Rënia e Islamit Politik në Lindjen e Mesme

Postuar në 18 Tetor, 2019 17:00
Prof. Hillel Frisch - Bar-Ilan University

 

Janë të pakta imazhet që janë më dramatike sesa ato të rrëzimit dhe vdekjes të ish-presidentit egjiptian, Muhammad Morsi, i pari kryetar shteti që vinte nga Vëllazëria Myslimane, në një burg xhami më 17 qershor 2019, ku ai merrte pjesë në gjyqin ndaj tij që dukej se nuk do të mbaronte. Askush jashtë sallës nuk vuri në pikëpyetje kushtet e rënda të burgosjes së Morsit që nga dita kur forcat speciale rrethuan shtëpinë presidenciale dhe e vendosën atë në arrest në korrik të vitit 2013, duke hapur kështu rrugën për ministrin e tij të Mbrojtjes, Abdel Fatah Sisi që të merrte presidencën.

E gjithë drama njerëzore e Morsit vështirë se prodhoi ndonjë pëshpërimë në opinionin publik egjiptian. Pati protesta nga liderë të palumtur dhe në ekzil të Vëllazërisë Myslimane, një tiradë e parashikueshme e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe disa kritika joefektive nga Al Jazeera e Katarit, që ndan me Erdoganin antipatinë ndaj Sisit dhe simpatinë për Vëllazërinë.

Kur egjiptianët u lëshuan në rrugë tre muaj pas vdekjes së Morsit, këngët e tyre – “Poshtë regjimi tiranik i Sisit” – nuk kishte fare të bënte me Morsin, Vëllazërinë Myslimane, apo ideologjinë islame. E njëjta gjë mund të thuhet për protestat disamujore që po zhvillohen në Algjeri dhe Sudan, që janë përshkruar si pikënisjet e një “Pranvere të re Arabe”. Denonimatori i tyre i përbashkët është mungesa e dukshme e Islamit Politik në mesazhet e protestuesve.

Në Algjeri, vendi i dytë më i populluar arabishtfolës, çështja ka të bëjë me negociatat për arritjen e një tranzicioni të plotë demokratik pas 67 vjetësh të sunduar nga një parti e dominuar nga ushtria që nga pavarësia algjeriane.  Protestat rezultuan në heqjen e presidentit të rrjedhur Abdelaziz Bouteflika në prill të vitit 2019.

Protestuesit adresonin një sërë çështjesh unifikuese – drejtësia sociale, gjendja e periferisë, papunësia e rinisë – dhe disa për të cilat ka grindje të mëdha si p.sh pozicita e berberëve, popullsia indigjene e vendit dhe statusi i gjuhës amazige. Çështjet që mungojnë dukshëm në diskurs janë ato të xhamive dhe shtetit – buka dhe gjalpi i Islamit Politik.

Për të gjithë ata që janë të njohur me historinë e afërt algjeriane, ndryshimi është dramatik. Vetëm një brez më herët, në vitet ’90, vendi ishte I ngërthyer nga lufta e brendshme mes “shtetit të nëndheshëm” – Fronti i Çlirimit Nacional dhe ushtria që e mbështeste – dhe partive islamike, grupeve dhe milicive. Vlerësohet se në këtë luftë janë vrarë rreth 50 000-100 000 njerëz në akte masive terrorizme dhe masakra teksa të dyja palët akuzonin qytete dhe fshatra për tradhëti dhe i shkatërruan ato si shpagim. Eventualisht shteti mori në kontroll fraksionin kryesor, Frontin e Shpëtimit Islamik, që hoqi dorë nga lufta në këmbim të amnistisë.

