Kosova si viktimë dhe Shqipëria si stuko e arrivizmit personal të Kryeministrit

Postuar në 10 Nëntor, 2019 16:16

Edi Rama ka marrë atë që ka dashur me Minishengenin ballkanik: Protagonizmin.

Qoftë Dhoma Ekonomike e Kosovës, qoftë Dhoma e Tregëtisë në Shqipëri nuk janë shprehur entuziaste për këtë nismë e cila nuk ka asnjë vlerësim ekonomiko-financiar. Në Kosovë madje po këmbëngulin se prej saj përfiton vetëm Serbia si vend me prodhim dhe tregëti më të zhvilluar. Ndaj diskutimet dhe kundështitë e shumta që ka hapur pjesëmarrja e Shqipërisë në një nismë të ideuar në Beograd burojnë nga shumë arsye.

Së pari ato ilustrojnë faktin se z. Rama është një figurë çarëse në botën shqiptare dhe jo bashkuese. Gjykimi apo paragjykimi mbi të cenon besimin dhe kredencialet e tij për folur për tema të tilla me konsensus. Në këtë kuptim prezenca e tij duhet parë si një ndër faktorët që çoi në dështimin e marrëveshjes për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, pasi z. Rama është një politikan që çliron energji negative në botën shqiptare.

Nga ana tjetër, z. Rama i përket një partie që rrjedh nga Partia e Punës së Shqipërisë e cila deri në vitin 1948 pranoi t’i aneksohej Jugosllavisë së Titos dhe mandej, deri në vitin 1991 kultivoi një narrativë antijugosllave vetëm sepse karrigia e drejtuesve të saj kërcënohej. Pra ka një regjistër historik që e bën të pranueshme idenë se nga ajo parti të mund të ketë jo vetëm sentimente, por edhe ndikime që çojnë në qasje filosllave pa folur për strukturën e brendshme që ushqen një vendimmarrje krejt personale.

Së dyti, kundërshtimi edhe nga Hashim Thaçi i kësaj nisme, provon më së paku se takimi i Novisadit ka qenë i pakonsultuar me Prishtinën zyrtare e cila ka parë veten të qëndrojë jashtë një akordi që luan kundër saj. Në Novisad, Rama dhe kryeministri maqedonas Zaev u justifikuan me faktin se pas vendimit të samitit të 18 tetorit të BE-së, Ballkanit Perëndimor nuk i mbetet rrugë tjetër veçse të ndjekjë kursin e unifikimit brenda vetvetes. Por kjo tezë bie sa kohë që Mali i Zi nuk ka pranuar të hyjë në të, sa kohë që Serbia vetë është e ingranuar një hap përpara në proceset europiane dhe ndaj saj madje nuk ka asnjë perspektivë negative, p.sh ndonjë veto kroate që do të ishte e kuptueshme në një kontekst ballkanik.

Së treti, t’i kërkosh Kosovës të aderojë në takime si këto të tanishme është të paktën në këtë moment cinike.

Kosova ka në fuqi një taksë ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe pjesëmarrja në formatin e Minishengenit do të thotë abrogim i saj automatik pa ndonjë përfitim dhe duke eliminuar marzhin e manovrës në dialogun me Beogradin. Është e vërtetë që kryeministri i ri i mundshëm, Albin Kurti, ka folur për heqjen e saj dhe vendosjen e reciprocitetit, por ky do të jetë një vendim sovran i Kosovës. Minishengeni është politikë e faktit të kryer për Prishtinën që nuk vetëizolohet, por izolohet politikisht dhe për këtë një dorë ka dhënë edhe kryeministri i Shqipërisë, që sot kujtohet të ndjekë politikë shtetërore, teksa deri dje bërtiste me të madhe për politikë kombëtare.

Minishengeni është një politikë e faktit të kryer për Kosovën pikërisht pak kohë përpara sesa të nisë sërish dialogu Serbi-Kosovë nën mbikëqyrjen amerikane dhe ndihmën e institucioneve ende të pakonstituuara të BE-së. Në këtë kontekst të ri rajonal, që formalisht sinjalizon klimë bashkëpunimi dhe një minieuropë të vetëkrijuar në Ballkan, kërkesat e Kosovës do të ishin një atavizëm nacionalist, njësoj siç i ka përshkruar sot në Ohër z. Rama.

Ndërsa Vuçiç po bashkon Ballkanin, Kosova rezulton si pengesë artificiale dhe entitet i paintegrueshëm në procese të reja. Ky është një mesazh shumë i hidhur për Kosovën nga Tirana zyrtare e cila ende edhe sot që flasim nuk di të sqarojë se çfarë fitojmë ne si qytetarë.

Drejt Kosovës, Maqedonisë shqiptarët lëvizin me karta identiteti. Drejt Serbisë me pasaportë. Të gjithë vendet janë në CEFTA dhe aderojnë në integrimin europian. Pra lëvizja e lirë ekziston dhe minishengeni i sotshëm nuk mund të imitojë nismën Adriatik 3 për integrimin në NATO, pasi këtu fjala është për interesa ekonomike dhe jo sigurim kolektiv.

Mbetet vetëm ta kuptojmë këtë lëvizje si politikë personale të z. Rama si e si për të shitur diçka te partnerë të ndryshme dhe për të lehtësuar pozitën e këyre partnerëve në samitin e Zagrebit kur do të duhet të përballen me Jo-në e Francës. Personale sepse ne kemi parë kaq shumë mbledhje të përbashkëta me flamur kuqezi mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë dhe asgjë nuk ka ndodhur.

Një lëvizje që nuk shpjegon sesi do të shmanget fakti që Shqipëria të bëhet periferi edhe në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që funksionon si periferi e Greqisë dhe Italisë në planin ekonomik.  Sepse nëse ka një gjë që kuptohet nga të gjithë është fakti se Shqipëria nuk konkuron me asgjë. As me mençurinë e kryeministrit të vet.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.