Kërkimet shkencore dhe “dora” e fshehtë e kompanive të mëdha që i financojnë

Postuar në 05 Tetor, 2019 00:18

 

Përgjatë dy dekadave të fundit, fondet e industrisë për kërkime mjekësore janë rritur në shkallë botërore, ndërsa fondet qeveritare dhe jofitimprurëse janë ulur. Deri në vitin 2011, financimi i industrisë, në krahasim me burimet publike, përbënte dy të tretat e kërkimit mjekësor në të gjithë botën.

Financimi i kërkimit shkencor nga industri të tjera po rritet gjithashtu, duke përfshirë ushqim dhe pije, kimikate, miniera, kompjuter dhe kompani automobilistike. Dhe si rezultat, liria akademike po i ndien pasojat.

Industritë si sponsor dhe “shtypja” e botimeve

Një akademike në hapat e saj të parë kohët e fundit më kërkoi këshilla në lidhje me kërkimet që kishte kryer dhe që ishin financuar nga industria. Sipas kontratës së financimit - e nënshkruar nga mbikëqyrësi i saj - ajo nuk do të mund të botonte rezultatet e testeve të saj klinike.

Një studiuese tjetër, studente doktorature, më kërkoi ndihmë për disertacionin e saj. Puna e saj është subjekt i një marrëveshjeje financimi mes udhëheqësit të saj të doktoraturës me një kompani. Kjo marrëveshje parandalon botimin e çdo pune të konsideruar si konfidenciale nga financuesi i studimit. Pra, ajo nuk do të lejohet të paraqesë dokumentet për të përmbushur kriteret e disertacionit.

Histori të tilla më ndodh të has shpesh dhe të gjitha kanë një gjë të përbashkët: Publikimet e bllokuara i paraqesin produktet e kompanive sponsorizuese në një mënyrë që nuk u vjen fort për shtat. Ndërsa e drejta për të botuar është një shtyllë e lirisë akademike, kontratat e kërkimit shkencor shpesh përfshijnë klauzola që i japin financuesit të drejtën të thotë fjalën e fundit lidhur me publikimin ose jo të studimit.

Studiuesit me shumë vite përvojë mund të preken gjithashtu nga kjo shtypje që ushtron industria mbi kërkimet e tyre. Në vitet ‘80, një kompani farmaceutike financoi një studiues për të krahasuar ilaçin e tiroides së markës që ajo prodhonte me homologët e tij gjenerikë. Studiuesi zbuloi se ilaçet e tjera ishin aq të mira sa produktet e markës sponsorizuese.

Financuesi bëri të pamundur për të penguar publikimin e gjetjeve tëstudimit, përfshirë marrjen e masave juridike kundër studiueses dhe universitetit të saj.

Në këtë pikë ka pak mbikëqyrje institucionale. Një studim i vitit 2018 zbuloi se, midis 127 institucioneve akademike në Shtetet e Bashkuara, vetëm një e treta kërkuan rishikim të marrëveshjeve për hulumtim.

Dhe 35% e institucioneve akademike nuk mendonin se është e nevojshme që institucioni të rishikonte marrëveshje të tilla. Kur u shqyrtuan marrëveshjet e këshillimit, vetëm 23% e institucioneve akademike u ndalën te të drejtat e publikimit. Dhe vetëm 19% kërkuan dispozita të papërshtatshme, të tilla si ndalimi i komunikimit për çdo aspekt të punës së financuar.

Sponsorët dhe manipulimi i provave

Përkufizimi i lirisë akademike qëndron në lirinë e hulumtimit, kërkimit, shprehjes dhe publikimit (ose shpërndarjes) të një kërkimi.

Dokumente për qarkullim të brendshëm, që i janë marrë industrisë përmes procesit gjyqësor, kanë zbuluar shumë shembuj të sponsorizuesve të industrisë që ndikojnë në hartimin dhe kryerjen e hulumtimit, si dhe publikimin e pjesshëm të hulumtimeve, ku janë botuar vetëm gjetjet e favorshme për financuesit.

Për shembull, në vitin 1981, një studim japonez me ndikim zbuloi një lidhje mes duhanpirjes pasive dhe kancerit të mushkërive. Ai dilte në përfundimin se gratë e duhanpirësve ishin dyfish më të rrezikuara për t’u prekur nga kanceri i mushkërive në krahasim me gratë e joduhanpirësve dhe se rreziku ishte i lidhur me dozën.

Kompanitë e duhanit atëherë financuan studiues për të krijuar një studim që do t’i hidhte poshtë këto gjetje. Kompanitë e duhanit u përfshinë në çdo hap të punës kërkimore të financuar, por e mbajtën sekret këtë përfshirje për dekada të tëra. Ata i kornizuan sipas interesit pyetjet e hulumtimit, hartuan studimin, mblodhën dhe siguruan të dhëna dhe shkruan botimin përfundimtar.

