Pireu dhe Karpeni. Ose investimet reale përkundrejt kapitalit të llogjeve të miratuara me ligj

Postuar në 11 Nëntor, 2019 23:21

Ndoshta përjetojmë një lloj të ri kapitalizmi. Atë teorik dhe voluntarist që ka tregun e vet llafet dhe llogjet. Për ta kuptuar këtë mund të na shërbejë krahasimi. 

Në vitin 2009 Greqia i dha me koncesion 35 vjet portin e Pireut kompanisë shtetërore kineze Cosco. Sot njoftohet se kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka nënshkruar në Kinë 16 marrëveshje me palën kineze, njëra prej të cilave konsiston në një shtesë financimi prej 600 milionë eurosh me synimin që Pireu të kthehet në pikën kryesore të tregëtisë mes Azisë dhe Europës në linjë detare. Në vitin 2016 Cosco bleu 51% të aksioneve të portit të Pireut. Me detyrimin që deri në vitin 2020 të investojë edhe 300 milionë euro, Cosco pritet të marrë edhe 16% të aksioneve. Më interesantja është fakti se Banka Europiane e Investimeve ka rënë dakord që të akordojë 140 milionë euro për të ndihmuar kompaninë shtetërore kineze në operacionet e veta. 

Çdo gjë është reale dhe jo teorike dhe një marrëveshje jo e keqe. Sidomos kur ke parasysh se ku ishte Greqia në vitin 2009.
Po në Shqipëri çfarë ndodhi këto kohë? Përveç industrisë së hashashit, në vitin 2016 në Parlament u miratua një ligj i veçantë për hapjen e procedurës së negociimit për portin e Karpenit në Kavajë. 101 vota pro për një vlerë investimi 5 miliardë dollarë. Pra 8 herë më shumë sesa investimi kinez në Pire. Nga do vinin paratë? Nga një kompani anonime me seli në një zgëqe në Singapor apo tutje në Azi. Procedura u shty disa herë. Investimi? ZERO. 

Historia e llogjeve nuk ka të ndalur megjithatë. Sot kryeministri që autorizon brroçkulla legjislative si kjo fabula e Karpenit që qysh nga dita e miratimit ka lënë pas 1002 netë, ka deklaruar nga aktiviteti “Përtej kujtimeve”, organizuar në kuadër të 70 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë: 

Ne besojmë që Kina është një potencial i pashfrytëzuar në aspektin kulturor dhe në aspektin e asaj që sjell, bashkë me kulturën e larmishme sjell dije të thellë dhe të gjithanshme. Mes kulturave tona ka pasur një marrëdhënie dashurie, por sot ka një boshllëk që me vënien në funksion të disa elementëve do të mund të sjellë shumë më tepër

Kapitalizmi dhe investitorët kanë nevojë për një klimë pozitive dhe në të ndikojnë edhe qëndrimet publike. Por fjalët janë një hap, nuk janë gjithçka. Për fat të keq ne kemi dëshmuar vetëm fjalë. Por edhe ultimatume si ai “se disa gjëra nuk janë në shitje”. Për këtë nuk ka faj kryeministri sigurisht. Apo jo?

Pse ky dallim? E sigurtë është se dallimin e përcakton fakti se shoqëria greke reagon, kurse shoqëria shqiptare voton dhe pastaj kur nuk del gjë, emigron. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.