Vetëvendosja nuk ka nevojë për ftesë në Tiranë

Postuar në 12 Nëntor, 2019 22:31

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një intervistë për të dhënë një mesazh kundër Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në një analogji me qëndrimet ndaj Aleancës Kuqezi në vitin 2013, Rama ka sulmuar një grupim me qasje nacionaliste që ka ditur si asnjë forcë tjetër në arealin politik shqiptar të mobilizojë rininë. 

Së pari njëherë parafytyroni një moment, jo ju, po ta përfytyrojnë qytetarët e Kosovës që një degë e Partisë Socialiste natyrisht me miratim nga kryesia dhe nga unë të bëjë protestë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe të thotë “nuk është koha për të festuar, është koha për të reflektuar” dhe të bëjë një fletë-rrufe që duket sikur është nxjerrë nga printerat e opozitës me qeverinë e Kosovës, çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë?

Çfarë do të ishte kjo, në raport me pretendimin për politikë të jashtme të unifikuar dhe për strategji të përbashkët dhe për bashkëpunim?

Megjithatë unë e konsideroj një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje, në një vakum ku kam qenë dhe vetë dhe e kam shumë mirë parasysh, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin sepse kryeministër zgjidhesh ditën kur të votojnë, por fillon dhe bëhesh jo menjëherë pasi ke hyrë në zyrë

shprehet kryeministri. 

Arsyet praktike janë të qarta në këtë sulm. Por kryeministri del pak i stonuar në krahasimin që do të bëjë me eventualitetin e një dege të PS-së në Kosovë. Pasi jo vetëm partia që ai drejton vjen nga një rrugë politike tjetër me atë të Vetëvendosjes, por edhe përvoja e pas luftës së vitit 1999 në Kosovë e përgënjeshtron. Në Kosovë pas vitit 1999 u vendosën gazetarë dhe këshilltarë nga Shqipëria, pati deputetë në Parlamentin e Kosovës që u zgjodhën aty pa kurrfarë paragjykimi, ndërkohë që mediat shqiptare ndiqen jo pak. 

Ndaj krahasimi çalon. Bllokimi i Partisë Socialiste në Morinë është problem që buron nga Tirana dhe historia, jo nga Kosova. Është edhe problem kulturor patjetër, sepse bota shqiptare përshkruhet nga dy qendra kryesore që kanë një qasje të ndryshme për shumëçka dhe që keqkuptohen herë pas here. Por vetoja zakonisht ka dalë nga Tirana. Ne e dimë pak a shumë sesi qëndron edhe ftohja e Rugovës me politikën e Tiranës dhe patjetër që edhe z. Rama e di. Ndaj të paktën në këtë rast askush nga Shqipëria nuk ka të drejtë morale të shpallë të paftuar kosovarët e VV-së edhe pse ta mund të mos biesh dakord për shumë gjëra.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.