Histori/Kontributi i Koço Tashkos në përpilimin e një koncepti të politikës së aleancave gjatë LANÇL*

Postuar në 09 Dhjetor, 2019 16:39
Prof. Erwin Lewin

 

Kanë kaluar gati-gati 65 vjet nga koha, kur erdha për herë të parë në Shqipëri. Ne ishim studentët e parë gjermanë të deleguar vetëm 10 vjet pas mbarimit të Luftës së II-të Botërore për studime në vendin tuaj. Para nisjes për në Tiranë Prof. Maximilian Lambertz na informonte në Leipzig, që edhe albanologjia gjermano-folëse kishte një forcë tërheqëse qysh prej shekullit të 18./19-të me arritjet e saj rreth gjuhës shqipe dhe historisë shqiptare për intelektualët dhe shkrimtarët e Rilindjes. Ata u përpoqën të formojnë në rrethana të vështira historike një identitet kulturorpolitik dhe kombëtar. Kujtohem, që u pyeta në pushimet e para të semestrit në shtëpi, nëse nuk na kishin pritur si gjermanë me mosbesim ose bile me urrejtje? Ndërgjegja prej historiani më shtyn, që të tregoj për këtë në mënyrën objektive duke u nisur nga situata reale. Prof. Paskal Milo shkruan në librin e tij “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane”, që vlen të lexohet, për kushtet e atëhershme:

Historia ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e njerëzve për krimet e përgjakshme të nazizmit. Por shqiptarët nuk kanë mbetur peng i së kaluarës.”(1)

Unë mund të vërtetoj këtë në bazë të eksperiencës time. Studentët shqiptarë të kohës së pasluftës krenoheshin me fitorën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) dhe shfrytëzonin mundësitë e krijuara për të studjuar dhe për të sjellë dobi në krijimin e një shoqërie të re. Bahkëstudentët në Institutin e Lartë Pedagogjik, në të cilin jemi regjistruar në vitin 1956 dhe në Universitetin Shtetëror, i cili u themelua një vit më vonë, nuk na pritën me urrejtje, ata na pritën me krahë të hapurë. Kjo kishte të bënte  – siç mësova dhe kuptova së shpejti – me një veçori kulturo-historike të zhvillimit historik, që mikpritësit i kërkohet sipas dokes së vjetër të tregojë me bukë, kripë e zemër respekt ndaj të huajve.

Ne kemi ndjerë dhe përjetuar këtë dretpërdrejt. Bashkëstudentët na ndihmuan në mënyrën miqësore në mësimin e gjuhës së bukur shqipe. Edhe sot e kësaj dite mund ta përdor atë si mjet komunikimi me bashkatdhetarët tuaj në Gjermani me sukses. Lidhja ime shumëvjeçare me Shqipërinë ka rrënjët e saj në këtë bashkëjetesë të ngushtë e miqësore gjatë studimeve në Tiranë.

Jam i lumtur që kam rast të them falemnderit publikisht. Mirënjohja e veçantë i takon trupit mësimor, profesorëve të mi Aleks Buda, Kristo Frashëri, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj dhe shumë të tjerëve. Ata kanë vënë themele solide veçanërisht të historisë shqiptare për punën time të ardhshme shkencore.

Agresioni i Wehrmacht-it gjerman më 1939 kundër Polonisë, sulmi i pabesë mbi Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike më 1941 dhe lufta grabitëse e shkatërruese të shtetit fashist gjerman dhe të Aleatëve të Boshtit Italisë e Japonisë kundër popujve në lindje dhe juglindje të Evropës, kundër kombeve dhe shteteve në Evropën perendimore e në mbarë botën ka lënë gjurmë të papërfytyrueshme të vuajtjes njerëzore. Kampet e shfarosjes të SS-ve në Gjermani dhe në territoret e vendeve të okupuara ishin vende të llahtarshme të Holocaust-it.

Kjo qe e vlefshme për disa dhjetravjeçar pas shkatërrimit të fashizmit si miratim i përgjithshëm në  historiografinë liberalo-borgjeze dhe atë marksiste. Mirëpo kohët e fundit nuk duhet të tejkalohet pa e përmendur se janë paraqitur ndryshime të thella në dijën dhe kujtesën, që ekzistojnë boshllëqe, të cilat errësojnë “kulturën e përkujtimit.” Përkitazi me këtë nuk mund të arsyetohet, që me rritjen e gjeneratave të reja duhen bërë gjithashtu pyetje të reja ndaj historisë. Indiferenca ndaj krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është në rritje. Gjithashtu marrin jetë rryma politike, që përpiqen të relativizojnë ose bile të vënë në pikëpyetje konsesusin e përgjithshëm se nuk duhet përseritur kurrë një gjë e tillë si fashizmi nacionalsocialist. Pasiguria e dukshme ka bërë, që forca të djathta radikale fitojnë influencë mbi zhvillimin politik. Ato sillen si nacionalpopulistë dhe mbeshteten në qejfmbetje të popullsisë. Në vendin tim partia Alternativë për Gjermani kërkon, që të krijohet “një qëndrim i pakontraktuar ndaj kombit” dhe, që më në fund “të pranohen rezultatet e ushtarëve gjermanë gjatë Luftës Botërore”. Këta 12 vite të sundimit fashist nuk duhen tepruar- kështu arsyetohet-, sepse në thelb këta nuk ishin më shumë se “një jashtëqitje zogjsh” në historinë e gjatë gjermane.(2)

