Demokracia nuk mund të vijë nga jashtë. Tranzicioni nuk ka mbaruar në Europën Qendrore dhe Lindore

Postuar në 02 Tetor, 2019 14:51
Intervistoi: Pavol Szalai

Akademiku dhe gazetari kanadez, Michael Ignatieff, aktualisht rektor i Universitetit të Europës Qendrore trajton përmes një interviste për Euracitv, situatën e tanishme në rajon duke vënë një pikëpyetje mbi çmobilizimin demokratizues të perëndimit. Sipas tij tranzicioni nuk ka përfunduar ende dhe demokracia në këtë rajon ka marrë drejtime të paparashikuara.

Ingatieff shton se tashmë është e qartë për të gjithë se çarja e Perëndimit e ka minimuzuar rolin e tij dhe ka cenuar politikën e demokratizimit që është reduktuar në bashkëpunim në fushën e sigurisë.

Më poshtë një pjesë nga intervista:

Me fillimin e vitit tjetër, 90%  aktiviteteve të Universitetit të Europës Qendrore do të zhvendoset në Austri. Çfarë do të thotë për universitetin në një kuptim të gjerë kjo lëvizje nga Budapesti në Vjenë?

Ne duhet të zbatojmë të gjitha programet amerikane në Vjenë. Studentët e parë do të mbërrijnë aty në 30 shtator. Në të njëjtën kohë ne duam të ruajmë një prani të fortë në Budapest. Ne po punojmë aktualisht për të parë se çfarë na lejon ligji. Është një çështje e komplikuar. Nuk do të thosha 90%, sepse për momentin nuk e di. Ky do të jetë një bi-kampus universitar për disa kohë, sepse Viktor Orbani e ndaloi programin tonë në Budapest.

Një nga idetë pas krijimit të Universitetit Qendror Europian në Budapet ka qenë padyshim ndihmesa për demokratizimin e Europës Qendrore. A mos po anashkalohet kjo ide me zhvendosjen në Vjenë?

Jo. Është e lezetshme sesi njerëzit e kuptojnë gjeografinë e rajonit. Në Vjenë të thonë se janë në Europën Qendrore Lindore, në Budapest thonë se Vjena është në Perëndim. Pikëvështrimi im është se ne do të jemi në Vjenë dhe në Budapest dhe do të vazhdojmë të jemi një universitet i angazhuar për shoqërinë e hapur, që do të thotë mendje dhe institucione të lira. Nuk mendoj se lëvizja drejt Vjenës do ta ndryshojë këtë gjë. Ne do të mbajmë angazhimin që kemi patur që nga viti 1991.

Ju po pyesni se çfarë ndodhi me tranzicionin demokratik në këtë pjesë të botës. Është e sigurtë që po merr një drejtim të cilit ne nuk i kemi paraprirë. Por kjo nuk e dëmton misionin tonë. Ne kemi nxjerrë rreth 17 mijë të diplomuar. Shumë prej tyre vijnë nga ky rajon dhe tani punojnë kudo në botë. Secili prej tyre ka kaluar të paktën një vit në një institucion të lirë. Kjo ka një ndikim dhe është kjo që ka rëndësi.

Të kalosh një vit me ne, nëse vjen nga Azerbajxhani, Shqipëria apo Bullgari, të jesh në një vend ku të pyesin që të mendosh për veten, ka një ndikim që të shoqëron të gjithë jetën. Ky nuk është një universitet që indoktrinon njerëzit për një vizion të caktuar të demokracisë. Është një vend që përqëndrohet në idenë e krijimit të lirësë, mendjeve të lira, njerëzve që mendojnë. E di sepse më është thënë, i di edhe zhurmat, se çfarë thotë media zyrtare, se çfarë thonë miqtë e mi. Por çfarë mendoj unë? Ajo qasje ndihmon një process tranzicioni.

Qartazi, tranzicioni demokratik ka ecur në një drejtim të papritur, disa herë të frikshëm. Universiteti ynë nuk mund të ndryshojë drejtimin e historisë. E gjitha çfarë mund të bëjmë është të mësojmë njerëzit të jenë të lirë. Dhe ne e bëjmë këtë çdo ditë të vitit. Dhe unë besoj me pasion në këtë mision.

Do të donit ta vazhdonit këtë mision në Europën post-komuniste ndërkohë që jeni në Vjenë?

