Historia e mjegullt e artit oriental

Postuar në 21 Nëntor, 2019 21:43
Nicolas Pelham*

 

Si shumë prej të rinjve që studiojnë Lindjen e Mesme, më përndjek ende Edward Said, 41 vjet pasi ai shkroi "Orientalizmin". Libri argumenton se akademikët perëndimorë, shkrimtarë, artistë dhe gazetarë kishin qenë agjentë të fuqisë së butë evropiane për më shumë se dy shekuj, duke ndërtuar kështu një imazh ekzotik të Lindjes. Arti oriental, letërsia, hartat dhe artefaktet e kanë përforcuar mentalitetin mbizotërues të kolonialistëve dhe kanë zgjuar oreksin e qeverive perëndimore për të pushtuar dhe për të shtënë në dorë kombet e Lindjes, sipas Said.

Idetë e tij tronditën raportimet mbi Lindjen e Mesme para se të filloja të punoja si gazetar në rajon, por unë shkruaja i torturuar nga ndjenja e fajit. Në një nga detyrat e mia të para në Egjipt, ambasada britanike në Kajro më dërgoi të ndiqja kryeministrin e atëhershëm britanik, John Major, ndërsa vizitonte varrezat e luftës që Britania ka ngritur për ushtarët e vrarë që kanë luftuar në shkretëtirat e El Alamein gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një privilegj që i jepej rrallë një reporteri të ri dhe ata prisnin një shkrim të mirë. Unë u ktheva me një reportazh për vendasit e irrituar që kërkonin nga Britania të hiqte dorë nga kontrolli i një siti që përkujtonte betejat midis dy ushtrive evropiane pushtuese në tokën egjiptiane. E titullova "Egjipti për egjiptianët".

Që nga botimi i "Orientalizmit" në vitin 1978, shumë muze dhe galeri arti i kanë fshehur koleksionet e tyre të peizazheve të shkretëtirës, ​rrënojat e lashta dhe relike të tjera nga turet e shekullit të XIX në Lindje. Një ekspozitë e re në Muzeun Britanik përpiqet të heqë fajin dhe turpin. Titulli i saj neutral - "Frymëzuar nga Lindja: si e ndikoi bota islamike artin perëndimor" - duket se e zhvesh artin nga sfondi politik. "Ne shpresojmë të shkojmë përtej Saidit," shpjegon një kurator. Ekspozita shpreson të nxjerrë në pah cilësinë e artit oriental, duke e paraqitur atë si një shkëmbim kulturor më të sinqertë - dhe befasues.

Kuratorët kanë të drejtë që orientalizmi është më kompleks dhe më i paqartë se sa besonte Said. Magjepsja perëndimore me Lindjen daton që para kolonizimit evropian shumëshekullor. Kjo magjepsje lulëzoi kur islami ishte një ndikim në rritje në botë dhe ushtritë myslimane përparuan në portat e Vjenës në shekujt XVI dhe XVII. Në shekullin e XVIII, Handel dhe Mozart shkruan opera për sulltanët ndërsa osmanët konsoliduan qëndrimin e tyre në Evropën juglindore. Dhe ndërsa bota u bë më e vogël në shekullin XIX falë futjes së trenit dhe avulloreve, monarkët lindorë kthyen sytë nga Perëndimi, aq sa  perëndimorët që shkuan në Lindje. Shahu persian, Naser al-Din, kaloi 18 ditë në Londër në 1879 – në pjesën më të madhe të ditarit, ai ankohet se sa i lagësht ishte moti.

Udhëtimi ishte pjesë e një turneu evropian, i cili gjithashtu përfshinte ndalesa në Moskë, Berlin, Vjenë, Milano, Paris dhe Liverpul. Kur shahu u kthye në Teheran, ai e zbukuroi xhaminë e sapondërtuar në Sepahsalar me një shtesë si ajo e kishave për këmbanat. Po ashtu, edhe sulltani osman, Abdel Hamid II, udhëzoi orkestrën e oborrit të luante Verdin, ndërsa kthehej në pallat nga lutjet e së premtes në xhaminë e Stambollit.

