Irlandezi, një film alla Scorsese

Postuar në 03 Dhjetor, 2019 15:55

Në media të shumta po diskutohet dhe flitet me entuziazëm për filmin e ri të regjisorit Martin Scorsese, “Irlandezi”(The Irishman).

Filmi bazohet mbi librin e autorit Charles Brandt, “Kam dëgjuar se lyen shtëpi” të vitit 2004, titull që ilustron një thënie të protagonistit Frank Sheeran. Sheeran, i njohur si Irlandezi, ishte pjesë e familjes mafioze Bufalino në Pensilvani dhe në intervistën dhënë për Brandt pretendon se ai ka vrarë sindikalistin e njohur Jimmy Hoffa, apo edhe gangsterin Joe Gallo.

Pretendimet e Sheeran janë vënë në diskutim nga disa burime, por duhet thënë se ai është irlandezi i dytë që pati akses në punët e brendshme të Cosa Nostras amerikane. Filmi po diskutohet për aftësinë e Scorseses për të sjellë një atomsferë të viteve ’60-70 përmes katër aktorëve të njohur për këtë zhanër, si Al Pacino(Hoffa), Robert De Niro(Sheeran), Joe Pesci(Russel Bufalino) dhe Harvey Keitel(Angelo Bruno), të gjithë në moshën e tretë sot.

Filmi rindërton aktivitetin e katër protagonistëve të krimit dhe politikës ku narrator është Sheeran që depërtoi në botën e krimit pas Luftës së Dytë Botërore përmes një kontakti me familjen Bufalino. Kthimi në kohë paraqet vështirësi për regjizorin që ka zgjedhur aktorët e tij të preferuar duke shmangur zgjedhje të tjera për arsye që mund të kuptohen më mirë me një lloj kulture referuese që emra si Pacino, De Niro dhe Pesci përbëjnë për rolin e mafiozit Italian të viteve ’70 në SHBA.

Të gjithë janë vendosur në raporte moshe dinamike, në plakje të vazhdueshme gjatë filmit, ndërkohë që vetë në jetën reale janë pleq. Ndoshta për këtë arsye regjizori citohet të jetë lutur publikisht që filmi të mos shikohet në celularë, por të paktën në iPad. Kjo sepse sifda e këtij filmi ka qenë grimi dhe nevoja që aktorët të shfaqin energjinë e nevojshme që përçon bota e krimit.

Scorsese ka përsëritur edhe më parë se bota ka ndryshuar, se askush nuk shkon më në kinema. Pra filmi vetë si pjesë e artit po sfidohet në përmasën e shfaqjes që ishte në fakt forca e tij. Sa për të tjerat, kushdo që ka parë filmat e Scorseses do hiqte bast edhe pa ditur gjë që regjizor i këtij filmi është vetëm ai. Aq sa të duket e vështirë të mos mendosh se De Niro dhe Pesci ndërveprojnë shpesh nën ndikimin e filmave të mëparshëm si Casino, apo Good Fellas. Kimia e tyre të duket se është po ajo që e hasim te kryevepra e Scorseses, Raging Bull, por ku autoriteti nuk kuptohet pse anon përherë nga De Niro. Kjo ecejake e kujtesës ndërvepron gjatë filmit me skena dhe biseda duke krijuar një kolazh interesant për imagjinatën dhe një kënaqësi për faktin se Scorsese nuk zhgënjen. Ajo është vula e tij, ndonëse edhe dobësia përderisa nuk ka asgjë të re.

De Niro del qysh në fillim pak i shëndoshë dhe I ngathët, një dikush që dëgjon dhe bindet pa bërë zë kapos Russel Bufalion. Afeksioni mes të dyve në proces është kaq i natyrshëm saqë edhe sikur filmi të ishte një trillim i pastër, vrasja e Hoffas nga Sheeran do dukej e besueshme plotësisht. Sqarojmë se Sheeran u dërgua nga Bufalino dhe Cosa Nostra pranë Hoffas për të qenë krahu i tij i djathtë, por ai u lidh shumë me Hoffan, që portretizohet nga Pacino si një delirant ambicioz dhe aventurier emocional shpesh i paqëndrueshëm.

Batutat, qëndrim, kostumet, kodi i komunikimit, shikimet mafioze, kaq shumë të përdorura nga Scorsese janë po ato. Mimika e De Niros në kësi rolesh duket se zgjidh hallet e çdo regjizori, po aq sa plastika e Pescit. Ky është Scorsese të cilin vështirë se do ta kalojë kush në këtë lloj përpunimi. Një lloj Leone i Mafies së shekullit të 20-të.

Pse atëherë duhet të na pëlqejë “The Irishiman”? Për vërtetësinë e realitetit gri politikë-krim që është tashmë dominues, për aspektin njerëzor që ngre krye në një moçal morali që është kalbur Lart, por të cilin shoqëria e inspekton vetëm Poshtë. Scorsese bën një lloj amnistimi të mafiozit që nuk do ta shohë si kriminelin par excellence, por si një njeri të ndërlikuar që ka brengat e veta. Brenga që duhet të jenë në fakt edhe ato të vetë Amerikës që e toleroi flirtin e gjatë me Mafien.

Në fund, Bufalino i rrëfen Sheeran se ai e donte Hoffan, por se “zgjodha Ne në vend të Atyre”, ndërkohë që kodi mafioz e lë Irlandezin të vetëm. Atë e refuzon edhe familja. Një i Huaj në një botë italianësh. Që tregon një sekret që në fakt ka munduar një pjesë të Amerikës, një sekret që zbulon banalitetin e një konspiracioni që nuk shkon përtej përplasjes për interesa ekonomike dhe pushteti ku Hoffa kërkoi të luante një rol më të madh sesa mund të mbante.

Mund të thuhet me siguri se do të jetë e vështirë që mafiozi amerikan të skalitet në kinema më mirë sesa kaq. Kjo është meritë dhe arritje e regjizorit, por edhe e aktorëve në fjalë që kanë lënë një trashëgimi të vyer dhe kaq të kuptueshme për të gjithë.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.