Asnjë gazsjellës pa miratimin e Turqisë!

Postuar në 10 Dhjetor, 2019 12:43

Lëvizja diplomatike e Turqisë në firmosjen e një memorandumi me Libinë, ka provokuar shqetësime në Europë. Përveç Greqisë që është vend që preket drejtpërdrejt nga marrëveshjet detare në Egje, Egjipti, Qipro, por edhe BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Ankaraja që të heqë dorë nga ambicie të tilla. Në fakt asgjë nuk ka ndodhur. Erdogan ka mësuar të notojë në koniunkturën e ngatërruar të Perëndimit që po e shfrytëzon pa asnjë lodhje.

Në një opinion në EurActiv, ish-zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Henri J Barkei shkruan se presidenti turk ka neutralizuar Trump, duke goditur ndërkohë politikën e presidentit francez Macron në Siri, por tashmë edhe në Libi, përmes mbështetjes së qeverisë së Tripolit. Barkei shkruan se pavarësia e Erdogan lidhet pikërisht me këtë situatë, çka nënkupton se në fakt establishmenti diplomatik dhe politik i SHBA nuk e miraton një botë me sovranitet nacional. Sidomos për çështjet detare nisur nga fakti se SHBA është edhe një superfuqi detare.

Barkei i referohet me qasje kritike doktrinës turke të titulluar: Atdheu Blu, që parashikon zona të zgjeruara detare territoriale dhe ato të Zonës Ekskluzive Ekonomike. Mirëpo vetë Erdogan as nuk fshihet më pas lëvizjeve të tilla. Vetëm dje, presidenti turk ka deklaruar se me Memorandumin me Libinë, Turqia thjesht sa i ka treguar botës vendosmërinë e saj për të mbrojtur të drejtat e veta sipas ligjit ndërkombëtar. Ai ka sqaruar se ky hap që ka marrë sot vëmendje ka kohë që është firmosur, por u shty në kohë për shkak të vdekjes së liderit libian, Ghedafi, një fakt ky që tregon se teksa Erdogan potretizohet si dikush që nxiton, në fakt ai di të presë. Dhe të luajë jo me imagjinatën e tij historike, por me fuqinë reale të Turqisë që nuk po arrin kush ta kufizojë në rajon.

Aktorë të tjerë ndërkombëtarë nuk mund të bëjnë kërkime në zonat e caktuara në memorandum…Qipriotët grekë, Egjipti, Greqia dhe Izraeli nuk mund të ndërtojnë një linjë transmetimi të gazit natyror pa miratimin e Turqisë

është shprehur Erdogan dje.

Në thelb kjo është sfidë e hapur ndaj politikës së jashtme amerikane në Ballkan dhe Mesdheun Lindor, pasi për krijimin e të ashtuquajturit trekendësh strategjik, Qipro- Greqi-Izrael, ka investuar prej tre vitesh SHBA. Ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Ross Pyatt në mënyrë të vazhdueshme ka promovuar këtë lidhje që është kurorëzuar me koncesionet e kërkimit në Egje për Exxon Mobil.

Në këtë kuptim, Ankaraja ka bërë të qartë që jo vetëm nuk e pranon këtë realitet, por madje e sfidon atë dhe merr iniciativë konkrete në këtë drejtim. Me lojën e refugjatëve Erdogan ka fituar një marzh manovre kundrejt Europës që vuan nga patologjitë sociale antimigratore. Është krejt paradoksale, por në një farë mënyre Turqia ka fituar një rëndësi strategjike të madhe, edhe pse kalimtare për stabilitetin e brendshëm të vetë BE-së.

Përballë SHBA-së, Erdogan duket se po përsërit atë që bëri Kina në Detin e Kinës Jugore që përballë ambicieve të fqinjve, arriti të përparojë me hapa të vegjël, por të vendosur, duke neutralizuar konfliktin me SHBA.

Mosveprimi sot ndaj kësaj politike dhe asaj që po ndodh në Siri, hap rrugën që rishikimi i Traktateve Ndërkombëtare të shekullit të kaluar, të hyjë me të vërtetë në fuqi si politikë e ditës, përderisa dispozitat dhe rregullimet e tyre po sfidohen dhe domethënia e tyre po gërryhet. Në fund logjika e kërkon që një vend si Turqia të kufizohet nga fuqi të barabarta me të që mund të jenë ose një rend ndërkombëtar efektiv, ose nga fuqi të barabarta me të. Asgjë e tillë nuk ekziston sot, ndaj as Izraeli, as Greqia nuk kanë kapacitetin të kryejnë funksione strategjike të këtilla.

Për sa i takon Ballkanit dhe Shqipërisë, kjo që po ndodh duhet parë për pasojat që do të prodhojë, qoftë edhe në shtytjen e Athinës për të zgjidhur marrëveshjen detare me Shqipërinë, tani që ka një problem real me kufijtë në Lindje.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.