 (Kërkoj ndjesë që citoj këtë fjalë të pahijshme). Siç tregojnë rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në pranverë të këtij viti, parti të djathta populiste e nacionaliste kanë fituar vota edhe në vende të tjera të Evropës. Bie pragu për të treguar armiqësi ndaj të huajve, urejtje, rasizëm dhe ntisemitizëm.

Qëllimi i konferencës, që përvjetori i 75-të të mos vështrohet vetëm si rast kujtese është prandaj shumë aktual. Jubileu krijon mundësinë, që përkujtimi të shfrytëzohet në mënyrën aktive politikisht, domethënë të jep shtytje për të refuzuar tentativa të vlerësimit joshkencor të Luftës së II-të Botërore dhe të rezistencës antifashiste e të realizohet një konceptim pak a shumë objektiv i të së kaluarës. Shtrohet pyetja, si mund të arrihet ky synim? Unë e ndjej pezm përballë pozitave të lartëpërmendura. Mirëpo emocionet vetëm nuk mjaftojnë, janë të nevojshme arsyetime të mira, për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe mundësisht një konsesus politiko-shkencor. Mendoj duke marrë parasysh debatet aktuale rreth tematikës, që është sfidë e përhershme për historianë sidhe për studjuës me interesa sociologjike e politike të kërkojnë rrugë dhe mjete, për të përshkruar lëvizjen antifashiste në mënyrën më të besueshme dhe më bindëse.

Aty bën pjesë – përveç burimeve autentike – që të zbulojmë dhe shtjellojmë arritjet dhe rezultatet e dëshmitarëve të kohës brenda dhe jashtë Frontit Nacional Çlirimtar (FNÇ). Kontributi i tyre është mbuluar dhe u bë nam e nishan në shumë raste në të kaluarën. Dua të konkretizoj këtë duke u bazuar në kërkimet e mija mbi jetën dhe veprimtarinë e intelektualit dhe revolucionerit shqiptar, organizuesit aktiv të Luftës Nacional Çlirimtare, Koço Tashkos (1899-1984). Natyrisht mund të përmenden edhe biografi të tjera, për shëmbull Anastas Lula, gjurmat e të cilit ka ndjekur Prof. Muharrem Dezhgiu.(3)

Tashko, që kishte mik atëror peshkopin Fan S. Nolin, mishëron një pjesë të historisë kombëtare të kohës aktuale në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. I frymëzuar nga utopia e një projekti të botës së re, ai personifikon si shumë pjesëtarë të gjeneratës së tij, ndër të tjera Halim Xhelo (1894-1937), Lazar Fundo (1898-1944), Sejfulla Malëshova (1901-1971) ose Ymer Dishnica (1912-1998), tentativat për të kapërcyer strukturat e prapambetura shoqërore në Shqipëri dhe për të realizuar ndryshime demokratike dhe revolucionare. Pas studimeve në universitetin e Harvard-it në Boston intelektuali i ri u ndesh në vitet e 1920-ta me emigracionin e majtë shqiptar në Amerikën veriore dhe në Evropë. Tashko arriti të shkëputej prej shtrëngesave shoqërore të kohës së tij. Jeta e tij qe e mbushur me qëndresa e pengesa:

Si anëtar i PKSH-së, të cilën e kishte nisur në Korçë, ai vepronte në një periudhë kohe të ndërlikuar në memëdheun. Si funksionar i partisë dhe i shtetit pas vitit 1945 dhe si i përndjekur, ai ra në mallkimin e stalinizmit dhe jetoi mes bindjes dhe kundërshtimit. Pothuajse një çerek shekulli – gati deri në fund të jetës së tij – ai u detyrua të kalonte në internim politik dhe nëpër burgje. Me veprën e tij Tashko ka lënë një trashëgimi të pasur politike. Detyra qendrore pas okupacionit të Shqipërisë ishte, që të përpunohej sa më shpejtë një vijë e qartë politike për rezistencën. Politika e aleancave përbënte që nga fillimi për PKSH-në e krijuar 1941, por e dobët për nga numëri, absolutisht një kusht ekzistencial në luftën kundër okupatorit. Mirëpo kjo nuk qe e lehtë, sepse protagonistët nuk kishin përfytyrime të kthjellëta, si duhen të sillen me shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare, të cilat ndjenin krenari kombëtare dhe politikisht mbeten ende konservatore.