Ky botim u përdor si "provë" që tymi i duhanit nuk është i dëmshëm. Ajo konkludoi se nuk kishte asnjë provë të drejtpërdrejtë që tregon se ekspozimi pasiv në tymin e duhanit rrit rrezikun e kancerit të mushkërive. Industria e duhanit e përmendi studimin në dokumentet rregullatore qeveritare për të hedhur poshtë të dhënat e pavarura mbi dëmet e pirjes së duhanit pasiv.

Sponsorët e industrisë ndikojnë axhendat e kërkimit shkencor

Kërcënimi më i madh për lirinë akademike mund të jetë ndikimi që financuesit e industrisë kanë në fazën e parë të procesit të hulumtimit shkencor: përcaktimi i axhendës së kërkimit. Kjo do të thotë që sponsorët të kenë një kontroll të paprecedent mbi pyetjet për të cilat kërkohet përgjigje.

Kohët e fundit kemi rishikuar studimet kërkimore që kanë studiuar ndikimin e korporatave në axhendat e kërkimit. Ne gjetëm që financimi i industrisë i shtyn kërkuesit shkencorë të studiojnë pyetje që synojnë të maksimizojnë përfitimet dhe të minimizojnë dëmet e produkteve të tyre, të shkëpusin nga hulumtimi i pavarur që është i pafavorshëm për ta, të ulin rregullimin e produkteve të tyre dhe të mbështesin pozicionet e tyre ligjore dhe politike.

Në një rast tjetër që lidhet me duhanin, tre kompani krijuan dhe financuan Qendrën për Hulumtime të Ajrit të Brendshëm, që do të bënte kërkime për ta zhvendosur vëmendjen nga provat për dëmet e duhanpirjes pasive. Përgjatë viteve ‘90, kjo qendër financoi dhjetëra projekte kërkimore që sugjeruan se përbërës të ajrit të brendshëm, siç janë gazrat e filtrave të ndotur të ajrit, ishin më të dëmshëm se duhani.

Industria e sheqerit gjithashtu u përpoq të largonte fokusin nga provat që tregojnë një lidhje midis sheqerit dhe sëmundjeve të zemrës. Vetëm kohët e fundit u zbulua se, në vitet ‘60, industria e sheqerit pagoi shkencëtarët në Universitetin e Harvardit për ta paraqitur si më të parëndësishme lidhjen midis sheqerit dhe sëmundjeve të zemrës, dhe për ta zhvendosur “fajin” nga sheqeri te yndyra si përgjegjës për epideminë e sëmundjeve të zemrës.

Autorët e studimit sugjeruan se shumë prej rekomandimeve të dietave të sotme mund të jenë formuluar indirekt kryesisht nga industria e sheqerit. Dhe disa ekspertë kanë diskutuar që atëherë nëse një keqinformim i tillë mund të ketë çuar në krizën e mbipeshës së sotme.

“Coca-Cola” dhe “Mars” kanë financuar gjithashtu kërkime universitare mbi aktivitetin fizik për të larguar vëmendjen nga lidhja mes produkteve të tyre dhe mbipeshës.

Si ta mbrojmë lirinë akademike?

Në një klimë kur marrëdhëniet midis akademisë dhe industrisë inkurajohen dhe fondet e industrisë për kërkime vazhdojnë të rriten, akademikët duhet të mbrohen nga kërcënimet që paraqet industria për lirinë akademike.

Liria akademike do të thotë që fondi i industrisë për kërkimin shkencor të mos vijë me kleçka nga pas. Studiuesit duhet të ngrenë fillimisht pyetjen nëse pranimi i fondeve të industrisë kontribuon në misionin e zbulimit të njohurive të reja apo në një axhendë kërkimore të industrisë që synon rritjen e fitimeve për të.

Qeveritë ose konsorciumet e pavarura të financuesve të shumtë, përfshirë qeverinë dhe industrinë, duhet të sigurojnë mbështetje për hulumtime që plotësojnë në radhë të parë nevojat e publikut.

Kur hulumtimi mbështetet nga industria, financuesit nuk duhet të diktojnë hartimin, sjelljen ose publikimin e hulumtimit. Shumë universitete kanë dhe zbatojnë politika që parandalojnë kufizime të tilla, por kjo nuk është rregull për të gjithë. Shkenca e hapur, përfshirë publikimin e protokolleve dhe të dhënave, mund të ekspozojë ndërhyrjen e industrisë në kërkime.

Shkencëtarët kurrë nuk duhet të nënshkruajnë, ose të lejojnë që institucioni i tyre të firmosë një marrëveshje që i jep një fond financiar për të parandaluar shpërndarjen e gjetjeve të kërimit të tyre shkencor. Universitetet dhe revistat shkencore duhet të mbrojnë studiuesit e rinj dhe të mbështesin të gjithë akademikët në ndalimin e ndikimit të industrisë dhe ruajtjen e lirisë akademike.

Ky artikull është pjesë e një serie mbi lirinë akademike, ku akademikë të njohur nga e gjithë bota (në kushte anonimati) shkruajnë mbi gjendjen e fjalës së lirë dhe kërkimit shkencor në vendet e tyre. Shkrimi është publikuar në "The Conversation". 

Përktheu: Gazmira Sokoli/TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.