Gjëja e re në "qytet"

Postuar në 17 Nëntor, 2019 14:25

Stadiumi i ri i Tiranës perceptohet lirshëm fillimisht si një godinë. Të paktën këtë të rrok syri kur kalon aty ku dikur ishte një stadium dhe një shesh që hapej drejt kodrave të Liqenit artificial.

Është një nga ato objekte që dhunojnë hapësirën ku ngrihen duke u shndërruar në simbole të artificialitetit urbanistik përpara se të shenjojnë një kohë të re për një qytet. Kulla e stadiumit nuk relatohet me asgjë vërdallë, ajo sfidon çdo logjikë dhe tonalitet në një hapësirë që supozohej se do kursehej nga kaosi rindërtues i Tiranës.

Këtu nuk flitet për aspektin funksional të asaj kulle që është tërësisht punë private mbi një mjedis publik, por për rrethimin, izolimin dhe asgjësimin e të gjithë zonës së sheshit “Nënë Tereza” ku korpusi universitar ishte pika dominante dhe fillese e organizimit urbanistik.

E megjithatë përbindëshi që iu imponua Tiranës është një shtesë ndaj Tiranës dhe nuk arrin ta ripërcaktojë hapësirën e saj. Është gjeometria e pazarit dhe marrëzisë, shtojca absurd e lakmisë që nuk bën gjë tjetër veçse kumton kohën që jetojmë ku aspirata për fuqi dhe pushtet ia kalon përherë këllqeve për ta patur atë pushtet.

Ndaj i shohim sot kullat e Tiranës me drita përgjysmë të ndezura si frëngji vetmie dhe kotësie që luftojnë me pjesën e pandriçuar që paralajmëron gërmadhëzimin, rrënojën. Shprehje e një ambicjeje piramidale që dikur përfundon duke luftuar me imitimin për të kërkuar të ngjisë shkallët 10 e nga 10. Shikoni Shqipërinë anëembanë dhe mund të pyesësh: këta bejlerë dhe pashallarë, këta princër dhe bujarë, fisnikërinë e të cilëve sot e mëtojnë si origjinë zengjinët e rinj, vallë ku i kanë kështjellat dhe sarajet?

Ku janë gjurmët e kësaj pasurie dhe fisnikërie? Pse janë zhdukur pa nam e pa nishan nga ky dhe? Pse ky vend trashëgon vetëm fortesat e të huajve dhe asgjë tjetër?

Me siguri që nesër dej arkeologjia e shqiptarëve do të vijojë të diskutojë autoktoninë kur të përballet me themelet e kullave aliene në një qytet modest që përkufizohet nga krejt tjetër gjë nga kjo arrogancë e piramidave që nuk pushojnë së krijuari në këtë vend. Në çdo fushë…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.