Rrëmuja e Trump në Ballkan

Postuar në 09 Tetor, 2019 15:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë t’i përmbahen idesë se marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës kalon nga shkëmbimi i territoreve. E lidhur kryesisht me ish-këshilltarin e Sigurisë, John Bolton, ideja në fjalë u kundërshtua nga Gjermania, ndonëse u pranua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe u mbështet nga qeveria e Edi Ramës.

Me rotacionin politik në Kosovë, duket se SHBA po mendon të presojmë mbi Gjermaninë, ndaj së cilës kërkohet ndryshimi i qëndrimit dhe përkrahja e idesë së shkëmbimit të territoreve. Të paktën këtë thotë në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, një analist amerikan, Edward Joseph që hipotetizon se i Caktuari i Posaçëm për Serbinë dhe Kosovë, Richard Grenell përfaqëson një zgjedhje të Shtëpisë së Bardhë për të bindur Gjermaninë për këtë opsion.

Grenell është ambasador në Gjermani dhe, megjithëse ka pasur mosmarrëveshje atje, ai është i vetëdijshëm për shqetësimin e Gjermanisë në lidhje me politikën që ka ngritur ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, e cila duket se është në favor të shkëmbimit të territoreve (midis Kosovës dhe Serbisë). Është e mundshme që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë. Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues

shprehet Joseph.

Sipas tij në SHBA nuk ka një disponim për Ballkanin dhe njerëzit që janë marrë me rajonin mund të shohin konfuzionin që ka krijuar mbivendosja e Grenell me Mathew Palmer.

Nuk ka disponim në SHBA për Ballkanin. Ata që e ndjekin këtë çështje janë të shqetësuar dhe në konfuzion me emërimin e ambasadorit Grenell. Ata mendojnë se emërimi i tij mund të reflektojë qasjen e Boltonit drejt ndarjes së Kosovës - që natyrisht se do të krijonte shumë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje dhe brenda vetë Kosovës... për ne që mendojmë kështu, (emërimi i tij) nuk na jep shumë siguri…

Kur John Bolton ka qenë këshilltar për siguri kombëtare, unë mendoj se ka pasur mbështetje për idenë - të favorizuar edhe nga (shefja e politikës së jashtme të BE-së) Federica Mogherini - për shkëmbim territoresh, për një lloj ndarjeje të Kosovës, me sa duket në veri, në lumin Ibër, ku katër komunat veriore do t'i kalonin Serbisë dhe një pjesë e padefinuar e jugut të Serbisë, që është Lugina e Preshevës, do t'i kalonte Kosovës. Duket se këtë e kanë diskutuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për disa muaj. Mogherini e ka mbështetur këtë, por të gjithë e dimë se (kancelarja gjermane) Angela Merkel e ka kundërshtuar fuqishëm, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të rajonit që do të ndikoheshin drejtpërdrejt. Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka përsëritur vazhdimisht kundërshtimet ndaj kësaj ideje. Në një rast, ai e ka cilësuar atë si idenë më të pamend që ka dëgjuar. Mali i Zi është shprehur i shqetësuar për këtë ide, Bosnja po ashtu, e mos të flas për shumë paqartësitë rreth mënyrës se si do të zbatohej ajo në Kosovë. Me gjasë do të kishte lëvizje masive të popullsisë serbe që jeton në jug të Ibrit. Ajo vë në pyetje edhe lokacionet fetare serbe në Deçan, Graçanicë... Të gjitha këto kanë mbetur pa përgjigjet e atyre si Mogherini dhe zyrtarët amerikanë të kohës së Boltonit. Ata nuk e kanë shpjeguar se si do të adresohej kjo çështje

vijon analisti.

Në këto kushte, duket se politika amerikane në rajon përballet sa me ndryshimin politik në Prishtinë që përjashton të paktën deri më tani idenë e shkëmbimit të territoreve, aq edhe me domosdoshmërinë që mbështetjen amerikane ndaj njëri apo tjetrit krah ta lexojmë me shumë dyshim. Në fund të fundit, vetë aktorë amerikanë po na thonë se SHBA nuk po di se çfarë të kërkojë në Ballkan, por vijon me një prezencë kaotike idesh dhe opinionesh që i përmbahen parimit: çdo marrëveshje e parimit “nëm të të jap” është e mirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.