Erdhi Shpëtimtari...

Postuar në 07 Dhjetor, 2019 12:44
Skerdilajd Zaimi

 

Po të shohësh materialet propagandistike të shpërndara nga zyra e kryeministrit, punët në Shqipëri janë shkëlqyer. Njerëz të dërrmuar nga tërmeti, por edhe që e përshfaqin natyrshëm varfërinë që kanë, dalin të lumtur që Udhëheqësi, veshur me tuta si të ishte një i vetëpunësuar për transport mobiljesh me dum-dum, ia beh në shtëpinë e tyre. Një shaka aty, një fotografi më tej, kalamaj që gëzojnë dhe ja, panorama idilike e inkastrimit shpirtëror paraqitet si më mirë nuk ka.

Në media lexohen fjali magjike si kjo p.sh:

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe biznesmeni Luan Bregasi i dorëzuan sot çelësat e shtëpisë së re gjyshes së familjes Hide Lami, e cila nga ana e saj i falenderoi që arritën të bënin realitet një ëndërr

Kryeministri që betonizoi Shqipërinë, apo që ta themi më saktë, është një dashnor jomodest i betonit, e di shumë mirë kur duhet të trashë zërin. Atyre që u ka dhënë vetë lejet e ndërtimit, të cilëve sot u dikton arkitektin dhe projektin, po u thotë: Riparoni dëmet pa fjalë!

Ka marrë një hu në dorë e ka vënë para të ashtuquajturit oligarkë që po rrinë urtë e kanë nisur brigadat e punëtorëve për të mbushur qoshet, çarjet dhe hedhur një bojë sipër.  Këtu në veprim është logjika e antitregut: ke marrë para sa ke dashur, tani ec, hidh ca lekë që të mos fëlliqemi!

Po ku vepron ligji këtu? Si mundet të ketë kaq autoritet një kryeministër kur pallatet, objektet dorëzohen konform lejeve dhe kërkesave të ligjit? Si mund të mos ketë një inspektoriat që të prononcohet për këto që kanë ndodhur? Ka një hetim po, por ai është pjesa më e padomosdoshme e manifestimit propagandistik që ka në qendër vetëm një njeri. Ai hetim ndoshta do të përdoret siç ndodh rëndom në këtë vend për të shantazhuar atë që nuk bindet.

Ajo që është krejt e pabesueshme është buzëqeshja dhe gëzimi i njerëzve të prekur nga tërmeti tek takohen me kryeministrin që u del përpara si bamirësi i vetëm për ta, si i vetmi që mund t’u japë diçka në këtë ditë të zezë. Asnjë mekanizëm ligjor, asnjë mbrojtje nuk ka për këtë kategori. Në mëshirën e mirësisë së një njeriu, ata janë dekori i një fushate të re që po kërkon të shesë një Shqipëri që nuk ekziston.

E pamë këtë lëshim turravrap në betejë edhe gjatë protestës së studentëve, me kryeministrin tinzar, që sapo pikasi nivelin e studentëve, apo atyre që flisnin, i futi në kurthin e përballjes publike të cilën ai e fitonte.

Kjo është Shqipëria e sotme e varfërisë së skajshme, e padijes që e mban në burgun e të keqes më të vogël, që ia ka lënë skenën e spektaklit politik një njeriu të vetëm. Një Shqipëri me një shoqëri që rend pas asaj që sheh dhe nuk sheh ato që shoumenët bëjnë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.