Ne jemi të gjithë kllounë

Postuar në 16 Tetor, 2019 13:55
Karthick Manoharan*

 

Shumë kritikë - janë një numër i madh për t’u cituar këtu –e  kanë akuzuar filmin e Todd Phillips, “Joker” (2019), se glorifikon viktimizimin e meshkujve të bardhë. Ata janë shprehur të bindur se ky ishte një film i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm. Në “Joker”, Arthur Fleck (Joaquin Phoenix) është një burrë i bardhë, i dështuar e i dobët, i cili humb betejën me problemet mendore dhe kryen, siç edhe njëkohësisht frymëzon, akte dhune. Për kritikët liberalë, kjo histori ishte municion për kulturën e rebelimit në SHBA.

Kur flasim për glorifikimin e viktimizmit të të bardhëve, sidoqoftë, është e çuditshme që një objektiv më i qartë duhet të shmangë një hetim kaq kritik, përkatësisht Bruce Wayne / Batman. Me sa duket, një fëmijë i bardhë i krimbur në para, i cili i sheh prindërit e tij të vriten nga një kriminel i varfër dhe rritet për t’u bërë një gardian i pamandatuar i ligjit (ndërsa mbetet në anën e mirë të tij) për të ndëshkuar të padëshiruarit, meriton simpatinë tuaj. Arthur Fleck / Xhoker, nga ana tjetër, një mashkull i bardhë i klasës punëtore që ka duruar abuzimin në fëmijëri, sëmundjen mendore, neglizhencën institucionale, papunësinë dhe që revoltohet kundër asaj që ai e sheh si një sistem të padrejtë, meriton urrejtjen tuaj. Disa kritikë madje kanë sugjeruar të ndalohet filmi pikërisht sepse glorifikon një personazh të tillë. Kur, Joker-i i mëparshëm në “Dark Knight” (2008), i luajtur në mënyrë të paharrueshme nga Heath Ledger, thumbon Batmanin: "E shikon? I gjithë morali i tyre, kodet e tyre... Janë të gjitha një shaka pa kripë”. Ai mund të ketë bërë një koment parashikues për kritikët e pasardhësit të tij.

Përveçse sjell një prapaskenë të tërë psikologjike për një nga “të këqijtë” më të famshëm të librave komikë të të gjitha kohërave, Joker është gjithashtu një shpjegim për krizën endemike të kapitalizmit amerikan. Qyteti i Gothamit është në prag të kolapsit, dhe papunësia kronike i detyron të rinjtë të shkojnë drejt dhunës dhe krimit. Një sistem i dështuar i kujdesit shëndetësor publik dhe shkurtimet e shërbimeve sociale dëmtojnë më shumë pjesën vulnerabël të popullatës. Media dhe të pasurit fajësojnë të varfërit për mjerimin e tyre. Në një përmbysje shumë efektive, Thomas Wayne, babai i Bruce Wayne, rezulton të jetë personazhi negativ i filmit. Një përzierje e Trump dhe Klinton, ai shpalos pasurinë e tij dhe ka një qëndrim dukshëm të pazemër ndaj të varfërve. Atij i shtohet edhe nuanca e një grabitqari seksual që e përdori pozicionin e tij në shoqëri për të fjetur me nënën e Fleck, kur ajo ishte një vajzë e re. Filmat e mëparshëm me personazh Batmanin shpalosnin zemërimin e drejtë të Bruce Wayne kundër krimit që shkatërroi familjen e tij të përsosur. Sidoqoftë, Joker e prish këtë imazh dhe e tregon familjen Wayne si përfitues të një sistemi të padrejtë, që u jep disave luksin dhe mjerimin disa të tjerëve. Dhe, në fund të fundit, ata trashëgojnë frytet e zemëratës.

Vlen të merren parasysh "figurat e babait" në “Joker”. Për një kohë, Fleck beson nënën e tij dhe iluzionin e saj se Thomas Wayne është babai i tij. Më vonë zbulohet se Fleck ishte birësuar dhe më pas abuzuar nga i dashuri i nënës së tij kur ishte fëmijë, gjë që është bërë shkak kryesor për sëmundjen e tij mendore. Dikush mund të mendojë se mungesa e atësisë në jetën e Fleck e bëri atë të rebelohet kundër ligjit, pa u përpjekur të bëhej një garantues i ri i ligjit, duke u kthyer më tepër në një karakter anarkik. Figura e parë që Fleck njeh si baba e abuzon fizikisht. Wayne, i cili është figura e dytë e babait të tij, gjithashtu e lëndon atë fizikisht. Kur takohet me të, Wayne e godet Fleck dhe i thotë që jo vetëm ai nuk është babai i tij, por edhe se Fleck është jetim. Këtu, ligji qëndron i pamaskuar në zbrazëtinë e tij të zhveshur, brutale. Jo vetëm që nuk ka Atë, por nuk ka as një Nënë të kujdesshme mirëdashëse. Ndërsa mitet e brishta të jetës së tij nisin të thërrmohen, Fleck përfshihet nga marrëzia dhe bëhet Joker.

