A e ka vrarë Macron ëndrrën e zgjerimit të BE-së?

Postuar në 24 Tetor, 2019 18:20
Dimitar Bechev

 

Emmanuel Macron mund ta ketë fituar presidencën franceze duke premtuar se do të mposhtë populizmin, por ditët e fundit në Ballkan, atij po i referohen si "Trumpi europian". Arsyeja për këtë krahasim të pamundur është kundërshtimi i fortë i presidentit francez për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar, në samitin e Brukselit, Macron vuri veton ndaj hapjes së negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Lideri francez ishte i vetëm në kundërshtimin e Maqedonisë së Veriut dhe u mbështet vetëm nga drejtuesit e Danimarkës dhe Holandës në refuzimin e Shqipërisë.

Macron e mbrojti vendimin e tij - i cili u pa menjëherë dhe publikisht si një "gabim historik" nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker – me argumentin se BE-ja duhet të përqendrohet në “rregullimin e shtëpisë së vet”, përpara se të marrë në konsideratë anëtarësimin e shteteve të tjera. "Kjo është një mosmarrëveshje mbi vizionin", tha Macron. "Rregullat e zgjerimit kanë nevojë për reformë".

Për presidentin francez, mosmarrëveshja ka të bëjë me vizionin.

Në Francë ka një traditë të konceptimit të Evropës në trajtën e rrathëve koncentrikë që datojnë nga presidenca e Francois Mitterrand. Në këtë këndvështrim, të cilin e ka edhe Macron, evropianët lindorë janë të mirëpritur të bëjnë biznes dhe të bashkëpunojnë me BE-në, por ata nuk i përkasin asaj që quhet Europa e vërtetë.

Në fillim të viteve ‘90, përballë kërkesave nga polakët, hungarezët, çekët dhe vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore për t'u "kthyer në Evropë", Mitterrand doli me një plan për Evropën, i cili e vendoste Francën në qendër të një Bashkimi Europian Perëndimor, një union i vogël dhe ngushtësisht i integruar, me lidhje ekonomike me fqinjët e saj lindorë.

Në fund, dëshira e Mitterrand për t’i mbajtur vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore jashtë Bashkimit Evropian u injorua nga bashkëthemeluesit e tjerë të Bllokut. Si rezultat, BE-ja është zgjeruar dhe ka lënë disa vende në Eurozonë dhe në zonën Shengen. Shtesa e fundit ishte Kroacia, të cilës kohët e fundit iu hap drita jeshile nga Komisioni Evropian për t'u bashkuar me Shengenin.

Por vendimi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja solli mundësinë që Franca të adaptojë projektin e Mitterrand për shekullin XXI. Macron e parashtroi këtë vizion në disa fjalime, duke sqaruar se do të dëshironte të ndërtonte një Evropë me tre nivele: Një rreth i brendshëm i përbërë nga një Eurozonë e forcuar në mënyrë të dukshme, një rreth i dytë që përbëhet nga anëtarët e BE-së në një treg të fortë të vetëm dhe një rreth i jashtëm, shumë më pak i integruar, që është "një bashkim i vlerave, parimeve demokratike dhe lirive ekonomike", i cili potencialisht një ditë mund të përfshijë Rusinë dhe Turqinë.

Arsyeja që qëndron në bazë të misionit “Macron” për t’i dhënë fund zgjerimit të BE-së është e thjeshtë: Ai beson se zgjerimi i saj ka dështuar. Në vend që të lulëzonin demokracitë e reja që mund të ndihmonin në shpejtimin e integrimit evropian, BE-ja përfundoi me Hungarinë e Viktor Orban dhe Poloninë që sapo u dha një mandat tjetër qeverisës populistëve të Partisë Ligj dhe Drejtësi.

Pra, për sa i intereson Macron-it, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të mbeten në dhomën e pritjes. Dhe pëlqimet e Hungarisë, Polonisë dhe Rumanisë duhet të qëndrojnë jashtë pararojës së BE-së të grumbulluar rreth Eurozonës. Zgjerimi ka vdekur. Rroftë BE-ja e vetëmjaftueshme, me Gjermaninë si qendër ekonomike dhe Francën e Macron-it si lider strategjik.

