Raporti i Europol për 2019, jemi në zonën e medaljes për trafikun e drogës

Postuar në 26 Nëntor, 2019 18:05

Shqiptarët vijojnë të jenë faktor i rëndësishëm në trafikimin e drogës në Europë. Në raportin e Europolit për vitin 2019, grupet kriminale shqipfolëse cilësohen si ndër më të fuqishmet në Ballkan. Raporti analizon tregjet dhe rrugët në të cilat kryhet trafikimi i disa llojeve të lëndëve narkotike brenda dhe drejt vendeve të Bashkimit Europian.  

Aktivitetet kryesore të organizatave kriminale shqipfolëse në BE shtrihen në krimin e organizuar të pasurive, lehtësimin e migrimit të paligjshëm, trafikimin e disa llojeve drogërash, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore dhe falsifikimin e dokumenteve. Organizatat që flasin shqip janë të përfshira në trafikun e kokainës, janë mjaft aktivë në shpërndarjen e kanabisit (dhe së fundmi në prodhim) dhe luajnë rol në aktivitetin e hershëm të heroinës turke. Ata gjithashtu tregojnë shenja të furnizimit në mënyrë të pavarur në tregjet e hershme për kanabis dhe kokainë. Modeli i tyre i të veprurarit karakterizohet nga dhuna dhe të qenët të pamëshirshëm”, thuhet në raport.

Të përfshirë në trafikun e drogës dhe atë të qenieve njerëzore

Sipas raportit, në Ballkan janë disa organizatat që operojnë në të dy këto fusha të aktivitetit të paligjshëm. Ballkani ofron shumë mundësi për lidhje të tilla. Rajoni ka një histori konflikti dhe paqëndrueshmërie dhe gjeografikisht është i vendosur në rrugën kryesore të trafikimit të heroinës nga Afganistani në Evropë si edhe një korridor tranziti dhe destinacioni për qeniet e trafikuara.

Ndër organizatat kriminale aktive në këtë fushë, grupet shqipfolëse janë të spikatura. Pas luftës së Kosovës, disa shtetas shqiptarë shfrytëzuan rastin për të marrë statusin e refugjatit duke pretenduar se ishin kosovarë, gjë që më pas u lejoi të lëviznin jashtë vendeve të tyre, duke krijuar një diasporë të re në të gjithë Evropën. Brenda këtyre komuniteteve, elementët kriminalë kanë qenë në gjendje të veprojnë. Termi 'shqipfolës' është i rëndësishëm, pasi përfshin një varg kombësish të ndryshme që ndajnë të njëjtën gjuhë dhe prejardhje etnike, kryesisht shtetas shqiptarë, por edhe shqipfolës me origjinë nga Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe komunitete të ndryshme brenda Evropës. Duhet të theksohet se kufijtë dhe kombësia nuk janë të rëndësishme për operacionet e këtyre rrjeteve komplekse të organizatave kriminale shqipfolëse”, thuhet më tej në raport.

Trafikimi i drogës me avionë

Transporti ajror përdoret për trafikimin e drogës brenda dhe drejt BE-së. Dy janë mënyrat në të cilat përdoret aviacioni civil: transporti ajror i planifikuar, përfshirë fluturimet e pasagjerëve dhe ngarkesave që veprojnë në rrugë të planifikuara rregullisht dhe aviacionin e përgjithshëm, i cili përfshin të gjitha fluturimet e tjera civile tregtare dhe private. Aviacioni i përgjithshëm, kur përdoret për qëllime kriminale, përfshin një larmi aeroplanësh, duke filluar nga avionët e biznesit deri tek aeroplanët më të vegjël, siç janë aeroplanët ultra të lehtë, helikopterët dhe mjetet ajrore më të fundit pa pilot, siç janë dronët.

Organizatat kriminale përdorin avionët e vegjël (të njohur si ultraleggero). Në këtë pikë, Shqipëria përmendet në raport për fluturime të kësaj natyre nga dhe drejt Italisë.

Trafikimi i drogës mes Shqipërisë dhe Italisë bëhet me fluturime që nisen nga klubet e aeronautikës, lëvizin në lartësi të ulëta dhe zakonisht “maskohen” si udhëtime për qëllime turistike. Ata kalojnë detin Adriatik dhe ulen në zona të thella të Shqipërisë. Fluturimet kriminale operojnë në mënyrë të ligjshme dhe klandestine. Këto të fundit, të njohura edhe si “fluturime në të zezë” janë fluturime që kryhen plotësisht klandestine, të paraportuara, në lartësi shumë të ulëta nga toka, me radio të fikura, pa radarë dhe duke përdorur vetëm orientimin vizual”, thuhet në raport.

