Venecian e lexon si të duash

Postuar në 14 Tetor, 2019 18:33

Komisioni i Venecias nuk i ka lëvizur ndonjë gjë të madhe draftit fillestar të vet për çështjen e opioninit të kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Në opinionin e publikuar, Komisioni thekson se ai ka marrë parasysh pretendimet e të gjitha palëve duke dalë në disa përfundime që në fakt nuk e shterojnë debatin aktual.

Por ky opinion mund të vihet në konteket të debatit nisur nga reduktimi që i është bërë nga mediat afër pushtetit:

A ka shkelur Kushtetutën Presidenti i Republikës kur shtyu datën e zgjedhjeve lokale?

A duhet shkarkuar ai për këtë gjë?

Nga pikëpamja e pushtetit të Presidentit për të ndërhyrë në këtë drejtim, Komisioni nënvizon se kreu i shtetit ka diskrecion të kufizuar për datën e zgjedhjeve dhe kjo me arsye të forta.

Shtyrja e zgjedhjeve sipas vlerësimit të bërë, nuk derivon as nga situata eventuale e emergjencës, përderisa sipas Komisionit, një akt si dekreti i shtyrjes së zgjedhjeve apo anullimit të tyre kërkon patjetër një bazë kushtetuese dhe ligjore. Mirëpo Komisioni i Venecias ka zgjedhur të mos e thjeshtojë në terma strikt kushtetues opinionin e vet dhe ka shtuar në të konsiderata politike.  Në paragrafin që trajton pretendimin e Presidentit për mungesën e garës, si premisë kryesore për shtyrjen e datës, Komisioni vlerëson se ky synim është legjitim, ndonëse shtyrja e zgjedhjeve në vetvete e suspendon një të drejtë, pa e eliminuar atë për shtetasit.

Shmangia e konflikteve të mundshme në shoqëri dhe ruajtja e demokracisë mund të konsiderohen synime legjitime për shtyrjen e zgjedhjeve, por edhe nëse Presidenti ndoqi një syim legjitim, as Kushtetuta as Kodi Zgjedhor nuk i japin atij ndonjë kompetencë të përgjithshme për të anulluar zgjdhjet dhe për të caktuar një datë të re

Jemi pra përpara një vlerësimi që ka dy anë: nga njëra anë eventualiteti i një synimi të ligjshëm dhe me rëndësi dhe mospërpythja e veprimeve në emër të tij me kompetencën e pushtetit që e postulon dhe ndjek atë qëllim. Në këtë pikë, Komisioni në vend se të ecte më tej me sqarime profesionale juridiko-kushtetuese e kalon topin në fushën e palës shqiptare, por pa hequr dorë nga një sugjerim me natyrë provokative.

Teksa nënvizon se:

Do të jetë Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni Hetimor i tij dhe në fund Gjykata Kushtetuese që do të përcaktojnë nëse kjo ishte një shkelje e Kushtetutës, dhe nëse e tillë nëse ishte apo jo e “rëndë” në kuptim të nenit 90 të Kushtetuës për të nisur shkarkimin

Komisioni nga ana tjetër shton më poshtë se:

Komisioni i Venecias nuk mund të këshillojë ndonjë gjë për këtë çështje(shkarkimin), por do të jetë Kuvendi që do të vendosë nëse procedura e shkarkimit do të reduktojë apo shtojë tensionet dhe në fund do t’i shërbejë apo dëmtojë synimeve të kontrollit dhe balancimit në situatën kur Parlamenti dhe të gjitha bashkitë dominohen nga një parti. Çështja pra për Kuvendin mund të jetë: a do t’i shërbente shkarkimi i Presidentit unitetit të Popullit?

Siç mund të vihet re, Komisioni i Venecias nuk definon dot nëse ka patur apo jo shkelje të Kushtetutës nga Presidenti dhe ja lë këtë Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai preferon të flasë për tejkalim kompetencash, mungesë baze ligjore për të sugjeruar tërthorazi se Kuvendi në detyrën e vet ka përgjegjësi të mëdha, politike dhe sociale përpara se të vendosë mbi bazën e një gjykimi juristësh dhe interpretimit të tyre.

Është e qartë se Komisioni me opinionin e vet rekomandon zgjidhje të brendshme dhe në kushtet kur nuk ka ndarë dot as vetë përgjegjësitë në kuptim të Kushtetutës shqiptare dhe pyetjeve që i janë bërë, në fakt opinioni çon në përfundimin se dialogu politik mund ta zgjidhë edhe këtë situatë.

Si do të reflektohet në praktikën kushtetuese atëherë veprimi i Presidentit? Të presim Gjykatën Kushtetuese, për krijimin e së cilës në kushtet e tanishme, Komisioni vëren se cenohet nga kompleksiteti i situatës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.