Duke i bllokuar anëtarësimin Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Macron ndërmori hapin e parë drejt arritjes së këtij vizioni. Lëvizja e tij, megjithatë, vuri tashmë në dyshim të ardhmen e BE-së dhe stabilitetin e kontinentit.

Greqia dhe Maqedonia i dhanë fund mosmarrëveshjes 27-vjeçare mbi emrin e kësaj të fundit në 2018 duke nënshkruar një marrëveshje, të njohur si “Prespa”, që e detyroi Maqedoninë të ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e detyroi Athinën të ndalojë bllokimin e Maqedonisë nga NATO dhe ta lejojë atë të nisë bisedimet e pranimit në BE. Shkupi menjëherë nënshkroi një marrëveshje për t'u anëtarësuar në NATO dhe u përpoq të niste negociatat me BE-në. Brukseli ishte aq i kënaqur me marrëveshjen sa e konsideroi atë një arritje të madhe.

Megjithatë, "jo" e Macron-it për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE, është njëfarë pengese.

Johannes Hahn, komisioneri evropian që ka udhëhequr përpjekjet për t’i nxitur si Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe Shqipërinë, drejt reformave në funksion të pranimit në BE, tha se Macron ka dëmtuar besueshmërinë e Bllokut "jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë".

"Të refuzosh pranimin e një progresi të provuar, do thotë të përballesh me pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE", shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, ndërkohë, e akuzoi BE-në se u tregua e pandershme. "Më e pakta që BE i detyrohet rajonit është të jetë e drejtëpërdrejtë me të", tha ai. "Nëse nuk ka më konsensus mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor ... qytetarët meritojnë ta dinë."

Një ditë më vonë, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme. Duket si një lojë kumari që do të ketë pasoja. Partia konservatore-nacionaliste, VMRO-DPMNE, do të bëjë fushatë me premtimin për të rishikuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe, pas përgjigjes së papritur të BE-së, ajo mund të ketë sukses në marrjen e pushtetit. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë për asnjë qeveri të ardhshme të rrëzojë ndryshimet kushtetuese që erdhën me marrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës. Sidoqoftë, vendimi i Macron pa dyshim që e vendos këtë vend pro-Evropian në një rrugë larg asaj të Brukselit. Fakti që BE-ja ka bllokuar Maqedoninë e Veriut ndërsa vazhdon negociatat me Serbinë e Aleksandar Vuçiçit, e cila po afrohet më shumë me Rusinë dhe Kinën, prek akoma më shumë në plagë.

Sigurisht, është shumë herët të themi se Macroni e vrau BE-në, ashtu siç ne e njohim. Shumë vende anëtare të BE-së ende nuk janë gati të heqin dorë nga ëndrra e zgjerimit. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se do të propozojë që bisedimet e pranimit të fillojnë përsëri në nëntor. Kryeministri belg, Charles Michel, gjithashtu u zotua të mos e lërë jashtë vëmendjes çështjen, duke thënë: "Ne do të shohim se si t'i rikthehemi më vonë këtij debati".

Franca nuk do të heqë dorë lehtësisht nga presioni mbi pjesën tjetër të BE-së, por prapëseprapë ajo mund të bindet me një favor në këmbim të kësaj. BE-ja mund të pajtohet të ndajë Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria dhe t’i ofrojë progresin vetëm të parës. Mund të ofrojë gjithashtu forcim të konsiderueshëm të kritereve të pranimit. Mbi të gjitha, një e vërtetë e përjetshme për BE-në është aftësia kolektive e anëtarëve të saj për t’i kullandrisur gjërat. Me shumë gjasa, ne do ta shohim këtë aftësi të manifestohet në muajt e ardhshëm.  

Al Jazeera /

Përktheu: Gazmira Sokoli/TvT 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.