Izraeli, furnizuesi kryesor i përgjuesve

Postuar në 22 Tetor, 2019 15:11

Izraeli mund të jetë bërë një eksportues i fuqishëm i mjeteve që përdoren për të spiunuar njerëzit. Një investigim i Haaretz ka zbuluar rreth 100 burime të tilla në 15 vende të ndryshme të botës. Diktatorët në të gjithë botën - madje edhe në vende pa lidhje zyrtare me Izraelin - i përdorin ato në përgjime për aktivistët e të drejtave të njeriut, monitorojnë emailet, hakojnë në aplikacione dhe regjistrojnë biseda.

Në verën e vitit 2016, Santiago Aguirre e ndau kohën e tij midis ligjërimit universitar me kohë të pjesshme dhe punës për një organizatë që ndihmon në gjetjen e njerëzve të zhdukur. Meksika ishte atëherë në qendër të lajmeve ndërkombëtare për shkak të premtimit të kandidatit presidencial, Donald Trump, për të ndërtuar një mur në kufirin amerikan me fqinjin e saj jugor. Sidoqoftë, për Aguirre, një aktivist meksikan për të drejtat e njeriut, problemet e së tashmes ishin shumë më të ngutshme se çdo mur i ardhshëm. Në atë kohë, ai ishte në mes të një hetimi të gjatë për të zgjidhur misterin e zhdukjes dhe vrasjes së supozuar të 43 studentëve në qytetin e Iguala para dy vitesh. Po bëhej gjithnjë e më e qartë se gjetjet e tij ishin të papajtueshme me rezultatet e hetimit të kryer nga qeveria.

Aguirre nuk u shqetësua shumë kur mori një seri mesazhesh me tekst që përmbanin disa link-e. "Ju lutem më ndihmoni me vëllain tim, policia e mori vetëm sepse ai është mësues", lexohet në një mesazh. Dhe një tjetër: “Profesor, kam hasur në një problem. Unë po e kthej tezën time, e cila bazohet në disertacionin tuaj, në mënyrë që të më jepni komentet tuaja". Dhe aty qëndron sekreti i fuqisë së tyre. Kur Aguirre klikoi link-et, megjithatë, ai ishte padashje e ktheu smartfonin e tij në një pajisje të mbikëqyrur nga qeveria.

"Ato mesazhe me tekst kishin informacione personale," vëren Aguirre, "ishte lloji i informacionit që mund ta bënte mesazhin interesant për mua, kështu që unë të klikoja. Kishte kaluar ca kohë kur nisa të mendoja: është vërtet e çuditshme që kam marrë tre mesazhe me link-e të tilla".

Zbulimi pati një efekt të fortë në punën e organizatës së tij. Për herë të parë, thotë ai, nisa ta kisha frikë se çdo hap që ndërmerrja ishte duke u vëzhguar, dhe se mbase edhe familja ime ishte nën mbikëqyrje.

"Gjatë 10 viteve të fundit, ne kemi një shifër prej rreth 30 000 njerëz që u zhdukën" në Meksikë, shpjegon Aguirre. “Shumë vende në Meksikë kontrollohen nga krimi i organizuar. Ajo ka nën ndikimin dhe fuqinë e saj autoritetet e disa rajoneve të vendit, kështu që ata përdorin policinë për të arrestuar dhe pastaj zhdukur njerëzit që ata mendojnë se janë armiku. Mund t'ju them për shumë shembuj në të cilat ushtria meksikane, për shembull, ka paraqitur punën mbrojtësit e të drejtave të njeriut si [përfitime të kartelave të drogës dhe krimit të organizuar. Pra, ekziston një model i të menduarit për sektorin e të drejtave të njeriut në Meksikë, si një sektor që duhet të mbikëqyret. "

Zbulimi publik i faktit se Aguirre ishte nën mbikëqyrje u bë i mundur me bashkëpunimin midis organizatave meksikane dhe institutit kinez të kërkimit, Citizen Lab. Doli se Aguirre ishte njëri prej një grupi prej 22 gazetarësh, avokatësh, politikanësh, studiuesish dhe aktivistësh që ndiqeshin nga autoritetet lokale. Një ekzaminim i telefonit të Aguirre-s zbuloi se link-et e dërguara në mesazhet me tekst ishin të lidhura me përgjuesit Pegasus, që përdorej nga autoritetet.

Por si arriti Pegasus në Meksikë? Gjurmët e viruseve çuan në Herzliya Pituah, në periferinë e Tel Avivit që është një nga qendrat kryesore të industrisë së teknologjisë së lartë të Izraelit. Atje, në një zonë të ngushtë toke midis autostradës bregdetare të Izraelit dhe Detit Mesdhe, NSO Group, kompania që zhvilloi këtë program, ka selinë e saj. Pegasus, të cilin revista “Forbes” e quajti “seti spiun më invaziv në botë për celularë” në vitin 2016, lejon monitorim pothuajse të pakufizuar, madje edhe komandim, të celularëve: zbulon vendndodhjen e telefonit, e përgjon atë, të regjistrosh biseda, t’i fotografosh ata që ndodhen pranë telefonit, të lexosh dhe të shkruash mesazhe me tekst dhe postë elektronike, të shkarkosh aplikacione dhe të kesh akses në fotogaleri dhe listën e kontakteve. Dhe të gjitha në fshehtësi totale.