Kanabisi

Një vend jashtë BE-se, Shqipëria ka qenë për shumë vite prodhues i kanabisit të destinuar për në tregun europian. Në raport theksohet lufta e viteve të fundit kundër kultivimit të kanabisit, me mbështetjen e Guardia di Finanza-s italiane dhe përmenden operacionet e viteve 2016, 2017 dhe 2018. Megjithatë, sasi të kanabisit që lëvizin nga Ballkani drejt vendeve të BE-së lënë vend për dyshime se ka ende depozita të kanabisit ose prodhimi mund të bëhet në mjedise të mbyllura.

Shqipëria kapi mbi 30 tonë kanabis bimë në vitin 2016 dhe më shumë se 78 ton në 2017. Vetëm Turqia (92 ton) dhe Italia (90 ton) kapën më shumë kanabis bimor sesa Shqipëria në të njëjtin vit. Ulja e vërejtur në e kultivimit në natyrë, shoqëruar me rrjedhën e dukshme të vazhdueshme të kanabisit nga rajoni drejt BE-së mund të nënkuptojë që rezerva mbahen ende në rajon, ose që kultivimi mund të jetë zhvendosur në mjedise të brendshme ose zona me mundësi të kufizuara për mbikëqyrje ajrore, ose në zonat fqinje në vendet perëndimore të Ballkanit. Kjo sugjeron një nevojë për hetim dhe monitorim të mëtejshëm”, thuhet në raport.

Grupet kriminale shqipfolëse bashkëpunojnë me organizata të tjera në vendet e BE-së si Austria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Italy, Rumania, Suedia, Turqia dhe Britania e Madhe. Marijuana e kapur në këto vende ka rezultuar me origjinë Shqipërinë. Raporti thekson se grupet shqiptare zakonisht përdorin korrierë, të cilët hyjnë në Shqipëri nga vendet e BE-së me makina. Paratë e drogës në Shqipëri investohen në pasuri të patundshme, ndërtim dhe turizëm.

Opioidet

Edhe pse Afganistani mban vendin e parë si furnizuesi i Europës me këto lëndë narkotike, edhe grupet shqiptare kanë rolin e tyre në trafikim. Heroina përftohet nga morfina nëpërmjet përdorimit të anhidritit acetik, një proces ky që është kryer në disa vende si Çekia (2017) dhe Gjermania (2018).

Një fabrikë e tillë përpunimi u zbulua në Shqipëri, ku u kapën mbi 180 kg heroinë. Morfina e përdorur si lëndë e parë kishte mbërritur nga Turqia, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, thuhet në raport, duke iu referuar policisë shqiptare.

Importi i kokainës

Ky treg në Europë dominohet nga bashkëpunimi i karteleve të Amerikës së Jugut me organizatat mafioze italiane si Ndrangheta. Por kjo ka ndryshuar vitet e fundit pas arrestimit të shumë trafikantëve italianë në Europë dhe Amerikën Latine. Por edhe këto grupet shqiptare gjejnë terren.

Lojtarë relativisht të vegjël janë futur tani në lojë. Ata po përdorin këtë qasje të drejtpërdrejtë te prodhuesit, duke grumbulluar fonde për të blerë sasi më të mëdha të kokainës me çmime më të favorshme. Kështu, organizatat kriminale shqipfolëse, ato britanike, holandeze, franceze, irlandeze, marokene, serbe, spanjolle dhe turke po kryejnë gjithnjë e më shumë operacione transportimi të kokainës direkt nga Amerika e Jugut në Evropë, apo edhe duke e blerë atë direkt nga vendet e afërta prodhuese”, thuhet në raport.

Trafikimi nëpër rrugët e BE-së mbetet mënyra e preferuar e transportit për shpërndarjen e kokainës në BE. Kamionët transportojnë dërgesa të mëdha nga qendrat kryesore të shpërndarjes së BE në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë, drejt tregjeve rajonale dhe lokale. Dërgesat më të vogla vazhdojnë të trafikohen kryesisht me automjete private.

Tregu i lëndëve narkotike është burim kryesor i të ardhurave për grupet e krimit të organizuar në BE, me një vlerë minimale prej 30 miliardë eurosh në vit. Përveç ndikimit ekonomik, vdekjeve të lidhura me drogën dhe dëmeve të tjera për shëndetin publik, prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike implikon edhe ndikime të tjera si lidhjet me aktivitetet kriminale dhe terrorizmin; ndikimin negativ në ekonominë e ligjshme; dhunën në komunitet; dëmtimin e mjedisit. Çështja gjithnjë e më e rëndësishme e tregut të drogës mund të nxisë korrupsionin dhe të minojë qeverisjen në shumë vende.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.