Figura e tretë atërore, ajo me të cilën Fleck e identifikon veten shumicën e kohës, është komediani Murray Franklin (Robert de Niro). Franklin është babai që e emërton Fleck-un si Joker dhe e prezanton atë si të tillë para botës. Megjithatë, Fleck refuzohet dhe tallet edhe nga kjo figurë atërore. Franklin gjithashtu përpiqet të censurojë Fleck-un kur ai bën një shaka të rëndë në transmetim direkt në televizion. Joker shpërthen dhe qëllon mbi Franklin, ndërsa vrasja shikohet drejtpërdrejt në të gjithë Gotham-in. Shtresa e ulët e qytetit frymëzohet dhe nis trazirat kundër establishmentit. Në kaosin që ka shpërthyer, Joker ngrihet si një Mjeshtër që nuk merr pushtet për veten e tij, por thjesht inkurajon masat për të kapur lirinë për veten e tyre. Me fjalë të tjera, ai nuk bëhet si i Ati.

Pse Joker provokoi një debat të tillë mes kritikëve? Në të vërtetë ka më shumë kuptim të argumentojmë se “Pantera e Zezë” (2018) mund të jetë një frymëzim për Idi Aminin e radhës, sesa të themi se Joker mund të frymëzojë aktin e ardhshëm terrorist. Po kështu, personazhi i Hulkut në serialin “Avengers” ka një ngjashmëri më të madhe me prototipin e rebelimit (mashkull i bardhë me probleme të mëdha zemërimi që ka potencialin për shkatërrim) sesa Joker-i që lufton jo kundër Të Tjerëve të jashtëm ose grave, por kundër burimeve të brendshme të shtypjes dhe autoritetit kapitalist-patriarkal. Dhe, siç u përmend më parë, Batman është një shembull shumë më i mirë i viktimizimit të meshkujve të bardhë, që armatoset si justifikim për sjellje të dhunshme. Këto personazhe nuk evokojnë llojin e kritikës së ashpër që Joker mori kryesisht, sepse ato janë pjesë e konsensusit ideologjik liberal. Nga ana tjetër, kryengritësit në film, që mbajnë pankarta ku shkruhet "Ne jemi të gjithë kllounë" në solidaritet me Joker-in, shihen nga kritikët si mbështetës racistë të Trump-it (megjithëse etnia e tyre është e larmishme dhe ata janë të gjithë të varfër).

Duhet të jemi të kujdesshëm me karikaturimin vulgar të meshkujve të bardhë e të varfër, sidomos ata nga zonat rurale, në Hollivud. Serialë horror kult si “Hallouin”, “E premte 13”, “Makth në Elm Street” dhe “Masakra e sharrës në Teksas”, të gjithë sjellin stereotipe të meshkujve të bardhë të klasës punëtore si vrasës serialë të dëmtuar psikologjikisht. Këto mund të jenë referenca kulturore për një kategori zgjedhësish që Hilary Clinton pa i përcaktuar i quajti "të mjerueshëm" - votuesi mesatar i Trump-it. Megjithatë, është fakt politik që pikërisht ky elektorat, mbështetja e të cilit është e nevojshme nëse në Amerikë do të arrijë ndryshimi rrënjësor. Liberalët ia kanë frikën klasës së bardhë punëtore, e cila mund të votojë Trump-in, por ata i druhen po të njëjtit grup akoma më shumë si votues të mundshëm të Bernie Sanders. Dhe ky është një operacion diskursiv dinak për të shkrirë ankesat kulturore të meshkujve të bardhë të klasës punëtore (kundër emigrantëve) me ankesat e tyre të mirëfillta ekonomike (kundër kompanive të sigurimeve, privatizimin e kujdesit shëndetësor etj.). Vetëm mbi bazën e një beteje të përbashkët mund të ndërtohet një elektorat me të vërtetë i larmishëm politik.

Joker, që përfundon me një kryengritje të të varfërve që vijnë nga etni të ndryshme, të shkaktuar nga një mashkull i bardhë që kërkon vetëm të jetë një shkëndijë dhe jo një shpëtimtar, duhet parë si një nga filmat më radikalë të majtë që vijnë nga Hollivudi. Dhe ne jemi të gjithë kllounë nëse nuk e kuptojmë pse kjo duhet t’i provokojë aq shumë liberalët. 

The Philosophical Salon/TvT

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

*Karthick Ram Manoharan është Asistent Profesor i Shkencave Politike në Qendrën për Studime në Shkenca Sociale, Kalkuta. Ai është autori i "Frantz Fanon: Identiteti dhe Rezistenca".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.