A dështoi revolucioni rajonal i paqes me shkëmbim territoresh?

Postuar në 11 Tetor, 2019 23:08

Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka shfaqur nervozizëm pas takimit të tij me përfaqësuesin e posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. I pyetur nga gazetarët, Vuçiç ka deklaruar se kur vjen puna për Kosovën atij nuk i është ofruar asgjë në këto shtatë vjet dhe se pas takimit të fundit I duhet kohë të mendojë se çfarë duhet të bëjë. 

Askush nuk po na ofron asgjë, askush nuk po na ofron ndarjen. Nuk do të na japin asgjë…Kam nevojë të mendoj rreth atyre që më tha Grenell dhe të vendos për hapat e radhës

tha ndër të tjera Vuçiç. 

Nëse këto deklarime të Vuçiç janë të sinqerta, atëherë ShBA duket se ka deklaruar si opsion të panegociueshëm ndryshimin e kufijve, duke zhvlerësuar të gjithë propagandën e establishmentit të Kosovës dhe qeverisë në Tiranë, se shkëmbimi i territoreve është ide amerikane.

Ka disa shenja se diçka në fakt ka lëvizur dhe të ashtuquajturit liderë po marrin masa.

Së pari, zëdhënësi i idesë së shkëmbimit, Baton Haxhiu deklaroi dy ditë më parë në një emisiom televiziv se në tryezë janë vetëm dy opsione, një ndër të cilët shkëmbimi i territoreve. Mesa duket kjo nuk është e vërtetë dhe deklarimi i Haxhiut përveçse përpjekje për të mbrojtur një tezë që tashmë po diskreditohet është edhe një diversion i vockël për ta vënë Albin Kurtin në kurs përplasjeje me ShBA-të në sytë e opinionit shqiptar. 

Së dyti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nxitoi në mënyrë të pavend të deklaronte se ka qenë përherë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve për ta lënë presidentin serb të vetëm në këtë kauzë të përbashkët të pajtimit të madh shqiptaro-serb. 

Në një intervistë për Tv Klan, Vuçiç u shfaq madje në pozita difensive kur tha se për idenë e ndryshimit kufitar ai pret qëndrimin dhe mirëkuptimin e shqiptarëve. 

Një nxitim për të hequr duart sa më shpejt nga tezat e ndryshimit të kufijve, në kushtet kur ShBA deklaron se është rikthyer në Ballkan. 

Takimi me Grenell ngjan të jetë pikë kthese dhe një sinjal për këtë e dha edhe këshilltarja për mediat e presidentit serb, Suzanna Vasiljeviç sipas të cilës asnjë takim nuk ka qenë kaq i ashpër. 

Sipas saj, Vuçiç po mbante shënime personalisht dhe nuk ka pranuar as të flasë me stafin e vet. Ai ka qëndruar vetëm për vetëm me Grenell për 10 minuta dhe më pas është asistuar nga Marko Gjuriç. 

Çfarë ka ndryshuar? Mesa duket oferta që për Serbinë nuk është më për territore, por për diçka tjetër. Mbetet për t’u parë sesi do të kompensohet Serbia, por me gjasë karriera e Vuçiç është në pikëpyetje, sikundër është e qartë se ambicia nobeliste e tij dhe Hashim Thaçit, me bekimin e figurantëve nga Tirana do të duhet të ridimensionohet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.