Kur shkruanim letra...

Postuar në 21 Nëntor, 2019 14:06

Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë vitet e fundit i ka nxjerrë jashtë loje letrat e shkruara me dorë. Ndonëse e vetmja mënyrë komunikimi shumë vite më parë, sot të rrallë janë ata që ulen të shkruajnë një letër. Shkëmbimi i letrave lindi si nevojë për të komunikuar me të afërmit, familjarët, shokët e miqtë kur ndodheshin larg. 

 Letërkëmbimi ishte një mënyrë për të shkurtuar distancën mes njerëzve. Zakonisht në letra shkruhej për jetën që bënte secili, për shendetin, për të rejat dhe shqetësimet, ndonëse për këto të fundit duhet të tregoheshe shumë i kujdesshëm pasi shumë prejt letrave kontrolloheshin dhe lexoheshin, sidomos ato të dërguara nga ushtria apo nga burgu.

Në morinë e fjalëve të shumta që shkruhen në letër, të historive të treguara, të pyetjeve të ngritura, shpesh shkruhej për gjëra, që sot të duken qesharake, por që për atë kohë ishin të një rëndësie të veçantë.

Megjithatë, gjithë procesi i të shkruarit kërkonte shumë vëmendje, përzgjedhja e fjalëve, rrumbullakosja e germave, shkrimi. Aq më tepër kur në mesin e letrave të shumta të ruajtura nga ato kohë është shkrimi i dorës së njerëzve të dashur që nuk janë më.

Letërkëmbimi ishte edhe një nga shërbimet kryesore të postës ndër vite. Kanë qenë të shumta letrat që njerëzit kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin, edhe pse ishte futur në përdorim edhe telefoni. 

Nëse kthehesh mbrapa në kohë, rolin e postës e luanin pëllumbat.

Telegrami ishte gjithashtu një mënyrë për të komunikuar. Ai zakonisht përzgjidhej për të përcjellë te të afërmit rastet e fatkeqësive.

Ashtu si letrat, kartolinat e thjeshta gjihtashtu janë zëvendësuar nga kartolinat elekronike. Para viteve ‘90 ato ishin forma e vetme për të përcjellë urimet për festat e fundvitit, ku një rëndësi e veçantë, përveç fjalëve, i kushtohej edhe përzgjedhjes së imazhit, që duhej të fliste njësoj si teksti.

Po sot cili është raporti që njerëzit kanë me letrat e shkruara, me kartolinat?

Ndërkohë, posta e vazhdon sërish aktivitetin  e saj në shkëmbimin e letrave, por përmbajtja e tyre është krejt tjetër nga ajo e atyre letrave që dikur priteshin me shumë padurim dhe mall nga njerëzit. Sot me postë dërgohen kryesisht dokumente.

Në një botë që po dominohet gjithnjë e më shumë nga teknologjia, format e vjetra të komunikimit po shkojnë drejt zhdukjes. Sot rrjetet sociale, emailet apo aplikacionet e ndryshme të komunikimit e përcjellin mesazhin dhe imazhin në pak sekonda, nga njëra anë e globit në tjetën.

Por ndërkohë që duket sikur ky trend është gjithnje në rritje, letrat edhe pse nuk dërgohen më, ruhen me kujdes. Ato janë kujtimi më i mirë që mund të ruajmë nga lidhje që i kemi humbur, nga njerëz që nuk janë më apo nga momente të rëndësishme të jetës. Dhe si të tilla, të prekshme dhe emocionuese, duhet më shumë se një klik për t’i fshirë.

TVT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.