mars të vitit 2013 vendosa të shkoj në Borovë për të marrë përgjegjësinë dhe angazhimin tim. Ishte një udhëtim drejt së panjohurës për mua.

Por ajo çfarë përjetova në Shqipëri dhe sidomos në Borovë ishte si një epfani për mua. As urrejtje, as mëri nga askush për mua vetë, apo për babain tim. Vetëm një mirënjohje e thellë që ndanim me njerëzit e Borovës trishtimin e tyre, dhimbjen dhe kujtimin duke qëndruar së bashku në memorial.

Aty takova po ashtu edhe Jorgjia Simon. Ajo ëstë e vetmja femër që ka mbijetuar dhe që jeton ende. E shoqërova në Borovë edhe në vitin 2018. Ajo më tregoi historinë e vet dhe unë timen. I kërkova të më rrëfente sesi e kishte përjetuar masakrën dhe sesi e kujtonte ajo. Ajo më tha se shtëpia e saj ishte në krye të fshatit kur vije nga Erseka. Më tha po ashtu se një qitje nga Borova që do të godiste një ushtar gjerman, do të provokonte reagimin masiv të njësisë së rikonjicionit që rezultoi në masakrën e tmerrshme.

Kur u ktheva në Austri kërkova më shumë informacion dhe të dhëna nëse babai im kishte qenë realisht në Borovë dhe për shkakun dhe zhvillimet e kohës. Për këtë asrye vizitova dhe kërkova në arkivin e Vermahtit në Freiburg dhe arrita të merrja dokumentete origjinale që konfirmuan atë që tashmë dija. Më në fund kisha gjetur dokumente të rëndësishme që u përgjigjeshin të gjitha pyetjeve dhe në këtë mënyrë, të dyja historitë e ndara, të Jorigjies dhe të babait tim, u konfirmuan. Nëse historia do të kishte shkuar ndryshe, Borova nuk do të kishte ngjarë dhe babai im nuk do të kishte qenë aty ndonjëherë. Por nuk ndodhi kështu dhe tani Borova dhe Shqipëria janë bërë pjesë e përhershme e jetës sime.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Gjermania dhe Austria nuk përlqejnë që të merren shumë me ngjarjet e vogla aop të mëdha të saj. Rishikimi zyrtar dhe profesional i ngjarjeve të LIIB, nga këndvështrimi i të dyja vendeve, ishte shumë i njëanshëm, referuar mbledhjes së të dhënave, fakteve si dhe betejave heroike në të gjitha vendet. Kjo është po ashtu e dukshme në shumicën e literaturës së lirë që disponohet nga individë privatë në Gjermani dhe Austri. Edhe sot, ngrihen muret e heshtjes kur vjen puna për të analizuar në mënyrë kritike dhe hapur ngjarjet dhe LIIB trajtohet në shkolla shkurtimisht, si pjesë e historisë europiane.

Sigurisht që flitet për krimet e mëdha të luftës të kryera nga nazistët në Europë, por edhe në atë rast kjo ndodh në mënyrë sipërfaqësore dhe në kontekstin e përgjithshëm. Personalisht, p.sh, nuk kujtoj as ta kem dëgjuar fjalën “Shqipëria” apo “Borova” në leksionet e historisë së LIIB në jetën shkollore në Austri. Fati i Jorgjies dhe babait tim janë vetëm dy nga miliona të tillë gjatë luftës. Për mua është gati e pamundur të kuptoj sesi ata ja dolën psikologjikisht pas lufte. Të dyja palët ia kanë dalë në një mënyrë apo tjetër dhe krijuan familje. Tani si pjesë tyre, ata punojnë në mbajtjen gjallë të kujtimit të fatit të Borovës. Numri i dëshmitarëve bashkëkohorë nga LIIB do të vijë vazhdimisht duke rënë dhe shumë shpejt nuk do të ketë më të tillë që të jenë gjallë. Për këtë arsye është përherë e më e rëndësishme që pasardhësit e tyre direktë dhe fëmijët këtyre të fundit, të vazhdojnë të merren me këto çështje, të flasin me njëri-tjetrin në një mënrë vetëshpjeguese dhe me respekt.

Sot ne të gjithë duhet të luftojmë përditë kundër harresës, indiferencës dhe shpërfilljes në shoqëritë tona. Kjo duhet bërë në të gjitha vendet e përfshira dhe të prekura, por gjithashtu edhe mes vendeve që janë të interesuara.

*Fjala e mbajtur në konferencën me rastin e 75-vjetorit Çlirimit të vendit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.