Shqipëria hyri nga dritarja përmes Kryeministrit dhe e nxorën nga dera

Postuar në 26 Tetor, 2019 17:45

Këshilltarja e ish-kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla tregon në profilin e vet në Facebook këtë grimcë humoristike nga takimi informal i Berlinit ku u hodh edhe propozimi i presidentit francez, Macron që Kosova të heqë taksën kundrejt liberalizimit të vizave. 

Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë - Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë. KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty - pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.

Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyrës së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë. Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhe pse me mbathje atraktive. 
 

Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë - Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%. 
E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental! 

Si qëndron e vërteta? Kush e di veç atyre që kanë qenë në takim? Zonja ofron edhe foto ilustruese që duket sikur përligjin ato që thotë, ndërkohë që roli prej fotografi i Gent Cakajt nuk ka pse të na çudisë. 

Ajo që është politike këtu është defaktorizimi i z. Rama në një diskitim të madh ku ai hyri nga dritarja për të dalë mesa duket nga dera, me edukatë dhe etikë pikërisht sepse nuk i duhet kujt. Çështja është se ka dalë edhe Shqipëria të cilën e përfaqëson.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Titull i bukur!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.