Sigurisht. Nuk mendoj se duke shtuar një vendndodhje misioni ndryshon. Misioni është bërë më i rëndësishëm, jo më pak i rëndësishëm.

Po u largohemi të gjithë iluzioneve që kishim për tranzicionin në vitin 1991. Ne mendonim se tranzicioni do të ishte i lehtë, në fakt është i vështirë. Tranzicioni nuk ka përfunduar.

Polonia nuk ka për shkuar përgjithnjë në një drejtim autoritarist populist, Hungaria nuk do të konsolidohet si një shtet një partiak në përjetësi. Historia nuk ka mbaruar. Ka shumë të ardhme përpara nesh në Europën Qendrore që mbetet në qendër të asaj që ka rëndësi për ne. por është e rëndësishme të vihet re se ne kemi studentë nga 88 vende. Është një universitet global, jo më një universitet rajonal.

Vendet perëndimore kanë investuar shumë energji për tranzicionin demokratik në Europën Qendrore dhe Lindore. Ju thatë se ne kemi gabuar në pritmëri. Por a janë bërë gabime në veprimet tona? A ka dështuar bota perëndimore në përpjekjen për transforimimin e rajonit?

Perëndimi është i frakturuar. Europa dhe SHBA ishin të lidhura bashkë në bashkëpunim sigurie dhe në një angazhim të përbashkët demokratik përballë sfidë totalitarie komuniste. Ata janë tashmë rivalë ekonomikë. Ata janë ende partnerë në çështjet e sigurisë, por vetëm kaq. Dhe SHBA ka vendosur se nuk ka më vullnetin dhe kapacitetin të strukturojë rregullat mbi të cilat ngrihet rendi ndërkombëtar. Pra ka reduktuar investimin në sigurinë dhe tranzicionin e Europës Qendrore dhe Lindore.

Pika më e lartë ishte Marrëveshja e Paqes në Dejton që i dha fund luftës në Bosnje, apo ndërhyrja në Kosovë në vitin 1999. Që nga ajo kohë, ka vijuar rënia – jo vetëm nën Donald Trump, por edhe nën administratat e demokratëve dhe republikanëve – për shkak se konsensusi politik amerikan pas këtij angazhim nuk ekziston më. Nuk mund të mbështesësh atë në këtë pjesë të botës nëse njerëzit në SHBA mendojnë se do ta bëjmë këtë investim gjetkë. Ka ende një angazhim në planin gjeostrategjik. Polonia ka marrë disa raketa dhe Balltiku disa trupa.

Trump po flet për baza të reja ushtarake në Poloni.

Po. Angazhimi i sigurisë mbetet, por angazhimi për demokracinë është tërhequr. Ky është një turp, sepse të dyja këto shkojnë dora dorës.

A ka dështuar politika amerikane e demokratizimit në këtë rajon?

Çështja nuk është nëse patën sukses apo dështuan. Ata u tërhoqën. E vërteta për politikën e demokratizimit nga jashtë është se ajo ka limite. Nëse Polonia ka bërë një tranzicion demokratik, kjo ka ardhur për shkak të heronjve të Solidarnostit dhe të rezistencës së brendshme polake. Ata morën ndihmë nga jashtë, por gjeneruesit kryesorë ishin brenda.po kështu në Republikën Çeke deh Hungari. Nuk kam besuar ndonjëherë se kjo gjë mund të ndodhë nga jashtë. Dy gjëra po ndodhin: amerikanët janë çmobilizuar nga përpjekjet demokratizuese dhe elitat e tranzicionit të vitit 1989 po plaken.

Dy javë më parë vdiqën György Konrád, novelist hungarez dhe László Rajk, arkitekt dhe aktivist politik hungarez, njerëz të mreullueshëm që përfaqësonin më të mirën e brezit hungarez të tranzicionit. Adam Michnik dhe Lech Walesa janë ende gjallë, por roli i tyre historik ka rënë. Një brez i ri do të dalë në skenë dhe do të marrë vendime: Duam me të vërtetë që të jemi një shoqëri demokratike? Apo duam të rikrijojmë sërish mediokritetin kleptokratik dhe të zymtë të sistemit një partiak që ka dominuar këtë rajon në të shkuarën? Kjo është një pyetje për brezin tuaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.