Aftësia pushtuese e Pegasus u shndërrua shpejt në një sukses të mahnitshëm ekonomik. Në vitin 2014, më pak se pesë vjet pasi ishin themeluar, 70 përqind e pronave të kompanisë u blenë për 130 milionë dollarë. Blerësi ishte Francisco Partners, një nga firmat më të mëdha botërore të kapitalit privat, i cili specializohet në investime të teknologjisë së lartë. Kjo marrëveshje pasoi blerjet e mëparshme të Francisco Partners të firmave izraelite Ex Libris dhe Dmatek. Sipas Reuters, një vit pasi marrjes së kontrollit mbi NSO, Francisco Partners gëzoi një fitim prej 75 milion dollarësh.

Por paratë e OJQ-ve janë vetëm një pjesë e vogël e kuadros së madhe. Brenda disa viteve, industria izraelite e spiunazhit është bërë shtylla kryesore e tregtisë globale në mjetet e survejimit dhe përgjimin e komunikimeve. Sot, çdo agjenci qeveritare e vetërespektuar që nuk ka respekt për privatësinë e qytetarëve të saj, është e pajisur me aftësi spiunazhi të krijuara në Herzliya Pituah.

Dëshmitë e dhëna për Haaretz tregojnë se pajisjet izraelite janë përdorur për të lokalizuar dhe ndaluar aktivistët e të drejtave të njeriut, përndjekjen e anëtarëve të komunitetit LGBT, për të bërë të heshtin qytetarë të cilët ishin kritikë ndaj qeverive të tyre dhe madje edhe për të sajuar raste blasfemie kundër Islamit në vendet myslimane që nuk mbajnë marrëdhënie zyrtare me Izraelin. Investigimi i Haaretz zbuloi gjithashtu se firmat izraelite kanë vijuar të shesin produkte spiunazhi edhe kur u zbulua publikisht se pajisjet ishin përdorur për qëllime dashakeqe.

Siç ka nxjerrë investigimi, kompanitë private izraelite kanë shitur programe spiunazhi dhe për shërbimet sekrete në Bahrein, Indonezi, Angola, Mozambik, Republikën Dominikane, Azerbajxhan, Svaziland, Botsvana, Bangladesh, El Salvador, Panama dhe Nikaragua. Për më tepër, hetimi vërtetoi raportet e mëparshme ndër vite mbi shitjet në Malajzi, Vietnam, Meksikë, Uzbekistan, Kazakistan, Etiopi, Sudanin e Jugut, Honduras, Trinidad dhe Tobago, Peru, Kolumbi, Uganda, Nigeri, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Duke u kthyer sërish te NSO: gjigandi kibernetik izraelit i themeluar në vitin 2010 nga tre miq: Omri Lavie, Shalev Hulio dhe Niv Carmi (ky i fundit u largua herët). Lavie dhe Hulio, të cilët janë sot në fund të të 30-ave, e njihnin njëri-tjetrin nga shkolla e mesme në Haifa. Ata e nisën në rrugën e tyre në biznes disa vjet pasi Hulio mbaroi shërbimin ushtarak në Komandën e Frontit të Brendshëm.

Cila është rruga e tyre e biznesit? "Ne jemi një fantazmë", ka thënë Lavie dikur. "Ne jemi plotësisht transparentë ndaj qëllimit tonë dhe nuk lëmë asnjë gjurmë." Por disa vjet më vonë, gjurmë të këtyre  fantazmave nga Haifa mund të zbulohen në çdo cep të botës.

Lavie dhe Hulio nuk janë të prirur për të bërë deklarata publike. Në vitin 2015, Hulio dha një intervistë të rrallë në emisionin "Hashavua" (Kjo javë). "Që në fillim, ne menduam të krijonim një sistem që do të lejonte që të gjithë organet e inteligjencës dhe të zbatimit të ligjit të kontrollonin nga telefonat në distancë, ose të nxirrin informacione prej tyre, me ose pa njohuritë e përdoruesit", tha Hulio. "Ne menduam se do të ishte e thjeshtë, por ishte jashtëzakonisht komplekse. Kjo është në fakt ajo që po bën NSO deri më sot. Ne kemi iPhone dhe Androids, dhe gjithçka është shumë e sigurt, por në fund shohim që të gjithë i dëgjojnë të gjithë", tha ai, duke qeshur. “Telefoni shkon me ju kudo. Sasia e informacionit në lidhje me një person, që mund të nxirret nga telefoni i tij, është i mahnitshëm, dhe nuk ka asnjë telefon të sigurt sot", ka thënë ai.  

Marrë me shkurtime nga Haaretz 

Përktheu: Gazmira Sokoli/TemaTv 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Rama dhe ajo bukuroshja e pafytyre e min. Mbrojtjes duan ti lene Izraelit qendren e Tiranes per spiunazh! Duan ti japin teatrin e kukllave! E ndoshta ia kane dhene deri tani! Ja si shkerdh***et Shqiperia para e mbrapa.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.