Nga Konferenca e Pezës dolën 1942 patjetër impulse, mëqenëse personalitete të njohurë si patriotë – për shëmbull Myslim Peza ose Abaz Kupi – u lidhën me FÇN-në. Prapëseprapë një pjesë jo të dorës së dytë të elitës së vjetër borgjeze, që nuk pranonte pushtimin italian dhe më vonë atë gjerman, rrinte e priste jashtë FNÇ-së. Ndaj atyreve kishte ngurrime në udhëheqjen e PKSH-së. Mbizoteronte pikpamja, e përforcuar nga këshilltarët jugosllavë në majen e udhëheqjes si Miladin Popović e Dušan Mugoša, që të ashtuquajturë nacionalistë duheshin hyrë në FNÇ-në dhe anëtarët e partisë të qëndronin në krye të luftës kudo. Mbasi u prish marrëveshja e Mukjes në gusht 1943 kjo u ngushtua në formulën: Nëse partneri nuk përputhet me pozitën e vet, nuk ka gjë të përbashkët.

Koço Tashko mori ndikim gjurmëlënës me eksperiencën e tij shkencore e poltike në politikën e aleancave. Ai i përkiste atyre pak anëtarëve në parti, i cili pas kthimit në Shqipëri në vitin 1937 që në pragun e Luftës së II-të Botërore kishte përpunuar shpirtërisht kete ide, sidomos me punën e tij praktike në Grupin e Korçës. Pas pushtimit të Shqipërisë ai këmbënguli, që të realizohet politika e bashkimit të gjerë. Në raportin e tij, të cilin pregatiti në vjeshtë 1942 për Komitetin Ekzekutiv të Kominternit, Tashko kritikonte pikpamje të ngushta në parti rreth bashkëpunimit me përfaqësues të forcave nacionaliste, prandaj u shkarkua si një nga raportuesit në Pezë dhe u mënjanua si kandidat për t´ u zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm; atij iu lejua vetëm të merrte pjesë në konferencën si delegat (Desha të bëj këtu një shënim të vogël se ishte për mua një moment i prekshëm, kur mbajta në dorën mandatin e tij si delegate pranë tavolinës së këshillimit në muzeumin e Pezës).

Tashko nuk u gabua kollaj prej këtej, ai pranonte realitetin si sfidë. Ai kuptonte, që në kushtet ekzistuese nuk mjaftuan komitë të veçuarë dhe u angazhua për një lëvizje të tërësishme të rezistencës me frymëmarrje të gjerë të forcave të ndryshme politike. Për atë ky bashkëpunim ishte një kusht i domosdoshëm për të arritur një sistem demokratik, në të cilin secili posedon liri mendimi dhe të drejtën të vendos mbi fatin e vet. Pasi iu bashkangjit një pjesë e territorit të Kosovës mëmëdhesë në kuadër të “rregullimit të ri” fashist të Evropës, duhej përfshirë në këtë lëvizje gjithashtu popullsia shqiptare e Kosovës. Ai trajtonte me këtë një problem, që preokuponte shumë njerëz jashtë PKSH-së; më saktë çështjen kombëtare, e cila lindi në kushtet historike specifike në kohën e luftrave ballkanike.

Tashko mori në vështrim në shoshitjet e tij gjithë procesin e ndërlikuar historik dhe u përpoq të merrte parasysh lidhjet politike, etnike e konfesionale sidhe shtigjet gjarpëruese të forcave të ndryshme. Koncepti “internacionalist” i PKSH-së, që u mbështet në bashkëpunimin me PK të Jugosllavisë në luftën e partizanëve, parashikonte, që shqiptarët në Kosovë të vendosnin mbi të ardhmën e tyre në bazë të së drejtës për vetëvendosje pas dëbimit të pushtuesve të huaj. Në praktikën lindën ndërsa shumë probleme, sepse partizanët arritën vetëm me zor të zinin vend atje. Koço Tashko kishte mosmarrëveshje serioze me këtë koncept politik. Ai nuk arsyetonte kallëp, as nuk ngatërronte idealin me realitetin. Ai zbuloi me një çiltërsi të shënuar sa force shpërthyese përmbante koncepti “internacionalist”, sepse me këtë nuk mund të mobilizohej popullsia shqiptare kundër okupatorët fashistë. Në raportin e përmendur nga vjeshta 1942 ai përshkruante saktësisht pozitën e udhëheqjes së PKSH-së “si një gabim, që do të ketë konseguenca të këqija për ne.... detyra e jonë imediate nuk është të presim sa të bëhen Shqipëria dhe Jugosllavija shtete demokratike por të mobilizojmë tërë forcat shqiptare për ta bërë Shqipërinë Demokratike.”(4)