Megjithatë, arti orientalist nuk mund të ndahet nga sfondi politik në të cilin u prodhua. Shumica e orientalistëve mbijetuan duke kënaqur tregun e Evropës dhe duke ushqyer mentalitetin kolonial. Disa, si piktori francez Claude Joseph Vernet (1714-89), punuan me porosi të perandorëve, mbretëreshave dhe ambasadorëve evropianë. Të tjerët i ushqenin fantazitë evropiane me skena haremesh nga Lindja që, sikur të ishin vendosur në Londër ose Paris, do të cilësoheshin pornografike. Injorimi i këtyre detajeve do të shtrembëronte të kaluarën. Merrni pikturën e Eduard Riou për ceremoninë e përurimit të Kanalit të Suezit në vitin 1869.

Diçitura e vendosur nën pikturë në ekspozitën e Muzeut Britanik thotë se ajo tregon se si "zhvillimet në teknologji dhe udhëtimi gjatë shekullit XIX rritën vetëdijen, dhe interesin në Lindjen e Mesme”. Aty nuk përmendet që glorifikimi i Riou për ngjarjen ishte porositur nga Ferdinand de Lesseps, diplomati francez që mbështeti ndërtimin e Kanalit të Suezit. Ceremoni si kjo i joshën sunduesit e Egjiptit që të financonin një pjesë të madhe të infrastrukturës të përfituar nga Perëndimi, por falimentoi Egjiptin dhe çoi, 12 vjet më vonë, në pushtimin e tij nga Britania. Shfajësimi i orientalistëve mund të kërkojë pak më shumë përpjekje dhe ndershmëri, veçanërisht nga një muze që për shumë prej artefakteve të tij i detyrohet projektit kolonial.

"Memlook Beu" (1863), nga John Frederick Lewis

Ky autoportret bashkon arrogancën dhe sensin e të drejtës. Be do të thotë i zoti dhe memlook i referohet klasës së skllevërve që sunduan Egjiptin deri në shekullin e XIX. Artisti pikturon veten, çka shtron pyetjen se kë sundon ai. Në mënyrë të dukshme, Lewis po ia kthen shpinën shikuesit perëndimor dhe po niset drejt Orientit. Lewis ishte mishërimi i orientalistit britanik të mesit të shekullit XIX. Ai kaloi një dekadë të jetës në një rezidencë në Kajron e vjetër, i veshur me një feste të kuqe dhe një veshje tradicionale egjiptiane të quajtur galabeya. Romancieri William Makepeace Thackeray shkoi ta takonte Leëis në Kajro dhe kujton që ai kishte hipur mbi një kalë gri "me dy shërbëtorë krah tij". Lewis preferonte të luante sheikun në shkretëtirën e Sinait. Por ai i detyrohej Akademisë Mbretërore dhe tregut të artit në Londër. Veshja mund të shihet si një qortim arrogant për vendasit dhe një përvetësim i veshjes së tyre tradicionale.

"Një Portret i Sulltan Bayezid I." (rreth 1580), nga Shkolla Veroneze

Turbani është tipik për Lindjen. Tunika e rëndë e dimrit duket perëndimore. Së bashku, ato përfaqësojnë dy gjysmat e Perandorisë së re Osmane. Për mbi 500 vjet deri në luftërat ballkanike të vitit 1913, Perandoria Osmane ishte po aq një fushë evropiane sa ajo Lindore. Nëna e Sulltan Bayezid ishte nga Ballkani dhe i trashëgoi atij sytë e kaltër dhe çehren e zbehtë. Ai u martua me një princeshë serbe dhe e quajti veten "Sulltan-i-Rum", Sulltan i Romës. Por diçka në lidhje me këtë portret pas vdekjes së sulltanit, i cili sundoi perandorinë midis 1389 dhe 1402, sugjeron se mënyra si e mbajti pushtetin nuk ishte e ekulibruar.

Qëndrimi i tij – me kokën mbrapa, por i kthyer me fytyrë - thekson çorientimin e tij. Kaq i fiksuar ishte ai në shtrirjen e pushtimit otoman mbi mbetjet e Perandorisë Bizantine, sa që e mbajti të rrethuar Kostandinopojën, për tetë vjet. Por rrethimi e la të ekspozuar në lindje dhe ai përfundoi me dështim. Duke përparuar nga lindja, pushtuesi Mongol, Tamerlane, mundi sulltanin dhe e mbajti rob deri në vdekje. Predikimi i tij tragjik i dha një vend në dijen perëndimore në një kohë kur ushtria osmane tmerronte Evropën me fuqinë e saj. Kjo pikturë, e prodhuar në Itali 150 vjet pas vdekjes së Bayezidit, shtron pyetjen që i ngacmon vëzhguesit evropianë edhe sot: A ka Turqia, pasardhësi modern i Perandorisë Osmane, prirje nga Lindja apo nga Perëndimi?

