Opozita e fjalëve

Postuar në 01 Nëntor, 2019 15:46

Jorida Tabaku, një ndër njerëzit më afër kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha publikonte dje në facebook një shënim të titulluar: Ligji i shpronësimeve, akti i 10 kundër pronës. Në këtë shënim, zonja në fjalë, që pëshpëritet si një kandidaturë e mundshme për minister Financash në qeverinë e panjohur hije të z. Basha, rendit disa akte të qeverisë së z. Rama, që sipas saj përbëjnë shkelje dhe dhunim të të drejtave të qytetarëve në raport me pronën. Zonja përmend transferime pronash, miratime ligjesh, vendime të ndryshme të Këshillit të Ministrave, apo edhe ligjet speciale. Kjo është një situatë e zymtë sigurisht, por pyetja që i shtrohet kësaj zonje është: Po opozita çfarë ka bërë? Ka vëzhguar këto zhvillime dhe mandej përpilon raporte monitorimi si ky shënim i zonjës? Dikush mund të thotë se opozita këtë detyrë ka. Në fakt nuk është e vërtetë.

Opozita ka detyrë denoncimin, por logjika e sistemit në fuqi e ka pajisur edhe me disa instrumente. Për ta kuptuar komoditetin që krijon një opozitë e tillë shikoni këtë debat të djeshëm mes ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe kandidatit tjetër të përfolur për ministër Financash në PD, Agron Shehaj. Duke folur për një nga koncesionet e lakuar gjerësisht, atë të check up-it, Ahmetaj shtron një pyetje: Pse nuk e çoni në prokurori koncesionin dhe procedurën e ndjekur? Kundërpyetjes së Shehajt se “duhet unë ta çoj në prokurori”, Ahmetaj i përgjigjet me disa fjalë  të shoqëruar me gjestin përkatës: Pse vetëm do flisni? 

Pra, opozita denoncon dhe mirë bën që denoncon, por ajo kështu ndoshta ushqen iluzionin e gabuar se ka bërë detyrën e vet. Denoncime bëjnë përditë edhe mediat, për axhenda të ndryshme, njësoj si PD-ja, që nuk kuptohet se përse disa afera i denoncon, për disa të tjera hesht dhe pse për të tjera shkon i ngatërron.

Lidhur me parashtrimet e zonjës Tabaku pyetja shkon edhe më tej dhe e heq atë sikletin që krijon fjala prokurori: Pse nuk adreson në Gjykatë Kushtetuese PD-ja, aktet administrative apo ligjet që sot i denoncon? Nesër në qeveri këto ligje mund të shfuqizohen me një vullnet të ri, por vendimet e Gjykatës përcaktojnë norma detyruese për çdo qeveri. Pa folur pastaj për stresin e madh që krijon për një qeveri që ka synime dhe interesa të caktuara përballë një gjykate që shprehet mbi bazën e ankimeve të sakta juridikisht.

Ne e dëshmojmë të gjithë se pezullimi i VKM-së për Kopshtin Botanik nuk është se ka krijuar kënaqësi në qeveri dhe në Bashkinë e Tiranës. Dhe ky është vetëm një episod. Edhe për Teatrin që sot PD-ja pretendon se ka marrë flamurin, iu deshën më shumë se një muaj protesta që të dilte e ta mbronte si kauzë, pas një heshtjeje shumë kompromentuese. Janë këto marifete që ndëshkojnë me mosbesim një opozitë si kjo e cila hedh gurin e fsheh dorën, paralajmëron qametin dhe pastaj shtron kurrizin si pulë duke u lutur se dikur mileti do ndërsehet rrugëve për të gjithë këto skandale të cilat ajo i rendit përditë sikur të jetë në mbledhjen e Frontit. Është një ndëshkim që lidhet edhe me intuitën se kjo lloj opozite sot do të gjenerojë nesër një qeverisje shumë më të keqe se kjo e tanishmja.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.