Edhe më befasuese është vanitja e Islamit politik në Sudan. Si në Algjeri, protestuesit ia dolën të heqin kreun e shtetit, gjeneralin Omar Bashir, pas 30 vjet qëndrimi në pushtet. Por në ndryshim nga Algjeria, ku regjimi nuk kishte qenë kurrë islamik, Bashiri, në ngjtjen e tij në pushtet, e bëri kauzë të përbashkët atë me Frontin Kombëtar Islamik dhe imponoi sheriatin në vend. Kjo lëvizje ushqeu shumë rebelime që ngërthyen kombin e madh dhe kulminoi në ndarjen e shtetit më të ri në Afrikë, Republika e Sudanit të Jugut.

Siç duket qartë, vala më e fundit e protestave masive në Sudan u organizua kryesisht nga një trupë profesioniste, Bashkimi Profesional Sudanez. Janë delegatë të asaj organizate, jo liderët e partive më të vjetra islamike, që po negociojnë me ushtrinë, e cila drejtohet nga komanda e forcës së reagimit të shpejtë, përgjegjëse për shtypjen brutale të protestuesve. Frika aktuale është se si në Algjeri, ashtu edhe në Sudan, ushtria po përdor negociatat për të fituar kohë deri sa lëvizja masive pas negociatorëve të shuhet, moment kur ushtria do t’i burgosë apo degdisë në ekzil.

Edhe në Irak, ku konflikti mes shiitëve dhe sunitëve dominonte politikën dhe ushqente valë të jashtëzakonshme dhune që pasoi largimin nga pushteti të Saddam Hussein, mund të shihet një zbehje të rëndësisë politike të fesë. Protestat gjatë dy viteve të fundit në jug të Irakut, një zonë e populluar ekskluzivisht nga shiitët, po ndodhin kundër një qeverie të dominuar po prej tyre. Sërish, çështjet kryesore janë punësimi i rinisë, shërbimet e papërshtatshme pubike dhe një bjerrje masive të burimeve publike për shkak të korrupsionit në shkallë të gjerë. Asnjë fjalë për besimin dhe shteton apo marrëdhëniet sunitë-shiitë.

Kur këta protestues shiitë ngrenë gishtin e akuzës, ai nuk drejtohet mbi sunitët në veri. Ai drejtohet kundër ndërhyrjes iraniane në çështjet irakene dhe kostot ekonomike të saj. Një gjendje e tillë e punëve as nuk do të mendohej vetëm pesë vjet më parë, kur ISIS i dominuar nga sunitët kërcënonte Bagdadin e kontrolluar nga shiitët.

Zgjedhjet e fundit në Tunizi reflektojnë(ndonëse më pak dramatike) po ashtu zbehjen e Islamit Politik. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale  pas vdekjes së një presidenti 92 vjeçar, kandidati i partisë reformiste islamiste, Nahda, doli i treti, duke e skualifikuar atë nga raundi i dytë.

Ndonëse pushteti i Islamit Politik mund të ketë rënë, ai vështirë se mund të shpallet i vdekur. Dy shtete të fuqishme në rajon, Irani dhe Turqia, drejtohen nga fondamentalistë më pak të vendosur. E ardhmja e Islamit Politik do të varet nga ajo se çfarë do të arrijnë protestuesit përmes organizimit efektiv dhe sa do të provohen të aftë të bindin ushtritë e mëdyshura që të heqin dorë nga pushteti i tyre. Dështimi i këtij qëllimi dhe i arritjes së këtyre rezultateve mund të ringjallë një islam politik më të ashpër.

Burimi: Besacenter
Përkthimi: ResPublica

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Islami politik nuk ka si te zhduket, deri sa perendimi punon dita-dites ta forcoje ate. Po ashtu, sic Martin Luteri ua hoqi njerezve fene (Krishtin) nga koka dhe ua futi ne zemwr ate (K. Marks), po keshtu perendimi ben sikur e lufton myslimanizmin radikal nga koka e njerezve, duke ua futur ate atyre me shume ne zemer, qe ti forcoje me shume, ti lere me teper ne prapambetje, ti degradoje edhe mw, qe keshtu ti perdore gjithnje si mashe per politikat e tij te ardhme, sic i ka perdorur gjithnje keta njerez nga kjo bote.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.