Ai ishte i bindur se ndjenjat nacionale duhen tërhequr me shumë vemendje për të ndaluar, që Kosova të bëhet rezervë e armikut fashist. Kështu ai kërkonte një politikë elastike në interes të formimit kombëtar dhe kritikonte mungesën e parullave konkrete politike. Tashko propozoi që të krijohet në Kosovë një organizatë me vete komuniste ose të paktën një Këshill Nacional Çlirimtar, i cili u zgjodh më vonë në fundvitin 1943/fillim të janarit 1944 në Konferencën e Bujanit.

Tashko i dha mjaftë bashkëluftëtarëve një orientim të drejtë politik në një situate ekzistenciale. Ai iu drejtua problemeve të reja në mënyrë të hapur, të lëvizshme dhe luftarake, duke nisur prej dy premisave themelore: historicitetit dhe dialektikës: Secili i këtyre elementeve kërkonte një analizë konkrete e historike, heqje dore nga formula të përcaktuara sidhe prej supozimit të një zhvillimi pa kontradikta. Kur ai qëndronte në rrethin e Gjirokastrës nga nëndori 1943 deri në prill 1944, ai përkrahu këshillat lokale të çlirimit dhe kundërshtoi konceptin e gabuar se Balli Kombëtar është armiku kryesor dhe jo pushtuesi. Sekretari i atëhershëm i PKSH-së në kundërshtim nuk posedonte, siç ka pranuar vetë në Plenumin e II-të të Komitetit Qendror të PKSH-së në tetor 1944 në Berat, eksperiencën e duhur dhe kushte paraprake politike e organizative.(5)

Në vend që të gjykohej situata me arsye të ftohtë, rezerva dhe paqartësi teorike gjithashtu rrethana objektive si mosbesim ose dyshime prej partnerëve të mundshëm nga blloku nacionalist-borgjez vështirësonin detyrën për të bashkuar të gjitha forcat e gatshme në një front gjithkombëtar. Në fund të fundit nuk mund të mënjanoheshin edhe dukuri dhe forma të një lufte civile.

Kthehem ke pikënisja ime, që ripërtëritja e biografisë dhe i dinjitetit të personit të vlerësuar gabimisht si “armik i popullit” është në kohëra destruktive një kontribut kundër harresës dhe mënjanimit, për ruajtjen e traditave dhe mësimeve historike. Një dëshmi për arsyetimin e Tashkos si politikan me qëndrim realist dhe demokratik qe në vazhdimësi qëndresa e tij e hapur kundër politikës së izolimit të vendit në vitet e 1960-ta. Ai nuk u tremb, me gjithë rreziqet për jetën e vet dhe për fatin e familjes. Koço Tashko, sadoqë nuk ia arrinte qëllimit në çdo rast, ka meritën të ketë kontribuar, që nga FNҪ-ja rrjedhnin fuqi e forcë të jashtzakonshme, guxim e kurajo dhe sakrifikim, të cilat çonin në fitoren e popullit kundër pushtuesve fashistë. Shqipëria u bë një partner i denjë i Koalicionit të përbotshëm antifashist për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë.

Dua të përfundoj me një fjalë të shkrimtares austriake Ingeborg Bachmann: “Historia na mëson gjithnjë, por ajo nuk gjen nxënës.”(6) Besoj, që lidhur me diskutimet aktuale duhej thënë: Historia ka sot nevojë më shumë se kurrë për nxënës të etur për dije.

 

  1.  Paskal Milo, Udhëkryqe shqiptaro-gjermane, Botimet TOENA, Tiranë 2016, f. 12.
  2. Shih Gregor Gysi, Keinen Geschichtrevisionismus zulassen, në: Rundbrief. BAG Antifaschismus der Partei Die Linke, 2/2019, Berlin 2019, f. 19
  3.  Shih Muharrem Dezhgiu, Anastas Lula. Disident i parë në PKSH, Globus R, Tiranë 2004.
  4. Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), F 14, D 5, fl. 3,4.
  5.  Shih AQSH, F 14/AP, D 2/1, fl.81 në vijim.

 

*Fjala e mbajtur në Konferencën e organizuar me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Koco Tashko, njeriu qe mbajti me para Enverin dhe Levizjen N.-Cl., mbajti nje qendrim te denje mosperkuljeje ndaj Enverit ne kembim te dekadave '50-'60. Ishte per levizjen leniniste te revizionimit te her pas hershem te partise, per üastrimin dhe rigjallerimin e saj, gje e cila nuk i pelqente Enverit, sa e spostoi dhe e internoi me pas permes veglave te tij, Mehmetit, Manushit, Ritas.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.