"Përurimi i Kanalit të Suezit" (1869), nga Edouard Riou

Kjo paraqitje e ceremonisë që hapi një nga aktet më të mëdha të epokës koloniale të inxhinierisë, duket një pamje harmonike. Nga dy pavionet e tyre me tenda, qilima të kuq lidhin në mënyrë simbolike Evropën dhe Afrikën dhe zbresin brenda derisa takohen në një ndërthurje gjuhësh, uniformash dhe kulturash. Forma e kryqit simbolizon kryqëzimin botëror që krijoi në Egjipt Kanali i Suezit. Por për të gjithë  madhështinë e saj, simetria është e paplotë. Në të majtë, tre klerikë me mjekër të bardhë shikojnë me përçmim. E gjelbra e islamit i ndan ata nga kjo madhështi. Egjiptianët dhe evropianët nuk po bisedojnë.

A është ky një parakusht i telasheve që do të vijnë? Egjipti pagoi pjesën më të madhe të kostove dhe siguroi punëtorët për Kanalin e Suezit, mijëra prej të cilëve vdiqën në procesin e gërmimit të tij. Por sipas kontratës, kanali ishte një koncesion i menaxhuar nga evropianët, të cilët morën pjesën më të madhe të të ardhurave. Egjiptit iu desh të bënte luftëra të shumta gjatë shekullit të ardhshëm para se ta rimerrte atë në vitet ‘70.

“Katër gra nudo dhe koka e skalitur ”(1934), nga Pablo Picasso

Për artistin dhe shikuesin në të njëjtën kohë, Orienti nuk e frenoi libidon perëndimore. Në pamje të parë, haremi i Picasso-s, një motiv i preferuar orientalist, e përsërit këtë ekzotizëm. Vetëm pas një farë kohe shikuesi e kupton se gratë po i shikon dikush. Një skulpturë e ngjashme me Zeusin - që thuhet të jetë autoportreti i Picassos - duket direkt në sfond. Sytë e tij të mëdhenj sugjerojnë uri dhe epsh, por ai i sheh direkt te shikuesi katër gratë që lahen. Sytë e grave fillojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Edhe lulet në vazo në dritare duket sikur kanë sy, të cilët janë kudo - duke mos maskuar shikuesin si një soditës. Këto gra nuk janë vetëm kukulla për fantazinë e shekullit XIX. Ata janë gjallë dhe po kthejnë përgjigje.

“Gratë e Marokut” (2005), nga Lalla Essaydi

Gjashtëdhjetë vjet pasi Maroku fitoi pavarësinë nga sundimi kolonial, artistë si Lalla Essaydi po prodhojnë art që sfidon dhe ripërkufizon metaforën orientale. Në një përmbysje të përshkrimeve të lodhshme perëndimore të haremit, auto-portreti i Essaydi e paraqet veten të barrikaduar kundër syve të të tjerëve në një veshje “të blinduar”. “Armatura” e saj ka formën e një lecke të trashë që mbulon format, mbi të cilat janë shkruar vargje kuranore si pikante, të nyjëtuara dhe të padepërtueshme si driza të egra. Çdo pjesë e saj, përfshirë sytë, thonë “Rrini jashtë”. Ajo nuk është më një fantazi perëndimore por ekuivalenti i shikuesit perëndimor. Shikimi  i saj është i drejtpërdrejtë, armiqësor dhe i fuqishëm. Ajo ka braktisur ngjyrat ekzotike për thjeshtësinë e të bardhës dhe të zezës. Për disa në Lindje, veli simbolizon një rikthim të personalitetit, fuqisë dhe identitetit.

*Nicolas Pelham është korrespondent i çështjeve të Lindjes së Mesme në “The Economist”. Ai është autori i librit "Toka e Shenjtë: Një rend i ri mysliman" dhe bashkautor i "Një histori e Lindjes së Mesme".

Përgatiti: Gazmira Sokoli/TVT 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.