Kur qytetarët nuk pranojnë të jenë fasadë

Postuar në 05 Dhjetor, 2019 14:52

Jeruesalem Post, një media e njohur në Izrael, raportonte dje se në qytezën italiane, Schio në periferi të Vinçencës, është refuzuar vendosja e një memoriali që përkujton Holokaustin.

Vendimi është marrë në Këshillin Bashkiak që ka arsyetuar se memoriali që konsiston në pllakëza me emrin e viktimave nga ky qytet është përçarës. Mediat citojnë përfaqësues të Këshillit që shprehen se viktimat duhen lënë në paqe pa riaktualizuar mesazhe përçarëse. Propozimi u paraqit nga Partia Demokratike dhe refuzimi i tij ka provokuar reagime nga Unioni Italian i Komuniteteve Hebreje. Kryebashkiaku i Schios, Valter Orsi e ka mbarjtur vendimin duke theksuar se:

Ne nuk mbështesim shfrytëzimin politik të ngjarjeve. Një pllakë që përkujton viktimat e kampeve tashmë ekziston në qytet

Këto qëndrime nuk kanë rëndësi për argumentin që paraqesin, por për faktin se ato shfaqen edhe për çështje etike si kjo e përkujtimit të Holokaustit. Është këshilli që vendos, pra qyteti dhe qytetarët që janë të pranishëm me zërin e tyre në akte të tilla.

Dhe po flasim për Italinë ku komunitetet nuk funksionojnë aq mirë dhe në mënyrë të organizuar si psh në vendet nordike apo Gjermani dhe Beneluks.

Këto shembuj ilustrojnë nevojën që qytetarët të organizohen dhe të mos pranojnë të bëhen pjesë e fasadave ku vendos vetëm një njeri. Na shkon në mendje Tirana, një qytet i askujt ku çdokush tregon historinë që do. Një qytet ku organizohen të ashtuquajtura “dëgjesa me banorët” që janë militant partie, pra as qytetarë me bindje të caktuara. Dhe në fund buxheti, fondet, monumentet dhe memorialet vendosen fshehurazi, madje edhe natën.

Në Tiranë kemi një bust të Papa Françeskut, një të Papa Gjon Palit, një memorial për viktimat e grushtit të shtetit në Turqi, bunkarte etj.,por nuk dihet sa janë pyetur qytetarët e saj për të gjitha këto. Këshilli Bashkiak? Një trupë e emëruar nga partia.

Kriza e një qyteti manifestohet pikërisht në artificialitetin e institucioneve dhe mekanizmave që janë miratuar. Kemi vendimmarrje demokratike në letër, por autarkike në praktikë. Ndaj shembulli i Schios është I vyer për të kuptuar më mirë edhe qëndresën e deritanishme për të mos lejuar prishjen e Teatrit Kombëtar. Nuk mund të vazhdojë gjatë politika që e sheh Tiranën si çiflig personal të një njeriu që cakton ndërtime lagjesh dhe objektesh me arkitektët që do. Në thelb kjo nuk ka të bëjë vetëm me aspektin demokratik dhe estetik, arbitraritetin etj., por edhe me faktin se kjo që po ndodh po përcakton ndarjen e pasurisë në këtë vend. Dhe kjo mënyrë që sot shitet si tirani progresive e dikujt që nuk ka kohë të sherroset me miletin, është premise e atij destabilizimi sociale nesër. Dhe sikundër tërmeti na dukej përherë diçka e largët, ashtu edhe protesta do të vijë. Sepse po krijohet një mjedis i pajetueshëm nën një menaxhim që ka zhvatjen si parim kryesor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.